Kërko

Papa Françesku takohet me Sekretarinë e Sinodit të Ipeshkvijve (tetor 2021) Papa Françesku takohet me Sekretarinë e Sinodit të Ipeshkvijve (tetor 2021)

Bilanci i parë i procesit sinodal: sfida e dinamizëm

Më 26 janar, u mblodh Këshilli XV i zakonshëm i Sinodit të Ipeshkvijve për të verifikuar hapat e bëra që nga tetori i kaluar, kur e gjithë Kisha nisi udhën e saj sinodale. Risia e këtij sinodi, që do të mbahet gjatë tri viteve, ka sjellë “gëzim të madh”, por u duhet bërë ballë pasigurive, prandaj ndihet nevoja që t’i jepet më shumë kohë çdo të pagëzuari për ta bërë të vetin këtë itinerar

R.SH. – Vatikan

Këshilli XV i zakonshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, mbledhur më 26 janar, tre muaj pas fillimit të procesit sinodal, shpreh gëzimin e gjithë Kishës për udhën e nisur, por edhe nevojën për të përballuar pasiguritë e sfidat, që e shoqërojnë. Komunikata, e cila u bë e njohur sot (7 shkurt 2022), përmbledh argumentet e trajtuara, rezultat i rreth 15 takimeve online në të gjithë botën, organizuar ndërmjet nëntorit e dhjetorit të vitit të kaluar. Kujtojmë se pas përurimit nga ana e Papës, më 9 e 10 tetor në Vatikan, më 17 tetor, Sinodi ka hyrë në fazën e tij dioqezane. Në qendër, konsultimi me popullin e Zotit.

Entuziazëm dhe nisma, që japin shpresë

 Vërehet entuziazëm ndërmjet besimtarëve, që po vënë në jetë një sërë nismash për të reflektuar mbi udhën e Kishës, nënvizojnë ipeshkvijtë. Shenjë shprese e vepër e Shpirtit Shenjt, që po dikon risi në gjithë botën. Procesi sinodal ka filluar me entuziazëm sidomos në Afrikë, në Amerikën Latine e në Azi, ku është vlerësuar edhe zgjatja e fazës, gjatë së cilës do të dëgjohet Populli i Zotit. Ajo do të vazhdojë deri në gusht 2022 e jo më deri në prill, siç ishte parashikuar fillimisht.  

Kontributi ekumenik dhe ndërfetar

Këshilli njofton se dokumentet e Sinodit janë pritur mirë edhe nga Kishat e tjera të krishtera e nga përfaqësuesit e feve të tjera, duke vlerësuar kështu, përmasën e tyre ekumenike e ndërfetare. Ndihet dëshira për të kontribuar në udhën sinodale të katolikëve, sidomos aty ku ata nuk përbëjnë shumicën e popullsisë.

Rrjetet shoqërore dhe faqet e internetit për Sinodin

Edhe komunikimi po merr rëndësi të madhe në procesin sinodal. Në dioqeza e në konferenca të ndryshme ipeshkvnore po lindin çdo ditë faqe në internet e në rrjetet shoqërore për të treguar ç’po ndodh në nivelin lokal. Pikë referimi mbetet faqja zyrtare si synod.va, por edhe synodresources.org, ku pasqyrohet përvoja në nivelin vendor, si edhe faqja e internetit, që ndihmon besimtarët të luten për Sinodin, prayforthesynod.va, realizuar në bashkëpunim me Rrjetin Botëror të Lutjes së Papës dhe me Bashkimin Ndërkombëtar të Eprorëve të Përgjithshëm.

Vështirësitë e sfidat: dëgjimi, të rinjtë, vetëreferimi

Ndër sfidat, Këshilli i Ipeshkvijve vë në dukje një lloj frike nga ana e klerit, si edhe mosbesimin nga ana e laikëve, të cilët, nganjëherë, mendojnë se kontributi i tyre nuk do të merret parasysh. Për të mos folur për vështirësitë e shkaktuara nga pandemia, që pengon kontaktin e drejtpërdrejtë ndërmjet njerëzve. Në komunikatë rreshtohen edhe sfida të tjera si: nevoja për formim, veçanërisht përsa i përket dëgjimit e reflektimit; rreziku që çdo grup t’i referohet vetëm vetvetes e jo gjithë Kishës; rritja e pjesëmarrjes së të rinjve; përfshirja e njerëzve, që jetojnë të mënjanuar nga institucionet kishtare e, së fundi, çorientimi i shprehur nga një pjesë e klerit.

Reflektimi në nivelin lokal të vijojë deri në fund të Sinodit

Përfundimisht, shpjegon Këshilli, shihet qartë se procesi sinodal do të jetë i gjatë e do të kërkojë kohë. Prandaj, propozohet që reflektimi në nivelin lokal të vijojë gjatë gjithë harkut 3-vjeçar të Sinodit e, edhe më tej, për ta bërë përmasën sinodale themelore në Kishë. Gjithashtu, raporti përfundimtar i çdo dioqeze e konference ipeshkvnore të jetë fryt i një procesi shpirtëror dhe i punës së përbashkët, përfundojnë ipeshkvijtë.

07 shkurt 2022, 12:47