Kërko

Ukraina Ukraina

Ukraina: kard. Czerny në mision ndërmjet refugjatëve të Hungarisë: udhëtim shprese e padije

Prefekti i Dikasterit për Zhivillimin e Gjithanshëm Njerëzor do të shkojë nesër paradite, në emër të Papës, në Budapest dhe në qytete të tjera, do të vizitojë qendrat e refugjatëve ukrainas e do të takohet me ata, që i strehuan.

R.SH. - Vatikan

Një shtegtim “lutjeje”, “profecie”, “padije”. Kardinali Michael Czerny, prefekt i përkohshëm i Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, e përmbledh në këto tri fjalë, misionin që do të kryej duke u nisur nesër, më 8 mars, në Hungari, për t’i ngushëlluar e për t’i ndihmuar, në emër të Papës e “të mbarë popullit të krishterë”, refugjatët në ikje nga tmerret e Ukrainës. Vetë Papa e dha dje, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, njoftimin për udhëtimin e kardinalit jezuit dhe të kardinalit Konrad Krajewski, lëmoshtar papnor, në ato zona të plagosura, si shenjë e vullnetit të Selisë së Shenjtë “për të bërë gjithçka” që mund ta sigurojë paqen.

Udhëtimi i  kardinalit Czerny nis nesër në mëngjes drejt Budapestit, për të vijuar, më pas, me një sërë takimesh të tjera me grupet e refugjatëve dhe njerëzit, që i asistojnë. Me këtë mision, Kardinali do të vijojë të vërë theksin mbi ngjashmërinë që kanë vuajtjet e ukrainasve, me banorët e vendeve të tjera, ku konflikti vijon prej vitesh, i ndjekur nga indiferenca e botës. E do të vërë theksin edhe mbi trafikun e njerëzve si dhe kontrabandën e migrantëve në kufijtë e vendeve fqinje. Por, të dëgjojmë vetë kardinalin  Czerny, që na e përshkruan hollësisht shtegtimin e tij në Vatican News,  në prag të nisjes.

Hirësi, Papa dje, në Engjëllin e Tënzot, kujtoi se  prania e dy kardinajve  aty, është jo vetëm prani e vetë Papës, por e gjithë popullit të krishterë, që dëshiron të ndjehet pranë e të thotë: “Lufta është marrëzi. Ndaluni, ju lutemi! Shikojeni gjithë këtë mizori!”. Mision delikat, pra, por edhe me përgjegjësi të madhe…

“Ky udhëtim është një nga mënyrat më konkrete për të çuar fjalën, lutjen,  profecinë, padinë e Atit të Shenjtë dhe të gjithë bashkësisë së krishterë, sa më pranë njerëzve, që vuajnë. Është prani, bashkim. Unë po shkoj për të parë, për të dëgjuar, për të mësuar e edhe për t’ua komunikuar solidaritetin tonë pikërisht njerëzve, që vuajnë”.

Çfarë ndjeni në këto çaste, kur përgatiteni për t’u nisur?

“Ndjej dhembshuri për njerëzit, që po shkoj t’i takoj e shpresoj edhe se do të mund t’ia çoj afërsinë e Papës secilit prej tyre”.

Gjithnjë dje Papa dënoi “mizoritë e kësaj lufte”. E në mjetet  e komunikimit qarkullon prej orësh fotografia e nënës së qëlluar për vdekje me të dy fëmijët e saj, tek portat e fshatit Irpin. Ju, si e gjykoni këtë?

“Simbol i një Kalvari. I jetëve të pafajshme të flijuara për synime krejtësisht çnjerëzore. Jemi në Kohën e Kreshmëve, e duhet të denoncojmë, por edhe të ndalohemi për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes, për ta pyetur veten nëse edhe ne, në një farë mënyre, kemi gisht në pamjet tragjike, që shihen tejet qartë nga të gjithë”.

Shtegtimi juaj do të përqendrohet mbi dramën e migrantëve dhe refugjatëve të Ukrainës. Si do ta shprehni dhembshurinë, që u çoni këtyre njerëzve, në emër të Papës?

“Posaçërisht me atë, të cilën unë e quaj sakramenti i pranisë, gjë që do të thotë t’u çosh fjalën e Ungjillit e edhe mbështetje konkrete. Jemi një delegacion  i vogël, që do të përpiqet ta shprehë gjithë këtë:  të transmetojë dëshirën për të mirëpritur, për të qenë pranë në vuajtje, për t’u dhuruar shpresë, atyre që detyrohen të ikin”.

Do të ketë edhe ndihma materiale?

“Po, shpresoj se do të mund të çoj edhe një ndihmë materiale”.

Lidhur me çështjen e refugjatëve, regjistrohet një problem mbi problem, domethënë, grumbullimi dhe mënjanimi që pësojnë afrikanët e aziatikët në vend. Ç’mund të bëhet për ta?

“Është një pikë tmerrësisht e dhimbshme e delikate. Vështirë, në këto çaste  të ngarkuara me tension, ta përballosh këtë çështje, që i ka rrënjët në paragjykime, në refuzime e moskuptime. Ne gjithsesi do të përpiqemi ta bëjmë duke lidhur përvojën e evropianëve me atë të aziatikëve dhe afrikanëve. E jo vetëm këtë…”.

Çfarë gjëje tjetër?

“Është edhe problemi i trafikut të njerëzve, dramë që vijon e sjell fitime në këto çaste krize e konfuzioni. Nuk është vetëm lufta, zhvendosja, por edhe njerëzit e ligështë, të kthyer në skllevër… Do të na duhet vëmendje e madhe e shqetësim i madh në misionin tonë për këtë problematikë”.

07 mars 2022, 15:14