Kërko

Papa: të krishterët, në pluralizmin e traditave, në rrugën drejt unitetit

Papa: “Ashtu si Dijetarët e lindjes, të cilët erdhën nga Lindja në Betlehem për të nderuar Mesinë Mbret, edhe ne të krishterët, në shumëllojshmërinë e rrëfimeve dhe tё traditave tona, jemi në rrugën drejt unitetit të plotë. #TёlutemisëBashku dhe tё mbajmë shikimin të fiksuar te Jezusi, Zoti ynë i vetëm. #UnitetiitëKrishterëve”.

R.SH. - Vatikan

Ashtu si Dijetarët e lindjes, të cilët erdhën nga Lindja në Betlehem për të nderuar Mesinë Mbret, edhe ne të krishterët, në shumëllojshmërinë e rrëfimeve dhe tё traditave tona, jemi në rrugën drejt unitetit të plotë. #TёlutemisëBashku dhe tё mbajmë shikimin të fiksuar te Jezusi, Zoti ynë i vetëm. #UnitetiitëKrishterëve”. Kёshtu pohon Papa nё njё tweet, sot mё 18 janar 2022, nё ditёn e parёt tё Javёs sё pёrvitshme tё Lutjes pёr Bashkimin e tё krishtёrve.

Kërkimi i bashkimit të plotë të të krishterëve është përparësi e Kishës

Të ecim së bashku, të lutemi, ta njohim e ta duam Zotin, duke bashkëpunuar së bashku në shërbim e në solidaritet me të varfrit, të ligshtit, të vuajturit. Këtë kërkon Papa në letrën, dorëzuar pjesëmarrësve të Mbledhjes Plenare të Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, që u mbajt, në Vatikan mё 21 nёntor 2014, me temë: “Caku i ekumenizmit; parime, mundësi e sfida, 50 vjet pas Unitatis Redintegratio”. Në fjalët e Papës u theksua ftesa për ta vlerësuar e për ta njohur edhe ekumenizmin e gjakut, domethënë, dëshminë e atyre, që e ndjekin Krishtin deri në flijimin e jetës.

Kërkimi i bashkimit të plotë të të krishterëve, mbetet detyrë e radhës së parë për Kishën katolike. Mbi të gjitha, ky bashkim është dhuratë e Zotit e vepër e Shpirtit Shenjt, pa harruar se të gjithë jemi të thirrur të bashkëpunojmë përherë e në çdo rrethanë. Kështu e porositi Papa Plenaren e Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, nё vitin 2015 me rastin e 50-vjetorit tё dekretit të rëndësishëm konciliar “Unitatis Redintegratio”.

 Françesku vuri theksin mbi ndryshimin e thellë të mendësisë, realizuar falë këtij teksti, ashtu si dhe mësimeve të Koncilit II të Vatikanit, por i ftoi edhe shoqatat, lëvizjet e institutet e jetës rregulltare, të angazhohen më shumë në këtë kohë, për ta vënë në jetë lutjen e Jezusit drejtuar Atit në prag të mundimeve: “Që të gjithë të jemi një gjë e vetme”: “Ndërsa falënderojmë Zotin, duhet ta pranojmë se ne, të krishterët, jemi ende të ndarë e se divergjencat mbi temat antropologjike dhe etike e bëjnë më të ngatërruar rrugën tonë drejt unitetit. Gjithsesi nuk duhet të shkurajohemi e as të dorëzohemi para vështirësive, por duhet të besojmë në Zotin, që hedh në zemër të të krishterëve farë dashurie e bashkimi, për t’i përballuar me zell të ri sfidat ekumenike të kohëve tona: për të kultivuar ekumenizmin shpirtëror, për të vlerësuar ekumenizmin e gjakut, për të ecur së bashku në udhën e Ungjillit”.

18 janar 2022, 15:33