Kërko

2022.02.26 Beatificazione Granada Semeraro 2022.02.26 Beatificazione Granada Semeraro

Martirët e Granadës janë të Lum. Semeraro: gjaku i të krishterëve, farë e jetës së re

Në katedralen e qytetit të Andaluzisë u kremtua sot paradite Mesha për 16 meshtarë, seminaristë e laikë të vrarë “nga urrejtja për fenë” në vitin 1936, gjatë luftës civile në Spanjë. Ritin e kremtoi kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve që, në homeli, nënvizoi guximin e martirëve përballë vdekjes dhe besnikërinë e tyre, deri në fund të fundit, të mbështetur në besimin se po vdisnin për t’u ringjallur në jetën e pasosur.

R.SH. - Vatikan

“Nëse shenjtorët janë gjithnjë dhuratë, që Zoti i bën Kishës së tij, shenjtorët martirë, për të cilët liturgjia romake lëvdoi sot Atin qiellor, janë në mënyrë të veçantë”. Kështu u shpreh sot paradite, në katedralen e Granadës, kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, në homelinë e Meshës për lumnimin e Cayetano Giménez Martín dhe 15 shokëve të tij, martirizimin e të cilëve e njohu Papa me dekretin  e 29 nëntorit 2019.

U vranë nga urrejtja për fenë

Shenjtëria nuk është fitore njerëzore, por dhuratë, që na e bën Zoti” - pohoi prefekti Semeraro. “Martirët, që ne i nderojmë sot - shtoi - ashtu si shumë të tjerë të kësaj toke të mrekullueshme, e dëshmuan Krishtin duke duruar vuajtje të tmerrshme e duke përballuar me guxim edhe vdekjen, gjatë ngjarjeve të dhimbshme me karakter antikristian.

U vranë në Granadë, më 1936, gjatë luftës civile, kur Kisha “jetonte orën e kalvarit të vet, në ngjasim të atij të Krishtit. Nuk pranuan ta mohojnë fenë e tyre e shkuan njëri pas tjetrit trimërisht drejt vdekjes. Për t’u ngjitur sot në nderimet e Altarit. 16 Meshtarë, të vrarë për Krishtin e të lum nëpër Krishtin, Zotin tonë!

26 shkurt 2022, 17:22