Kërko

 Cristo Risorto Cristo Risorto

Krishti u Ngjall! Vërtetë u Ngjall! Aleluja! Për shumë vjet Pashkët

Krishti, Pashka jonë, u ngjall! Aleluja! Paqja e të Ngjallurit qoftë me ju! Për shumë vjet Pashkët, të gjithëve!

R.SH. - Vatikan

Krishti u Ngjall! Vërtetë u Ngjall! Aleluja!

vëllezër e motra dhe dëgjues të nderuar të Radio Vatikanit - Vatican News, kudo që jeni,

Paqja e të Ngjallurit qoftë me ju! Kremtojmë sot misterin e madh, themelin e fesë e të shpresës së krishterë: Jezusi i Nazaretit, i Kryqëzuari, u Ngjall prej së vdekurish, në të tretën ditë, sipas Shkrimeve. Lajmin që engjëjt i dhanë Marisë nga Magdala dhe grave që kishin rendur tek varri Jezu Krishtit në agimin e ditës së parë pas së shtunës, e dëgjojmë edhe sot me emocion: “Pse e kërkoni të gjallin ndër të vdekur? Nuk është këtu! Është ngjallur!”. (Lk. 24, 5-6).

Nuk është e vështirë të përfytyrojmë çka ndjenë atë çast këto gra: trishtim e tronditje për vdekjen e Zotit të tyre, mosbesim e habi për faktin aq të jashtëzakonshëm e aq të vështirë për t’u besuar. Gjithsesi varri i Jezusit ishte i hapur, i zbrazët: trupi nuk ishte më aty. Pjetri e Gjoni, të njoftuar nga gratë, vrapuan tek varri dhe vërtetuan se ato kishin të drejtë.

Besimi i Apostujve në Jezusin, në Mesinë e pritur, ishte vënë në provën e vështirë të shkandullit të kryqit. Në sa arrestohej, dënohej e vdiste, ata qenë shpërndarë, ndërsa tani ishin përsëri bashkë, të pavendosur, të çorientuar. Por vetë Jezusi Ngjallur erdhi t’i takonte e t’u shuante etjen plot mosbesim, për të qenë të sigurtë. Nuk ishte ëndërr, as shpresë e kotë e as përfytyrim subjektiv ky takim; ishte i vërtetë, edhe pse i papritur e pikërisht për këtë, edhe më prekës. “Jezusi erdhi, u ndal midis tyre e u tha: “Paqja qoftë me ju!”. (Gjn 20,19)

Pas këtyre fjalëve, feja gati e shuar në shpirtrat e tyre, u ndez përsëri. Apostujt ia treguan këtë Tomës, që nuk ishte i pranishëm në atë çast të jashtëzakonshëm: Po, Zoti e përmbushi premtimin që na pati bërë; vërtetë u ngjall e ne e pamë dhe e prekëm! Kështu thanë Apostujt, por Toma vijoi të dyshonte e të ngurronte. Kur Jezusi erdhi për herë të dytë, tetë ditë më pas, në Çenakull, i tha: “Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim e mos ji njeri që s’beson, por besimtar!”. Përgjigja e Apostullit është besojmë prekëse feje: “Zotëria im e Hyji im!”. (Gjn 20, 27-28).

Zotëria im e Hyji im!”. Ta përsërisim edhe ne besojmën tonë të fesë së bashku me Tomën. Si urim për Pashkët e këtij viti, kemi zgjedhur pikërisht fjalët e shën Tomës, sepse njerëzimi i sotëm pret nga të krishterët një dëshmi të re të Ngjalljes së Krishtit; ka nevojë ta takojë e ta njohë si Zot të vërtetë e Njeri të vërtetë. Në se me këtë Apostull mund të davaritim dyshimet e paqartësitë e shumë të krishterëve të sotëm, frikën e zhgënjimet e bashkëkohësve tanë të panumërt, me të mundemi edhe të rizbulojmë, me bindje të re, fenë në Jezu Krishtin që vdiq dhe u Ngjall për ne. Kjo fe, e trashëguar brez pas brezi nga pasardhësit e Apostujve vijon, sepse Zoti i ngjallur nuk vdes më. Ai jeton në Kishë dhe i prin pushtetshëm drejt përmbushjes së planit të tij të amshuar shëlbues.

Toma mori nga Jezusi Gjallë e pastaj ia përcolli Kishës dhuratën e një feje të vënë në provë nga mundimet dhe vdekja e Jezusit e të përforcuar nga takimi me Të, të ngjallur. Një fe që gati-gati kishte vdekur e që rilindi, falë prekjes së varrëve të Krishtit, plagëve të cilat i Ngjalluri nuk i fshehu, por i tregoi e vijon të na i tregojë në mundimet e vuajtjet e çdo njeriu.

Përmes plagëve të Jezu Krishtit të Ngjallur mund t’i shikojmë me sytë e shpresës të këqija që ende e mundojnë njerëzimin. Duke u ngjallur, Zoti nuk e zhduku të keqen, as vuajtjen nga bota, por fitoi mbi ta në rrënjë me begatinë e Hirit të tij. Prepotencës të së keqes iu kundërvu me gjithpushtetin e dashurisë. Na tregoi se në rrugën e paqes e të gëzimit mund të ecet vetëm me Dashurinë që nuk ka frikë nga vdekja. «Ashtu si ju kam dashur unë – u tha Apostujve para se të vdiste - ashtu duajeni edhe ju njëri-tjetrin! » (Gjn. 13, 34).

Krishti është i Gjallë mes nesh, është Ai shpresa për një ardhmëri më të mirë.  Prandaj edhe ne të bëhemi apostuj të paqes, lajmëtarë të një gëzimi që nuk ka frikë nga dhimbja, gëzimit të Ngjalljes. 

Për shumë vjet Pashkët të gjithëve! Krishti u Ngjallë! Vërtetë u Ngjall! Aleluja!

17 prill 2022, 16:37