“Predicate Evangelium”, shpallet Kushtetuta e re e Kuries
R. SH. - Vatikan
U shpall sot, në Solemnitetin e Shën Jozefit, Kushtetuta e re Apostolike e Kuries romake dhe shërbimi i saj ndaj Kishës e botës “Predicate evengelium”: do të hyjë në fuqi më 5 qershor, në Solemnitetin e Rrëshajëve. Fryt i një udhe të gjatë dëgjimi, nisur me Kongregacionet e përgjithshme, që i paraprinë Konklavit të vitit 2013, Kushtetuta e re, që zëvendëson “Pastor bonus” të Gjon Palit II, shpallur më 28 qershor 1988, në fuqi që nga 1 marsi 1989, është e përbërë nga 250 nene.
Të hënën e ardhshme, 21 mars, në orën 11.30, teksti do të paraqitet në Sallën e Shtypit nga kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve; imzot Marco Mellino, sekretar i Këshillit të Kardinajve dhe nga ati jezuit Gianfranco Ghirlanda, kanonist, profesor nderi i Universitetit Papnor Gregorian.
Teksti, siç e kujtuam, është fryt i një pune të gjatë, kolegjiale.