Kërko

Fedeli in preghiera Fedeli in preghiera

Duan fundin e botës? Çlirona, o Zot, nga e keqja!

Përballë dhunës prepotente të luftës, popullsive të pataksura të mbarë botës, nuk na mbetet tjetër, veçse të lutemi e ta ndihmojmë atë, që vuan. Bota është e tronditur dhe e tmerruar nga marrëzia e një koflikti, që mund të bëhet gjithnjë më i madh. Nuk mund të rrimë indiferentë!

R.SH. - Vatikan

Nuk na mbetet tjetër, veçse të lutemi. Përballë dhunës së padëgjuar e prepotente të luftës, përballë makthit të një mënxyre më të madhe e shkatrrimtare, përballë marrëzisë e mungesës së plotë të arsyes, që po e bëjnë të dridhet mbarë botën, nuk na mbetet tjetër, veçse t’i lutemi Zotit.   Lajmet nga Ukraina përhapen në mbarë globin, duke  shkaktuar ankth e tmerr, mosbesim e frikë. Ndokush nis e flet për shenja apokaliptike:  pandemia, ndryshimet klimatike, lufta… Fundi i botës!? Të tjerë kujtojnë si nisi Lufta II Botërore: Anschluss, Sudetet, Polonia… E ç’mund të bëjmë përballë misterit të së keqes? Mundemi vetëm të lartojnë sytë drejt qiellit e të lutemi!

Lufta, pas pandemisë: kërcënim për njerëzimin

Të lutemi e ta ndihmojmë njeriun që vuan! Karitaset janë në vijë të parë të frontit. Mund të mendojmë për fëmijët, për nënat, baballarët, gjyshërit, burrat e gratë e trojeve ukrainase, që tani janë shumë pranë nesh. Kërkojnë ndihmë. Solidaritet. Jemi me ta, si ata. Sot vuajnë ukrainasit, nesër… kush e di! Nuk mund të qëndrojmë indiferentë. Janë vëllezërit e motrat tona. Janë ne!

Kë duan të pushtojnë? Kë, të shkatërrojnë? Me çfarë justifikimesh të trilluara? Nuk mund të besojmë se ka njerëz aq të çmendur, sa të rrezikojnë mbarë botën veç për t’i shtuar një thërrimëz pushtet, pushtetit të tyre. Pushteti i kësaj bote kalon shumë shpejt. E, pas tij, vjen gjyqi i Tënzot. Po historia na mëson se në këto raste, shpesh, arrin i pari gjyqi njerëzor.

Popujt mund të rebelohen kundër luftërave të pushtetarëve

Ushtarët shkojnë në luftë. Binden. Vrasin e vriten. E për çka? Për një copëz toke, që josh ndonjë nga sundimtarët. A rebelohet ndokush e nuk e pranon urdhërin për të vrarë njerëzit e pafajshëm? A rebelohet, e nuk e zbaton urdhërin për të nisur bombardimin  e egër, që vret njerëz pa bërë asnjë dallim? Apo janë të gjithë krenarë, kur i nënshtrojnë më të vegjlit? Përballë këtyre ngjarjeve njeriu ndjehet fare i pafuqishëm. Pa fjalë. Nuk i mbetet tjetër, veçse të lutet. E të ndihmojë kë e si të mundet. Të gjithë po lutemi. Të gjithë po ngremë zërin tonë të ligshtë kah Zoti. Mund të luten edhe ata, që nuk besojnë. Mjafton një ndjet i mirë. Zoti e dëgjon britmën e të gjitha krijesave të veta. Duhet të jemi të gjithë bashkë në këto orë ogurzeza. Duke u lutur një goje e një zemre: “Çlirona, o Zot, nga i keqi!”.

25 shkurt 2022, 11:11