Kërko

Kardinali Re: Barragan, trashëgimtar i fesë së popullit meksikan

Në Vatikan u kremtua sot Mesha e Dritës e kardinalit Javier Lozano Barragán, kryetar nderi i Këshillit Papnor për Punonjësit e Shëndetësisë, që ndërroi jetë në Romë, më 20 prillin e kaluar. Duke kremtuar liturgjinë funebre, dekani i Kolegjit Kardinalor, kardinali Re, rikujtoi shërbimin shumëvjeçar kishtar të të Ndjerit dhe theksoi devocionin e thellë marian. Në fund, Papa kryesoi ritin e Ultima Commendatio (të lëshimi në dorë të Zotit) dhe të “Valedictio” (lamtumirës së fundit)

R. SH. - Vatikan

“Shërbimi i gjatë kishtar i kardinalit Lozano Barragán, u mbështet gjithnjë mbi forcën e dashurisë për Zotin, për Kishën, për Papën dhe për shpirtrat e u krye me frymën e shërbimit dhe të entuziazmit, që nuk i mungoi kurrë, që nga rinia e hershme”. Kështu e kujtoi sot kardinali Re, gjatë predikimit mbajtur në altarin e Katedrës të Bazilikës së Shën Pjetrit, kardinalin meksikan Lozano Barragán, kryeipeshkëv nderi i Zacatecas (Meksikë), i cili ndërroi jetë gjatë Tetëditshes së Pashkëve, “i kënaqur që kishte pritur për vizitë Atin e Shenjtë mbrëmjen e të Premtes së Madhe dhe kishte mundur të lutej me Papën disa ditë përpara kalimit në jetën e amshuar”.
Dëshmitar i Ngjalljes

Kardinali Re përshkroi përmbledhtas jetën e Kardinalit të ndjerë, “trashëgimtar i fesë së popullit meksikan”, motoja ipeshvnore e të cilit ishte “Testis resurrectionis”(Dëshmitar i ringjalljes). Moto, të cilës u përpoq t’i qëndronte besnik gjatë gjithë jetës. Së pari si teolog, pastaj si bari e më në fund si kreu i një Dikasteri të Kuries Romake - ai mbeti gjithnjë dëshmitar i patundur i vdekjes së Krishtit dhe ringjalljes së Tij për shpëtimin tonë”, theksoi kardinali Re.

Gjatë detyrave të ndryshme që kreu në rrjedhë vitesh, në Amerikën Latine dhe në Kurien Romake, Lozano Barragán u shqua gjithnjë “për fenë e tij të gjallë, kompetencat doktrinore, besnikërinë ndaj magjisterit, për dashurinë pa kushte ndaj Kishës e kujdesin për shpirtrat” - vazhdoi kardinali Re. Veprimtaria e tij baritore u shqua “nga  humanizmi i thellë,  mirësia ndaj të gjithëve e nga dëshira për të bërë mirë”. Gjë që e dëshmoi edhe si Kryetar i Këshillit Papnor për Baritorinë e Shëndetit, duke i shërbyer “me përkushtim dhe dashuri të palodhur botës së vuajtjeve”.

Devocion i thellë për Zojën

Ishte - nënvizoi kardinali Re - burrë gjithmonë i gatshëm për t'u takuar, i aftë për dialog, që favorizohej nga kultura dhe gatishmëria për të dëgjuar. Jeta e të ndjerit, gjatë tri fazave të saj, u shqua nga përkushtimi i thellë ndaj Zojës. U kujtua gjatë homelisë edhe kungimi i tij i parë në Bazilikën e Zojës së Guadalupes si dhe shugurimi ipeshkvnor në të njëjtën Bazilikë. E edhe njëzet e pesë vjetorin e tij si ipeshkëv, i sapo krijuar kardinal, e kremtoi në shenjtëroren e Guadalupes, në Tepeyac, “vend tejet i dashur për zemrën e tij”. “Ky përkushtim i thellë  ndaj Zojës, i rrënjosur në shpirtin e të ndjerit që në fëmijëri - përfundoi dekani i Kolegjit të Kardinajve - na bën të besojmë se kardinali i ndjerë e gjeti Zojen në prag të Parrizit, ku kish dalë për ta pritur, për ta marrë për dore e për ta çuar tek Jezusi, domethënë, në gëzimin dhe paqen e pambaruar të vegimit të Zotit, në qytetin qiellor ku, siç pohon Shën Agustini: “Mbretëron e vërteta, është ligj dashuria e masë, përjetësia".

25 prill 2022, 18:05