Kërko

Antenat e Radio Vatikanit Antenat e Radio Vatikanit

Radio Vatikani, më shumë valë të shkurtra drejt Ukrainës e Rusisë

Nga e hëna e ardhshme, Radioja e Papës do ta zgjerojë ofertën e saj në gjuhët e dy vendeve të Evropës Lindore. Menichetti: në këto kohë lufte, duam të përhapim në gjithë botën shpresën, fjalët e Papës dhe t’i interpretojmë faktet në dritën e Ungjillit

R.SH. – Vatikan

         Nga e hëna, 21 mars, Radio Vatikani do të intensifikojë transmetimet me valë të shkurtra në Ukrainë dhe Rusi. Përveç dy emisioneve të përditshme (pasditeve dhe mbrëmjeve) në të dyja gjuhët, shtohen edhe njëzet minuta në mëngjes si drejt Moskës, ashtu edhe drejt Kievit. “Vendimi - shpjegon përgjegjësi i Radio Vatikanit/Vatican News, Massimiliano Menichetti - u mor nga i gjithë ekipi drejtues i Dikasterit për Komunikimin, për t’iu përgjigjur më mirë misionit tonë, në këtë çast kur lufta është ndezur keqas: të çojmë në gjithë botën shpresën, fjalën e Papës dhe t’i interpretojmë faktet në dritën e Ungjillit.

         Javët e fundit, falë një rrjeti kontaktesh të drejtpërdrejta, që po mbështet edhe punën e korrespondentëve tanë, përpiqemi të ngushëllojmë sadopak ata, që vuajnë dhe të sigurojmë informacion të saktë. Frekuencat e Radio Vatikanit, faqet dhe postimet e Vatikanit News në 51 gjuhë (përfshirë anglishten dhe italishten në gjuhën e shenjave) synojnë të mos lënë askënd vetëm, edhe përmes forcës së lutjes”.

Si në luftën e Kosovës

         Kujtojmë se Radio Vatikani e pati marrë këtë vendim edhe gjatë luftës në Kosovë. I pati dhënë jetë emisionit “Speciale Balcani” prej një ore, gjysma e së cilës në italisht e gjysma në shqip. Program në orët e para të mbrëmjes, që u dëgjua nëpër kampet e refugjatëve kosovarë, duke u dhënë atyre sigurinë se ku ndodheshin të afërmit e tyre, emrat e të cilëve lexoheshin gjatë emisionit. Valë në të cilat u dëgjuan historitë e njerëzve, që kishin lënë shtëpi e katandi, për shkak të bombave, dëshmitë e vullnetarëve të Kishës, në ndihmë të të ikurve, histori nënash në kërkim të fëmijëve, për të transmetuar drejtpërdrejt edhe fundin e luftës.

Valët e emisioneve të reja

         Askush më tepër se shqiptarët nuk i kupton sot ukrainasit, por edhe rusët, të etur për informacion të saktë. Për këtë arsye, ja valët e shkurtra në të cilët ata mund të ndjekin emisionin, që do t’u kushtohet:

Deri më 26 mars (ora diellore)

Në gjuhën ruse, CET 06:00-06:20, UTC 05:00-05:20, 7260 kHz, 9715 kHz
Në gjuhën ukrainase, CET 06:20-06:40, UTC 05:20-05:40, 7260 kHz, 9715 kHz

Nga e diela, 27 mars (ora ligjore)
Në gjuhën ukrainase, CET 06:40-07:00,UTC 04:40-05:00,  7260 kHz, 9705 kHz
Në gjuhën ruse, CET 07:00-07:20, UTC 05:00-05:20, 7260 kHz, 9705 kHz

16 mars 2022, 17:06