Kërko

Në Ukrainë Në Ukrainë 

Koch: frikë për Ukrainën, lufta nuk është kurrë rrugëzgjidhje

Në përfundim të Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, kryetari i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve kujton Lindjen e Mesme e besimtarët e saj, “që jetojnë në errësirë të dendur”, duke ripohuar vlerën dhe forcën e lutjes në situata të tilla të vështira.

R. SH. - Vatikan

Ekumenizmi si rrugë e paqes, lutja si mbështetje kundër rreziqeve të jetës, frika nga erërat e luftës që fryjnë në Ukrainë dhe thellimi i antisemitizmit  në vende të ndryshme të botës. Të shumta, temat, që trajton kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të krishterëve, në dialogun me Vatican News, pak ditë pas përfundimit të Javës së lutjes  për bashkimin e të krishterëve, kremtuar nga 18 deri më 25 janari, me moton “Pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm ta adhurojmë”

Në përfundim të Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve Papa, në homelinë e mbajtur gjatë Mbrëmësores së dytë, ftoi për kapërcimin e paragjykimeve e për të mos u trembur nga risitë. Ç’ të reja pati sivjet, kjo Javë, sipas Jush?

“Mendoj se ishin posaçërisht dy gjëra. E para ka të bëjë me moton e kësaj Jave lutjeje, shkëputur nga Mateu Ungjilltar. Në kapitullin e dytë  flitet për ardhjen e Mbretërve në grazhdin e Betlehemit: kjo tregon se edhe ne, të krishterët, jemi gjithnjë për udhë drejt grazhdit e duhet ta gjejmë unitetin  në adhurimin e misterit të një Zoti, që u bë njeri. E dyta, motoja që na propozoi Këshilli i Kishave mesdhetare. Këta të krishterë jetojnë në një atmosferë të errët, posaçërisht nëse mendojmë për Libanin. Ndaj edhe  u kujtuan të parët në lutje, pikërisht sepse jetojnë në zgrip të jetës”.

Me shikimin drejtuar nga Libani, por - për shembull - edhe nga Ukraina, të mërkurën e kaluar Papa caktoi edhe ditën e lutjes për paqen në këtë vend. Në ç’mënyrë ndihmon dialogu ekumenik për kërkimin e kësaj paqeje kaq të dëshiruar?

“Në radhë të parë, propozimi i Atit të Shenjtë lidhur me një ditë  lujtjeje për paqen në Ukrainë ishte tejet i rëndësishëm, sepse paqja është gjithnjë dhuratë e, njëkohësisht, edhe sfidë, e kërkon nga ne të lutemi së bashku për të. Pastaj gjithë të kishterët mendojnë se lufta  nuk duhet parë kurrë si rrugëzgjidhje: lufta mbetet gjithnjë fund i të gjitha përpjekjeve njerëzore,  e edhe diplomatike. E kjo është ndihmë e madhe”.

Pas Javës së lutjes, dje ishte Dita e Kujtimit të Shoah. Këshilli Papnor për Dialogun ndërfetar dialogon edhe me hebrenjtë. Ç’rëndësi ka kjo ditë, sipas  mendimit  Tuaj?

“Para Javës për Bashkimin e të Krishterëve, më 17 janar ishte Dita e hebraizmit e unë jam shumë i kënaqur që kjo ditë kremtohet, sidomos në Itali,  mbasi na kujton se themeli i krishterimit është pikërish hebraizmi, se në të i kemi rrënjët. Jam i bindur se po ta dinin këtë gjithë të krishterët,  do të ishin më të gatshëm për të arritur unitetin. E pastaj, më 27 janar ishte përkujtimi i Holokaustit, kësaj tragjedie të përbindshme në Evropë. Përkujtimi i kësaj gjëme njerëzore ka shumë rëndësi për shoqërinë e sotme, duke pasur parasysh thellimin e prirjeve antisemite në shoqërinë tonë, posaçërisht në Gjermani. Në këtë kohë është themelore të përsërisim  atë, që Papa Françesku na e kujton vazhdimisht: është absolutisht e pamundur të jesh i krishterë, e njëkohësisht, antisemit”.

29 janar 2022, 12:34