Kërko

Kryeipeshkvi Mieczysław Mokrzycki, Metropolit i Kishës Katolike Latine të Lvivit; kardinali Konrad Krajewski, Lëmoshtar Apostolik; Fortlumturia e Tij, imzot Sviatoslav Shevchuk, kreu i Kishës Greko-Katolike të Ukrainës (foto nga Departamenti i Komunikimit i Kishës greko-katolike të Ukrainës) Kryeipeshkvi Mieczysław Mokrzycki, Metropolit i Kishës Katolike Latine të Lvivit; kardinali Konrad Krajewski, Lëmoshtar Apostolik; Fortlumturia e Tij, imzot Sviatoslav Shevchuk, kreu i Kishës Greko-Katolike të Ukrainës (foto nga Departamenti i Komunikimit i Kishës greko-katolike të Ukrainës)

Ukrainë: telefonatë e Papës Françesku me kardinalin Krajewski, dje, në Lviv

Lëmoshtari i Papës ka mbërritur në vendin në luftë, ku çon përqafimin dhe kujdesin e Françeskut për ata që detyrohen të lënë shtëpitë. Dje, kardinali foli në telefon me Atin e Shenjtë, i cili e udhëzoi të qëndrojë në Ukrainë gjithë kohën e nevojshme për t’u siguruar afërsinë e Selisë së Shenjtë refugjatëve, ikur nga terrori i bombardimeve

R.SH. - Vatikan

Lëmoshtari i Papës Françesku, kardinali Konrad Krajewski ndodhet që dje në Ukrainë, për të çuar afërsinë dhe ndihmën e Atit të Shenjtë. Sapo mbërriti, ai u takua me Fortlumturinë e Tij, imzot Sviatoslav Shevchuk, kreu i Kishës Greko-Katolike të Ukrainës, dhe me kryeipeshkvin Mieczysław Mokrzycki, Metropolit i Kishës Katolike Latine të Lvivit. Së bashku i telefonuan Papës Françesku, siç bën të ditur një deklaratë për shtyp e Departamentit të Informacionit të Kishës Greko-Katolike të Ukrainës.

Kardinali Krajewski viziton refugjatë ukrainas në Korczowa të Polonisë
Kardinali Krajewski viziton refugjatë ukrainas në Korczowa të Polonisë

Krajewski do të qëndrojë në Ukrainë për sa të jetë e nevojshme

 “Delegati papnor i tregoi Atit të Shenjtë përshtypjet e tij të para nga vizita, veçanërisht çfarë pa në Poloni. Papa u informua edhe për programin e vizitës së të dërguarit të tij në Ukrainë, diskutuar më parë me pjesëmarrësit në takim”.

Lëmoshtari apostolik, kardinali Krajewski, pohoi se ka ndërmend të vizitojë qendrat e shërbimit social në Ukrainë, të takojë refugjatët dhe viktimat e luftës. Siç njofton Kisha greko-katolike, “vizita e delegatit papnor në Ukrainë nuk do të përfundojë shpejt. Ati i Shenjtë Françesku e udhëzoi të qëndrojë në Ukrainë aq kohë sa të jetë e nevojshme për të mbështetur popullin, në emër të Selisë së Shenjtë, në këto kohë dramatike të historisë së tij”. “Papa Françesku – nënvizon imzot Shevchuk - dëshiron të jetë i pranishëm personalisht përmes delegatit të tij. E ky është qëllimi i vizitës”.

Programi i kardinalit Krajewski në Ukrainë nuk është bërë akoma i njohur, por dihet se nesër, e enjte, 10 mars, ai do të vizitojë qendrat e shërbimit social dhe do të marrë pjesë në një lutje të përbashkët me përfaqësuesit e Këshillit Pan-Ukrainas të Kishave dhe Organizatave Fetare.

Refugjatë ukrainas në Korczowa të Polonisë
Refugjatë ukrainas në Korczowa të Polonisë

Famullitari i Kievit: ky tmerr duhet të marrë fund

Ndërkaq, dëshmitë nga vendi vënë në dukje punën e Kishës në favor të të ikurve. Át Pavlo Vyshkovkyi është oblat i Zojës së Papërlyer dhe famullitar i kishës së Shën N’kollit në Kiev. Për Radio Vatikanin – Vatican News, ai tregon impenjimin e besimtarëve dhe vullnetarëve në ndihmë të popullsisë në vështirësi, që bën edhe dy orë radhë për një copë bukë. Meshtari shpjegon se në këto çaste mundimesh, shumë duan të marrin sakramentet dhe ia kanë hapur më tepër zemrën Zotit. “Hyji - pohon Át Pavlo - punon edhe në kohë të vështira”, kur përjetohet frika e luftës dhe pasojat e saj dramatike. “900 fëmijë – denoncon ai – janë bërë invalidë, për shkak të konfliktit”. Besimtarët, përfundon meshtari, shpresojnë në Zotin e luten që “ky makth të marrë fund”.

Kardinali Krajewski viziton refugjatë ukrainas në Korczowa të Polonisë
Kardinali Krajewski viziton refugjatë ukrainas në Korczowa të Polonisë

Forca e grave ukrainase

Dje, 8 mars, Dita Ndërkombëtare e Grave, manifestime të shumta iu kushtuan pikërisht grave e nënave ukrainase, shumë prej të cilave mbërrijnë në kufi me fëmijë të vegjël e me të moshuar, për t’u kujdesur, duke sfiduar bombat dhe dhunën. Në Moldavi, priten nga Motrat Misionare të Provanisë Hyjnore. Motra Rosetta Benedetti, në një intervistë për Radio Vatikanin - Vatican News, rrëfen tragjedinë e tyre.

“Mbërrijnë të frikësuara dhe të lodhura fizikisht e shpirtërisht. Ne përpiqemi t’u japim ç’kemi më të mirë: strehim, ushqim, veshje. Pastaj, përpiqemi t’i ndihmojmë të arrijnë atje ku duan, larg absurditetit dhe dhimbjes së kësaj lufte. Njëra prej tyre – tregon motër Rosetta - mbërriti e përlotur, pa dokumente, donte të shkonte në ambasadën ukrainase në Moldavi. Nuk dija çfarë t’i thoja - rrëfen murgesha – thjesht, e përqafova duke i thënë të mos shqetësohej. Ti je me ne, që të duam fort”.

09 mars 2022, 11:43