Kardinali Turkson: kush mjekon të sëmurët, ia kushton duart mëshirës së Zotit
R. SH. - Vatikan
“Të tërhiqesh e të udhëhiqesh nga logjika e mëshirës së Zotit - vërejti kardinali - do të thotë të rikthehesh në zemrën e fesë së krishterë”. Kur provon mëshirën e Zotit, mëson të kesh mëshirë. Kardinali kujtoi kështu, Leximin e Parë nga Libri i Izaisë Profet, ku Ngushëllimi i Zotit i ngjet ngushëllimit të nënës:
“Ashtu si një nënë ngushëllon të birin, kështu do t’ju ngushëlloj edhe unë”.
Kardinali shpjegoi se fjala “ngushëllim” e “të ngushëllosh” kanë kuptimin “të inkurajosh, të nxitësh, të ngjallësh gëzim”.
“Ngushëllimi - vijoi kardinali Turkson - është shërbim që i bëhet njeriut, të cilit ngushëlluesi i dhuron praninë e vet. Atij, që kalon çaste të vështira, duke ndarë me të trishtimin e vetminë. E këtë e bën i frymëzuar nga vetë Zoti. Nga ai Zot, që në gjithë historinë bëhet i afërt me njerëzimin”.
Dëshmia e dashurisë së dhuruar
Dashuria që të jep Zoti, na kujton fragmentin e Ungjillit të sotëm, në të cilin rijetojmë takimin e Marisë me të kushërirën, Elizabetën, pas kumtit të Kryengjëllit Gabriel. Engjëlli i kish folur Marisë edhe për pritjen gazmore të Elizabetës, gruas që Zoti po e ngushëllonte në pleqëri me një foshnje të shumëdëshiruar. Duke i dhënë kështu një provë të gjithëpuhstetit të Tij. Vizita te Elizabeta flet vetë për dashurinë e Marisë ndaj kushërirës së motnuar, por është edhe pohim i fjalës së Engjëllit:
“Prej këndej shikojmë se Elizabeta qe dëshmitare për Marinë - pohoi kardinali Turkson - çka bëri Zoti për Elizabtën, tani e bën për Marinë, e Maria e lavdëron atë të Lumin, duke i lartuar himnin e madhërimit, Magnificat”.
Duart e punonjësve të shëndetësisë, shenjë e mëshirës së Zotit
Prej breznie në brezi shtrihet mëshira e Zotit - kujtoi Hirësia e Tij - e ne e kremtojmë sot, ashtu si e kremtojnë barinj e besimtarë, duke përmendur emrin e Zotit për të vajuar të sëmurët”. Kështu ndër spitale, në shtëpitë e pleqve, në strehë të ndryshme e në të gjitha vendet, ku mjekohen njerëzit e ligshtë. Në këto vende, të jesh i mëshirshëm “merr një kuptim krejt të veçantë për të gjithë punonjësit e shëndetësisë, të cilët Papa i kujton me fjalët:
“Duart tuaja, që prekin korpin e vuajtur të Krishtit, mund të jenë shenjë e duarve mëshirëmëdha të Atit”.
Mëshira është Balsami i jetës - theksoi akoma kardinali - E për virtyt të Shpirtit Shenjt ne mund të bëhemi balsam jete për të tjerët.
Kardinali e përfundoi homelinë me sytë e risjellë kah Lurda ku,“duke i shëruar të sëmurët nga sëmundjet e varrët e korpit, Virgjëra Mari i bën të parashijojnë shëlbimin, që dhuron i Biri”.