Kërko

Konflikti në Ukrainë Konflikti në Ukrainë

Selia e Shenjtë: t’i pritet udha çdo lloj kërcënimi për luftë kundër Ukrainës

Imzot Janusz Urbanczyk, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit të përhershëm të OSBE-së, nënvizoi se “nuk duhen kursyer energjitë e mundësitë për të vijuar dialogun ndërkombëtar”

R.SH. - Vatikan

Vatikani dhe Papa Françesku vazhdojnë të ndjekin me shqetësim të thellë situatën në Ukrainë dhe përreth saj, sidomos pas shkallëzimit të tensionit, kohëve të fundit. Kështu deklaroi përfaqësuesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), imzot Janusz Urbanczyk, duke kujtuar fjalët e Papës para anëtarëve të Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, më 10 janar: “Besimi i ndërsjellë dhe gatishmëria për konfrontim paqësor duhet t’i frymëzojnë të gjitha palët e interesuara, për të gjetur zgjidhje të pranueshme dhe të qëndrueshme në Ukrainë”.

Në rrezik, siguria në Evropë

Përfaqësuesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OSBE theksoi se “nuk duhen kursyer energjitë dhe mundësitë për të vazhduar dialogun ndërkombëtar” dhe për “t’u dhënë fund tensioneve”. Ai kujtoi se ditët e javët e fundit, Papa ka folur disa herë për krizën në Ukrainë: “E ndjek me shqetësim – pohoi Françesku në Engjëllin e Tënzot të 23 janarit të kaluar – shkallëzimin e tensionit, që ka rrezik t’i japë një goditje të re paqes në Ukrainë dhe të vërë në diskutim sigurinë në kontinentin evropian, me pasoja edhe më gjerë”.

Lufta është çmenduri

Gjithnjë të dielën e 23 janarit, nënvizoi imzot Urbanczyk, Papa u bëri “një thirrje të zjarrtë gjithë njerëzve vullnetmirë, që t’i lartojnë lutje Zotit të Gjithëpushtetshëm, në mënyrë që çdo veprim dhe çdo nismë politike të jetë në shërbim të vëllazërimit njerëzor dhe jo të interesave të pjesshme”. “Të mos harrojmë: lufta është çmenduri”, pohoi Françesku në audiencën e përgjithshme të 9 shkurtit. Selia e Shenjtë, përfundoi imzot Urbanczyk, e konsideron themelore heshtimin e çdo aluzioni për luftë.

18 shkurt 2022, 11:35