Kërko

Pleqëria dhe frytet e saj: tema e Ditës Botёrore të gjyshërve e të të moshuarve

Dikasteri i Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën ka shpallur sot temën e zgjedhur nga Papa për Ditën e Dytë Botërore të Gjyshërve dhe të të Moshuarve, e cila do të kremtohet të dielën më 24 korrik për të kujtuar se gjyshërit e të moshuarit janë "vlerë dhe dhuratë si për shoqërinë, ashtu edhe për bashkësitë kishtare".

R.SH. - Vatikan

"Në pleqëri do të japin akoma fryte" (krh Ps 92,15). Tema e Ditës së dytë Botërore të Gjyshërve e të të Moshuarve, programuar për të dielën më 24 korrik 2022, u zgjodh nga Papa Françesku dhe u bë e njohur sot nga Dikasteri i Selisё sё Shenjtё për Laikët, Familjen dhe Jetën. Një temë kjo, që pasqyron mendimin e Françeskut për pleqërinë, kuptuar jo si "kohë për t’u tërhequr ", por si rrugë për t’u përshkuar, si "thirrje" për t’u ndjekur "që të mbushet boshllëku i krijuar nga mosmirënjohja", me të cilën rrethohet pleqëria.

Të moshuarit, figura për ndërtimin e shoqërive më të ndërgjegjshme

“Tema – thuhet në deklaratën e Dikasterit tё Vatikanit – synon të theksojë se gjyshërit dhe të moshuarit janë vlerë dhe dhuratë si për shoqërinë, ashtu edhe për komunitetet kishtare”. Një ftesë, kjo, për t'ua njohur rolin aktiv, në një kohë kur gjyshërit e të moshuarit mbahen shpesh mënjanë nga familjet dhe shoqëria e fytyrat e tyre bëhen emblemë e kulturës së përjashtimit e tё hedhjes, të cilën Papa na fton ta kundërshtojmë. "Përvoja e tyre e jetës dhe e fesё mund të kontribuojë, në fakt, në ndërtimin e shoqërive të vetëdijshme për rrënjët e tyre dhe të afta për të ëndërruar një të ardhme më solidare".

Pёr udhë me Sinodin

Në ftesën për promovimin e nismave, Dikasteri i Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën thekson thirrjen "për ta dëgjuar urtinë e viteve", e cila është veçanërisht domethënëse në kuadrin e rrugëtimit sinodal, që ka ndërmarrë Kisha. Një udhëtim, që nuk përjashton askënd, por ofron ura për t'u ndërtuar me ëndrra, me bashkёndarje, me dëgjim.

15 shkurt 2022, 13:38