Kërko

Takimi i Papës me Trupin Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë për shkëmbimin e urimeve të Vitit të Ri. Dekani Georges Poulides i shtrëngon dorën Papës Takimi i Papës me Trupin Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë për shkëmbimin e urimeve të Vitit të Ri. Dekani Georges Poulides i shtrëngon dorën Papës

Dekani Poulides falënderon Papën Françesku për impenjimin gjatë vitit 2021

Në takimin e Papës Françesku me Trupin Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë për shkëmbimin e urimeve të Vitit të Ri, dekani Georges Poulides, ambasador i Qipros, vuri në dukje impenjimin e Atit të Shenjtë gjatë vitit 2021 në kapërcimin e pandemisë, në mbrojtjen e ambientit, në mikrpitjen e emigrantëve, në arritjen e paqes e të vëllazërimit në botë

R.SH. - Vatikan

Sot, 10 janar 2022, Papa Françesku u takua me Trupin Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, për të shkëmbyer urimet e Vitit të Ri, në një kuadër ndërkombëtar, që ndikohet fuqishëm nga pandemia e koronavirusit dhe nga tensionet në rritje.

 Pikërisht në këtë kuadër, të gjitha vendet e globit, të vogla a të mëdha qofshin, i dëgjojnë me vëmendje fjalët e Atit të Shenjtë, sidomos ato të enciklikave të tij “Laudato si’” dhe “Fratelli tutti”, por ndjekin me interes të madh edhe veprimtarinë diplomatike vatikanase. Kjo shihet qartë nga ecejaket e vazhdueshme të krerëve të shteteve e të qeverive në Pallatin Apostolik, që vlerësojnë sidomos ndërmjetësimin vatikanas në problemet shumëpalëshe, shpesh, i domosdoshëm për zgjidhjen e drejtë të konflikteve. E pikërisht, këto dy enciklika u përmendën nga dekani i Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, që përshëndeti Papën Françesku, në emër të të gjitha vendeve. Ashtu si vitin e kaluar, ky nder i takoi ambasadorit të Qipros, Georges Poulides. E pranishme, edhe e ngarkuara me punë në ambasadën e Shqipërisë në Vatikan, zonja Majlinda Dodaj.

Pandemia: askush nuk shpëton i vetëm

Që në fillim, Georges Poulides vuri në dukje impenjimin e Papës Françesku gjatë vitit 2021, akoma nën pandeminë e koronavirusit, nga e cila, - përsëriti me çdo mënyrë të mundshme - askush nuk mund të shpëtojë i vetëm, pa të tjerët.  Sipas ambasadorit qipriot, paqja, dialogu, mbrojtja e ambientit dhe e njerëzve më të brishtë të shoqërisë, janë fushat e veprimit të Atit të Shenjtë, të cilat janë ndjekur me vëmendje nga të gjithë.

Vendet, që kanë marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë

Kujtojmë se me Papën Françesku, vendet që kanë marrëdhënie dypalëshe me Selinë e Shenjtë kanë arritur në 183 (plus Bashkimi Evropian dhe Urdhëri i Maltës). Shtetet e fundit, që kanë lidhur marrëdhënie të plota me të janë Sudani i Jugut, në vitin 2013, Mauritania (2016) dhe Mianmari (2017). Ia vlen të përmendet se në 1900-ën, këto vende ishin rreth 20, për t’u bërë 49 në qershor 1963, 89 në gusht 1978 e 174, në vitin 2005. Me Papën aktual të nderit Benedikti XVI, arritën në 180.

“Fratelli tutti”, revolucioni i vëllazërimit

E të gjitha këto vende, nënvizoi sot ambasadori Poulides, i shohin me shpresë idetë e Papës Françesku, shprehur në enciklikat e tij të fundit. Në “Fratelli tutti”, kërkohen zgjidhje të reja për të ndryshuar stilin aktual të jetesës, vuri në dukje dekani i Trupit Diplomatik, duke i kujtuar Papës “revolucionin” e thellë të vëllazërimit, kërkuar prej tij. Në të, të gjithë mund të jenë protagonistë, si individët, ashtu edhe shtetet.

