Kërko

Konflikti në Ukrainë Konflikti në Ukrainë 

Parolin: mjaft më me marrëzinë e luftës, nuk është kurrë vonë për marrëveshje.

Intervistë me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Parolin: “Jemi duke rënë përsëri në të kaluarën, në vend që të marrim guximin për të ecur drejt së ardhmes, një ardhmërie me bashkëjetesë paqësore. Për fat të keq, duhet pranuar se nuk qemë të zotët ta bëjmë këtë, pas rënies së Murit të Berlinit. Selia e Shenjtë është plotësisht e gatshme për çdo lloj ndërmjetësimi.

R. SH. - Vatikan

“Lufta është marrëzi, duhet ndalur”. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, duke dialoguar me mediat vatikanase mbi shkallëzimin e luftës në zemër të Evropës, pohon: “Duhet të kesh zemër guri, që të rrish duarkryq e të lejosh që kjo marrëzi të vijojë. Të vijojnë të derdhen lumenj gjaku e lotësh”.

Hirësi,  a mund të na  thoni së pari, përmbledhtas, cili është qëndrimi i  Selisë së Shenjtë lidhur me konfliktin në vijim?

“Qëndrimi i Selisë së Shenjtë është ai, që e ka përsëritur shumë herë Papa: një jo e fuqishme luftës, sepse është marrëzi e duhet ndalur! Kërkojmë, duke iu drejtuar ndërgjegjeve të të gjithëve, të pushojnë menjëherë luftimet. I kemi në sy pamjet e tmerrshme, që arrijnë nga Ukraina! Viktima ndërmjet civilëve, gra, pleq, fëmijë të pambrojtur, që e paguajnë me jetën e tyre çmendurinë e luftës. Thellohet ankthi, kur shikon qytete me shtëpi të rrënuara, pa energji elektrike, në temperatura nën zero, pa ushqim e pa ilaçe. E miliona refugjatë, shumica gra e fëmijë, në ikje nga bombat. Këto ditë pata rastin të takoj një grup, ardhur në Itali nga vise të ndryshme të Ukrainës: sy të shuar, fytyra që kanë harruar të qeshin, që dinë vetëm të trishtohen, pambarimisht... Po ç’faj kanë kanë këto nëna të gjora, ç’faj, fëmijët e tyre? Duhet të kesh zemër guri për të ndenjur me duar kryq, duke e soditur këtë marrëzi të vazhdueshme. Lufta është barbari! Është domethënëse që, në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 27 shkurtit, Ati i Shenjtë kujtoi nenin e 11-të të Kushtetutës italiane, që thotë: ‘Kush e do paqen, i kundërvihet luftës, parë si mjet që e fyen lirinë e popujve të tjerë e që përdoret  për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve’. Kush bën luftë, i beson logjikës djallëzore të armëve dhe e harron njerëzimin: sa shembuj kemi për t’i vërtettuar këto fjalë”.

Pse e vizitoi Papa, me një gjest të paparë e të padëgjuar, ambasadën  ruse, një ditë pas shpërthimit të sulmit të ushtrisë së Moskës kundër Ukrainës?

“Keni të drejtë që e quani këtë gjest të Papës  ‘të padëgjuar’. Papa deshi t’u tregonte Autoriteteve të Moskës gjithë shqetësimn e tij për shkallëzimin luftarak, që sapo kishte nisur. E vendosi të bëjë personalisht një hap, duke shkuar në përfaqësinë diplomatike të Federatës Ruse pranë Selisë së Shenjtë”.

Ju këto ditë patët një bisedë telefonike me Ministrin rus të Punëve të Jashtme Lavrov. Çfarë i thatë njëri-tjetrit?

“I përsërita thirrjen e Papës për ndalimin e menjëhershëm të zjarrit. Kërkova të marrin fund luftimet e të ecet në rrugën e bisedimeve, duke respektuar popullsinë civile dhe korridoret humanitare. Përsërita edhe  fjalët e Papës lidhur me gatishmërinë e plotë të Selisë së Shenjtë për çdo tip ndërmjetësimi, që mund të favorizojë paqen në Ukrainë”.

Pavarësisht nga thirrjet që të heshtin armët, jemi përballë shkallëzimit të mëtejshëm të luftës, e cila nuk po jep asnjë shenjë që tregon se e ka ndër mend të pushojë. Pse?

“Lufta është si kanceri, që rritet, shtrihet, vetëushqehet. Eshtë aventurë pa kthim, për të përdorë fjalët e Shën Gjon Palit II.  I vështirë, kthimi mbrapa. Po kjo nuk do të thotë të heqësh dorë nga nismat e paqes. Nuk duhet t’i dorëzohemi logjikës së dhunës e të urrejtjes. As logjikës së luftës, duke shuar çdo dritë shprese. Duhet t’i drejtojmë gjithë së bashku Zotit e njerëzve një britmë të fuqishme që të heshtin armët e të kthehet paqja. Siç po bën Papa”.

