Ukraina: forca e atij që beson në lutjen, për të dalë nga kriza
R.SH. - Vatikan
Në Kiev, ashtu si në qytetet larg nga fronti, jetohet me shqetësim, diskutohet, dëgjohet fjala ‘luftë’, ndonëse deri tani asgjë nuk ka ndryshuar në jetën e përditshme. Po frika është aty! E luftë do të thotë të shkosh në front. Do të thotë të dëgjosh mbi kokë fluturimin e avionëve ngarkuar me “vdekje”. E të kujtosh se Ukraina tashmë është e rrethuar me të gjitha llojet e armëve, se Kievi është ndonja njëqind kilometra larg kufirit e se mund të ndodhë çka pritet e çka nuk pritet.
Jurij Lifansé flet qetë-qetë, po në fjalët e tij fshihet frika e një populli, jeta e të cilit ndryshon çast për çast. Ai, drejtues i Bashkësisë së Shën Egjidit, në kryqytetin ukrainas, është i bindur se fjalën e fundit nuk do ta kenë armët, edhe pse “rusët i kanë detyruar të gjithë të reagojnë përballë një konflikti, që mund t’u marrë përsëri jetën mijëra vetëve, gjatë ushtrimit të një dhune çnjerëzore”. Në këto çaste dramatike Yra, siç e thërrasin familjarisht, e vlerëson shumë edhe qëndrimin e qeverisë së Ukrainës, që u kërkon të gjithëve “të rrinë të qetë, të vijojnë punën e të shpresojnë në paqen e në kërkimin e udhëve diplomatike”. “Problemi - shton - është se nuk dihet ende çka do të ndodhë e nuk mund të përgatitesh për asgjë”.
Tragjedia e të shpërngulurve
Lufta, pra, nuk do të jetë fjala e fundit. Fjalën e fundit do ta ketë lutja, prandaj në Kiev, në katedralen katolike latine të Shën Aleksandrit, më 26 janarin e kaluar Bashkësia e Shën Egjidit, duke iu përgjigjur thirrjes së Papës Françesku, kremtoi një takim të veçantë lutjeje, krysuar nga nunci apostolik në Ukrainë, imzot Vysvaldas Kulbokas, me pjesëmarrjen e kishave të ndryshme të krishtera e, sidomos, të një numri të madh të rinjsh. E po ashtu edhe më 20 shkurt, kur Bashkësia organizoi një mbrëmësore kryesuar nga ipeshkvi latin i Kievit, imzot Vitalij Krivickij. Fjala e parë do të jetë gjithnjë lutja - nënvizoi prelati - Ne u mblodhëm siç na ftoi Papa, si njerëz vullnetmirë, e kjo është formula ideale, sepse nuk njeh kufij, as konfesione, as kombe! I bashkon të gjithë: të pasur e të varfër, pleq e të rinj, të vetmuar e familjarë: të gjithë në një lutje të vetme për paqe e qetësi. Është çasti të ndalesh e të rimendosh për situatën, që po jeton!
Tragjedia e të shpërngulurve
Pas një muaj pa luftime, vijon të tregojë Yura, javën e fundit rifilluan, në përgatitje të fazës së njohjes së Republikave separatiste, aq sa rusët i transferuan gratë, pleqtë e fëmijët në trojet ruse, duke lënë aty vetëm burrat. “Familjet u ndanë, burrat e kanë të ndaluar të dalin nga të ashtuquajturat Republika. Largojnë që këtu vetëm gratë, fëmijët e pleqtë, duke i çuar mijëra kilometra larg, në Rusi, pa burrat e tyre, pa etërit, e pa bijtë. Kjo është tragjedi e madhe. E të mendosh se me bombardimet do të ketë një sulm të ri refugjatësh! “Në Ukrainë - vijon rrëfimin - janë një milion të shpërngulur të brendshëm, që u detyruan t’i braktisin shtëpitë e të gjejnë vend gjetiu. E me një dyndje të re, nuk e dimë as vetë si do të bëjmë, edhe pse kriza kaq e gjatë ekonomike do ta ligështojë edhe më shumë shoqërinë”.
Mësimi i madh i Papës Françesku
Mendimi i Yura-s shkon përtej, tek Papa Françeku, tek vëmendja e tij e vazhdueshme për Ukrainën, që nuk ka munguar kurrë, edhe kur pjesa tjetër e botës e pati harruar. Ai vijon të lutet e të tërheqë vëmendjen e mbarë botës mbi ne. Papa është një nga liderët e paktë, “që beson se lufta nuk është kurrë rrugëzgjidhje për konfliktet”. E ne shpresojmë se Papa mund ta ndihmojë botën për të kuptuar e do ta ndihmojë edhe më shumë lutja e propozuar prej Atit të Shenjtë, sepse nga lutja mund të burojë energjia, mund të lindin ide krijuese “për të gjetur rrugëdalje të papritura e të pamenduara”. Prandaj shpresojmë, sepse kemi parë luftëra, kemi parë qytete të bombarduara, kemi parë tmerre, ndaj askush nuk dëshiron që të përsëriten!