Kërko

Paqe në Ukrainë, Parolin: lutja nuk është kurrë e kotë, ndryshon zemra e mendje

Në kremtimin për paqen në vendin e Evropës Lindore, mbërthyer nga lufta, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin nënvizon se lutja “mund të ndikojë edhe në situata të dëshpëruara për njeriun”

R.SH. – Vatikan

 Në meshën për paqen në Ukrainë, kryesuar në Bazilikën e Shën Pjetrit nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe anëtarëve të Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, kumbuan fjalët e Jezu Krishtit, thënë në Predikimin e tij mbi Mal: “Lum paqtuesit, sepse ata do të quhen bij të Hyjit”. Gjatë homelisë, kardinali Parolin theksoi se paqja “është karakteristikë e vetë Zotit”.

“Jemi këtu sonte - tha ai në kremtimin e pasdites së djeshme – që t’i lutemi Zotit për dhuratën e paqes në Ukrainë e që t’i kërkojmë Atij të ndihmojë çdo burrë dhe grua vullnetmirë për të qenë paqtues”. Duke cituar fjalët e Papës Françesku në Engjëllin e Tënzot të 6 marsit, Sekretari i Shtetit të Vatikanit kujtoi se drama, që po luhet në Ukrainë, “nuk është thjesht operacion ushtarak, por luftë, e cila mbjell vdekje, shkatërrim dhe mjerim”. Konflikt, shtoi ai, që mund të fitohet vërtet vetëm me lutje dhe paqe:

“Nëse jemi këtu e lutemi për paqen, e bëjmë, sepse jemi të bindur që lutja nuk është kurrë e kotë. Lutja mund të ndikojë edhe në situatat më të dëshpëruara për njeriun, e, sidomos, mund të ndryshojë zemrat dhe mendjet, sipas premtimit të Zotit, përmendur në librin e Ezekielit profet: ‘Unë do t'ju jap një zemër të re, do të vendos një shpirt të ri brenda jush, do t’ju heq zemrën prej guri dhe do t’ju jap një zemër prej mishi’ (36,26 )”.

“Ju lë paqen time”

Kardinali Parolin i ftoi të gjithë ta lejojnë Fjalën e Zotit t’i shndrisë, pasi vetëm paqja që na lë Jezu Krishti e vënia në jetë e gjithçkaje na mësoi, mund t’u japin fund vërtet luftrave në botë. Nëse do t’i përgjigjeshim ftesës së Zotit, vijoi kardinali, armët do të heshtnin, madje, askush nuk do t’i prodhonte më. Madhështia e Zotit “është në thelb shërbimi”: “paqja që Zoti na mëson, - vërejti Sekretari i Shtetit të Vatikanit - përbëhet nga marrëdhënie, në të cilat, në vend që të skllavërojmë dhe të luftojmë kundër njëri-tjetrit, i shërbejmë dhe jemi të dobishëm për njëri-tjetrin”. Kushtet për arritjen e paqes i ka përcaktuar shën Gjoni XXIII në enciklikën “Pacem in Terris”. Ato janë, citoi kardinali Parolin: “respektimi i jetës, prirja kah drejtësia, dashuria vëllazërore që nuk përdor dhunën, liria që përjashton çdo imponim mbytës”. E së fundi, përmendi fjalët e Krishtit në Darkën e Mbrame: “Ju lë paqen time”, që nuk është e njëjtë me paqen e botës:

“Prandaj paqja është trashëgimi e Tij, për këtë arsye dishepulli i Jezusit nuk e humb kurrë shpresën... Kush e do seriozisht paqen e Krishtit, kush ndër njëmijë pengesa e njëmijë kundërshtime dëshmon për Të, kush i kërkon Zotit çdo ditë në lutje të mbretërojë paqja e vërtetë, ai kontribuon frytshëm, sadopak, për ta bërë tokën më të mëshirshme dhe më njerëzore”.

17 mars 2022, 08:51