Kërko

Meshtarë Meshtarë

Sinodi, letër për meshtarët: Kisha të jetë shtëpi mikpritëse

Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve dhe Prefekti i Kongregatës për Klerin u shkruajnë të gjithë meshtarëve të botës, duke i nxitur të vazhdojnë pa frikë dëgjimin e popullit të Zotit, të rrënjosur në Fjalën e Hyjit e duke lënë mënjanë vetëreferencimin, mosveprimin dhe intelektualizmin

R.SH. – Vatikan

         Një shtëpi mikpritëse, me dyer të hapura, e banuar nga Zoti dhe e gjallëruar nga marrëdhëniet vëllazërore: kjo është fytyra e vërtetë e Kishës, që propozon Papa përmes procesit sinodal. Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, kardinali Mario Grech dhe Prefekti i Kongregatës për Klerin, imzot Lazzaro You Heung-sik ua kujtojnë këtë në një letër gjithë meshtarëve të botës.

Të shmanget formalizmi, intelektualizmi dhe mosveprimi

Teksti ripohon nevojën urgjente për vëllazërim në botë, e cila, pavarësisht se nuk e kupton, ka etje për takimin me Krishtin. Mënyra më e mirë për ta rigjallëruar fenë, shkruhet në letër, është dëgjimi i Shpirtit Shenjt dhe i Popullit të Zotit. Vetëm kështu, çdo meshtar mund të gjejë udhë dhe mënyra të reja për kumtimin e Ungjillit. Vihen në dukje fjalët e Papës Françesku, i cili shpesh tërheq vëmendjen ndaj rrezikut të formalizmit, që e redukton Sinodin në një grumbull me parrulla boshe. Gjithashtu, Ati i Shenjtë është shprehur më se një herë kundër intelektualizmit, i cili e kthen Sinodin në një reflektim teorik mbi problemet, por ka kritikuar edhe mosveprimin, i cili e gozhdon Kishën në sigurinë e zakonit, të gjërave që janë bërë gjithmonë njëlloj, duke mos lejuar asnjë ndryshim.

19 mars 2022, 09:31