Bota ndryshoi krejtësisht në pak ditë:  tani flitet veç për riarmatosje, për shpenzime të reja ushtarake, për nevojën e kthimit tek centralet me  qymyr, duke e  harruar fare tranzicionin ekologjik…..

“Po, në pak ditë të duket se ka ndryshuar bota, bota jonë, e sapo vënë në provë të rëndë edhe nga pandemia. E kjo na kujton fjalët e shqiptuara nga Ati i Shenjtë në Hiroshimë, në nëntor 2019. Pati thënë se dëshiron përvujtërisht të jetë zë i atyre, që nuk u dëgjohet zëri e që i shikojnë me shqetësim e ankth tensionet në rritje, të cilat i trandin kohët tona, pabarazitë e papranueshme dhe padrejtësitë, që kërcënojnë bashkëjetesën njerëzore, paaftësinë për t’u kujdesur për shtëpinë e përbashkët,  garën e ethshme të armëve, sikur të ishin pikërisht këto të afta për të garantuar ardhmërinë me paqe! Hiroshima flet! “Vrima e zezë vijon t’i tregojë botës ç’janë në gjendje të bëjnë armët bërthamore! E ndjeva për detyrë të vija në këtë vend - i pati shpjeguar Bergoglio arsyet, që e shtynë të vizitojë memorialin e Paqes të Hiroshimës - si shtegtar i paqes, për t’u lutur, duke kujtuar viktimat e pafajshme të dhunës së verbër, duke mbartur në zemër edhe lutjen e shpresat e burrave dhe të grave të kohës sonë, posaçërisht të të rinjve, që dëshirojnë paqen, punojnë për paqen, flijohen për paqen! Erdha në këtë vend  plot me kujtime e ardhmëri,  duke sjellë me vete britmën e të varfërve, që janë gjithnjë viktimat më të pambrojtura të urrejtjes e të konflikteve”.

Cila mendoni se është udha, ku duhet ecur, larg asaj që parashikon zhdukjen e tjetrit?

“Doktrina shoqërore e Kishës e ka njohur gjithnjë të drejtën e ligjshme të luftës së armatosur përballë sulmeve. Po në këtë rast duhet ta pyesim veten: ‘A kemi bërë të pamundurën, që të heshtin armët? Thua nuk ka udhë tjetër, veç asaj të armëve?’. E kuptoj mirë se këto fjalë, përballë vrasjes së grave e fëmijëve, përballë miliona të shpërngulurve, mund të tingëllojnë si utopistike. Po paqja nuk është utopi. Duhen shpëtuar menjëherë shumë jetë njerëzore në rrezik! Prej këndej ndjehet nevoja e nismave politiko-diplomatike me frymëmarrje të gjerë, që arrijnë ta ndalojnë zjarrin e të sigurojnë fillimin e bisedimeve, për të gjetur rrugën e padhunshme. Selia e Shenjtë është gati të bëjë gjithë ç’është e mundur në këtë drejtim”.

Cili është roli i politikës? E roli i diplomacisë në këtë çast?

“Duke pohuar nevojën e nismave politiko-diplomatike e kisha fjalën pikërisht për nevojën e politikës e të diplomacisë. Po rrokullisemi në të kaluarën, në vend që të bëjmë hapa drejt së ardhmes, drejt bashkëjtesës paqësore. Duhet ta pranojmë se nuk qemë të zotët të ndërtojmë, pas rënies së Murit të Berlinit, një sisterm të ri bashkëjetese ndërmjet Kombeve, që të  shkonte përtej aleancave ushtarake ose leverdive ekonomike. Lufta, që vijon në Ukrainë, e nxjerr në pah këtë disfatë! Po do të desha të them edhe se  nuk është kurrë vonë për ta bërë paqen, për të vënë këmbët, ku vumë thembrat e për t’u marrë vesh”.

Roli i Kishave?

“Përballë rreziqeve, që na kërcënojnë, roli i të krishterëve është kryesisht të bëjnë kthesë. Dje - më njoftuan - në praninë e kardinalit Krajewski, i Dërguar i Veçantë i Papës në Ukrainë,  u kremtua një lutje ekumenike, në të cilën, para së gjithash,  iu kërkua Zotit ndjesë për zemrat tona të ngurta, për mëkatet tona, që ushqejnë të keqen në botë. E më pas, të mos harrojmë edhe të lutemi, që Zoti të na e dhurojë paqen, t’i shndrisë mendjet që bëjnë luftën e t’u kursehen vuajtjet njerëzve të pafajshëm. Kishat po japin një dëshmi të madhe solidariteti në ndihmë të refugjatëve. Besoj se është tejet i rëndësishëm edhe ngulmimi i tyre për t’i ulur armët e për t’u dhënë fund luftimeve: nuk mund të përligjen kurrë lufta, urrejtja, dhuna!”.

12 mars 2022, 15:14