Kërko

Halebi (Siri) i shkatërruar nga lufta Halebi (Siri) i shkatërruar nga lufta

Kardinali Zenari: pas 11 vitesh, lufta në Siri, krejtësisht e harruar

Si sot, më 15 mars 2011, fillonte lufta në Siri. Një konflikt, që shkaktoi gjysmë milioni të vdekur. “Mos lejoni të vdesë shpresa” vazhdon të përsërisë nunci apostolik në Damask, kardinali Mario Zenari, i cili denoncon dhunën, varfërinë dhe braktisjen e vendit

R.SH. – Vatikan

         Shtëpi të shkatërruara, mungesë ushqimi, uji dhe ilaçesh, dhunë, grabitje, njerëz në arrati. Në Siri, pas 11 vitesh, konflikti nuk ka marrë fund, por për këtë luftë, ashtu si për shumë të tjera, pothuajse nuk flitet më. Ky vend, ku shumë qytete mbeten grumbuj rrënojash, mban zi për gjysmë milion njerëz të vdekur dhe ka mbi 11 milion e gjysmë të zhvendosur brenda dhe jashtë Sirisë. Sot, në përvjetorin e fillimit të konfliktit, në Damask nisi konferenca “Kisha, Shtëpia e Bamirësisë - Sinodaliteti dhe Koordinimi”, organizuar nga Kongregata për Kishat Lindore. Në qendër të punimeve, dëgjimi, dialogu, e ardhmja e bashkësive të krishtera, por edhe urgjencat e nevojat e këtij kombi të munduar. “Mos e lini shpresën të vdesë”: kjo, thirrja e nuncit apostolik në Damask, kardinalit Mario Zenari, ndërsa vendi del nga “radari i mediave”, duke hyrë në një lloj “harrese”.

Kriza më e madhe humanitare nga Lufta II Botërore

         Në një prononcim për Vatican News, kardinali nënvizon se kriza siriane u zëvendësua fillimisht nga ajo libaneze, pastaj nga pandemia e Covid-19 e tani, nga lufta në Ukrainë. Të rinjtë, denoncon ai, përpiqen të emigrojnë. “Kombi është pa të rinj, që kryesisht, janë të kualifikuar, pra, pa të ardhme. Ajo e Sirisë është e mbetet katastrofa më e madhe humanitare e shkaktuar nga njeriu, pas fundit të Luftës II Botërore. Ende nuk shihen shenja rindërtimi e rimëkëmbjeje ekonomike. Gjithashtu, sanskionet e rëndojnë edhe më shumë gjendjen. Procesi i paqes, ashtu siç parashikohet nga Rezoluta 2254 e OKB-së, mbetet i bllokuar. Vetëm varfëria ecën me hapa të mëdha përpara. Tani, njerëzit flasin për luftë ekonomike”.

Të krishterët ikin nga Siria

         Kardinali Zenari shpjegon se në Siri mungon buka e gojës e tani, me luftën në Ukrainë, edhe mielli. Konferenca kishtare, që filloi sot e do të vijojë deri më 17 mars, në praninë e kardinalit Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, do të përpiqet të programojë ndihmat, por është fjala për të ndarë vëllazërisht 5 bukët e 2 peshqit e Ungjillit. Dy të tretat e të krishterëve, nënvizon nunci apostolik në Damask, kanë ikur nga vendi, duke mos mundur kështu të japin kontributin e tyre në shoqërinë siriane, në të cilën bëjnë pjesë që prej 2000 vitesh. Janë ata, thekson kardinali, që ia mbajnë hapur Sirisë dritaren mbi pjesën tjetër të botës. “Për çdo familje të krishterë që emigron, kjo dritare mbyllet dalëngadalë”.

“Bota na ka harruar”

         E, edhe mediat botërore e kanë harruar Sirinë. “Deri para dy vitesh – deklaron kardinali Zenari - merrja telefonata nga vende të ndryshme të botës për intervista dhe informacione mbi konfliktin sirian. Tani telefoni nuk bie më. Kjo është një tjetër fatkeqësi e rëndë, që i ka rënë Sirisë. Ajo e harresës”. E pastaj, komenton lajmin mbi praninë e sirianëve ndër forcat ushtarake ruse në Ukrainë. “Diçka e ngjashme ndodhi edhe në Libi para disa vitesh: mercenarë sirianë luftonin në fronte të kundërta. Është një e keqe tjetër e luftës, e cila është fabrikë, që prodhon lloj-lloj të këqijash: viktima, fshatra e qytete të shkatërruara, refugjatë, dëmtime të strukturës shoqërore, prishje familjesh, dhunë, varfëri, mungesë pune, drogë, etj.. Shumë të rinj mbeten pa punë, mësojnë të përdorin armët dhe shkojnë në luftë për pak dollarë. “Sa e trishtueshme kur sheh se të njëjtat pamje rrëqethëse të dhimbjes në Siri, përsëriten në Ukrainë: lagje të shkatërruara, të vdekur, miliona refugjatë, përdorim armësh jokonvencionale si bombat thërrmuese, bombardime spitalesh dhe shkollash. Shihet e njëjta zbritje në ferr, që pamë në Siri”.

15 mars 2022, 17:09