Kërko

Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve 2022 Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve 2022

Të lutemi për bashkimin, të lutemi për Sinodin

Në prag të Javës së Lutjes për bashkimin e të krishterëve 2022, në program nga 18 deri më 25 janar, kardinajtë Mario Grech dhe Kurt Koch i ftojnë gjithë të krishterët të luten për unitetin dhe të vazhdojnë të ecin së bashku

R.SH. - Vatikan

Në një letër të përbashkët, dërguar të gjithë ipeshkvijve të impenjuar në fushën ekumenike, Sekretari i përgjithshëm i Sinodit të ipeshkvijve, kardinali Mario Grech dhe kreu i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, kardinali Kurt Koch, nxisin të vihet në jetë përmasa ekumenike e procesit sinodal: “Si sinodaliteti, ashtu edhe ekumenizmi – shkruajnë ata – janë procese për të ecur së bashku”. Një nga dhuratat, që katolikët mund të marrin nga të krishterët e tjerë, është “përvoja e tyre dhe mënyra si e kuptojnë ata sinodalitetin”.

Si Mbretërit Dijetarë

Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve 2022, përqendruar në temën “Në Lindje pamë të dukej ylli i Tij e erdhëm ta adhurojmë”, është rast i përshtatshëm “për t’u lutur me gjithë të krishterët që Sinodi të promovojë bashkimin”. “Si Mbretërit Dijetarë, edhe të krishterët ecin së bashku, të udhëhequr nga e njëjta dritë qiellore e duke takuar të njëjtat hije të errta në botë”. “Edhe ata – lexohet në letër – janë të thirrur ta adhurojnë së bashku Jezu Krishtin e të hapin thesaret e tyre. Të vetëdijshëm se kemi nevojë për shoqërim e se vëllezërit e motrat tona në Krishtin kanë shumë cilësi të mira, i ftojmë të ecim së bashku me ne gjatë këtyre dy viteve. Shpresojmë sinqerisht që ‘duke hapur thesaret tona’ të mund të ndajmë me ta dhuratat, që Shpirti Shenjtë u jep bashkësive të ndryshme të krishtera”. Letra përfundon me lutjen: “O Atë Qiellor, ashtu si Mbretërit Dijetarë, që udhëtuan drejt Betlehemit të udhëhequr nga ylli, ashtu edhe drita jote qiellore, udhëheqtë Kishën Katolike”.

17 janar 2022, 16:24