Kërko

Imzot Paul Richard Gallagher në Bejrut Imzot Paul Richard Gallagher në Bejrut

Kriza libaneze, imzot Gallagher: gati për të mbështetur dialogun kombëtar

Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, në Bejrut, për të rifilluar dialogun ndërmjet palëve dhe për të shmangur shkallëzimin e krizës. Papa do të shkojë “së shpejti” në Liban, por ende nuk ka një datë të caktuar. Takimi me autoritetet më të larta civile dhe fjalimi në universitet. Çështja e pazgjidhur e refugjatëve palestinezë dhe sirianë.

R.SH. - Vatikan

Do të vijë apo jo? Duke iu përgjigjur pyetjeve për një vizitë të mundshme të Papës Françesku në Liban, Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, i la dje libanezët pa përgjigje e pa i shuar dyshimet. U tha se Ati i Shenjtë do ta mbajë premtimin dhe do të vijë në Liban “së shpejti”, duke shtuar se “gjithçka varet nga ç’kuptohet me fjalën ‘së shpejti’”. Trajtoi edhe çështjen e dialogut ndërmjet palëve, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe të tensioneve, të cilat vijojnë të përshkojnë Libanin, duke përvijuar një rol të mundshëm për Vatikanin. Në rastin e një kërkese, pohoi prelati, “Selia e Shenjtë do ta konsideronte seriozisht pjesëmarrjen dhe ndoshta edhe organizimin e një dialogu kombëtar ndërmjet libanezëve. Por kjo duhet të jetë fryt i një ftese, bërë nga të gjitha palët e përfshira në këtë gjendje”.

Programi i vizitës

 Në ditën e parë të vizitës së tij, që filloi më 31 janar e do të përfundojë më 4 shkurt, imzot Gallagher u takua me kreun e shtetit, Michel Aoun, kryetarin e parlamentit, Nabih Berry dhe me komandantin e ushtrisë, gjeneralin Joseph Aoun. Më pas, foli me pedagogët dhe me anëtarët e Këshillit stategjik të universitetit të Shën Jozefit. Sot, mbajti fjalën e hapjes, në simpoziumin me temë “Gjon Pali II dhe Libani-mesazh” në universitetin e Shpirtit Shenjt në Kaslik, pastaj, u takua me Patriarkun maronit dhe vizitoi qendrën e pritjes së Karitasit të Libanit.

Shqetësimi dhe afërsia e Papës për Libanin

“Ati i Shenjtë – u tha imzot Gallagher gazertarëve, pas takimeve të djeshme – më ka ngarkuar t’i transmetoj popullit libanez afërsinë dhe shqetësimin e tij… Në fjalimin e këtij viti para Trupit Diplomatik, Papa Françesku uroi që reformat e nevojshme dhe mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare ta ndihmojë Libanin të mbetet i fortë në identitetin e tij si model i bashkëjetesës paqësore dhe i vëllazërimit ndërmjet feve të ndryshme të pranishme. E në atë rast, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të vazhdojë t’i kushtojë vëmendje vendit, në udhën e ringjalljes.  Të shpresojmë që Libani të jetë shembull për një Lindje të Mesme pluraliste, tolerante dhe të larmishme, ku bashkësia e krishterë të japë kontributin e vet të ligjshëm”.

Libani duhet të mbetet projekt paqeje

Imzot Gallagher shprehu solidaritetin e Vatikanit me viktimat e shpërthimit të 4 gushtit 2020 në Bejrut e nënvizoi, me fjalët e shën Gjon Palit II, se Libani duhet të mbetet projekt paqeje, tokë tolerance dhe pluralizmi, megjithëse e ardhmja e vendit nuk është “e siguruar”. Bëri thirrje për kthimin e refugjatëve, pavarësisht se në disa zona nuk ekzistojnë ende kushtet për këtë. Kërkoi të punohet me bashkësinë ndërkombëtare për të zgjidhur çështje themelore edhe në rajon, si për shembull, “rindërtimin në Siri”, që ndikon fuqimisht edhe mbi gjendjen libaneze.

02 shkurt 2022, 15:01