Kujdesi për shtëpinë e përbashkët

 Më pas, ambasadori i Qipros përmendi impenjimin e Françeskut në mbrojtjen e Shtëpisë së përbashkët, jo vetëm përmes enciklikës “Laudato si’”, por edhe përmes mesazheve e pjesëmarrjes vatikanase në konferencën për klimën Cop26, përmes përfshirjes së autoriteteve të feve të tjera në angazhimin e përbashkët për ambientin e për një ekologji të gjithanshme.

“Atë i Shenjtë – nënvizoi ambasadori Poulides – Ju kërkoni një ndryshim urgjent të udhës, për të kaluar kështu, nga ‘kultura e hedhurinave’ në një ‘kulturë kujdesi për shtëpinë e përbashkët’, pasi të rinjtë ‘nuk do të kenë një planet të ndryshëm nga ai, që u lëmë… Kjo është koha për vendime, që u japin atyre arsye për të besuar në të ardhmen’”.

Tre drejtime për paqen

Dekani kujtoi edhe Paktin Edukativ Global, pra, impenjimin personal të secilit për ndërtimin e një bote në paqe, sipas tre drejtimeve, përcaktuar mirë nga Papa: “nxitja e dialogut ndërmjet brezave, duke realizuar projekte të përbashkëta; promovimi i edukimit si faktor lirie, përgjegjësie dhe zhvillimi; garantimi i kushteve të punës, që realizojnë dinjitetin njerëzor”, siç shkruan Ati i Shenjtë në Mesazhin për Ditën e 55-të Botërore të Paqes, që u kremtua më 1 janar.

Ambasadori Poulides kujtoi më pas, udhëtimet apostolike të Françeskut gjatë vitit të kaluar, si ai në Sllovaki, ku mbrojti dinjitetin dhe të drejtën për punë. “Ju – nënvizoi Dekani – ftoni të ndërtohen shoqëri të drejta e solidare, bazuar mbi punën, që ‘askush të mos ndihet i mënjanuar dhe i detyruar ta lërë familjen e tokën e origjinës, në kërkim të një fati më të mirë’. Aty ku këto kushte ende duhen krijuar, është e nevojshme që bota të mos i kthejë sytë nga ana tjetër”.

Integrimi i migrantëve, dialogu ndërfetar

Në Qipro e në Greqi, Ati i Shenjtë bëri thirrje për integrimin e migrantëve, për rëndësinë e mikpritjes së tyre, pasi kur flitet për migrantë e refugjatë, flitet për jetë njerëzore e “kur të varfërit kthehen mbrapsht, kthehet mbrapsht paqja”.

Paqja e dialogu, në qendër të udhëtimit në Irak, ku Papa Françesku theksoi edhe një herë rëndësinë e vëllazërimit ndërmjet popujve, sipas temave të Deklaratës së Abu Dabit, nënshkruar së bashku me Imamin e Madh të Al-Azharit. Po në Irak, kujtoi ambasadori Poulides, Papa foli edhe në favor të vlerësimit të rolit të grave e të dinjitetit të tyre. “Duhet të luftojmë për dinjitetin e grave – pati thënë më 8 mars në Irak – janë ato, që çojnë përpara historinë”.

Guximi për të mos i lënë popujt vetëm

Dekani i Trupit Diplomatik në Selisë e Shenjtë e përfundoi fjalën e tij, duke kujtuar fjalët e Papës në takimin e shën Egjidit, në Koloseum të Romës, më 7 tetor 2021. Në atë rast, Ati i Shenjtë kërkoi që jeta e popujve të mos reduktohet në lojë pushteti. “Janë fjalë – tha ambasadori qipriot – që e frymëzojnë shërbimin Tuaj, por edhe veprimin tonë si diplomatë e familje diplomatike. Duam të kemi guximin Tuaj, duke dëshmuar se jeta e popujve është diçka serioze e na takon të gjithëve… Faleminderit Atë i Shenjtë për veprën tuaj të palodhur, për shpresën, që u jepni shumë popujve, shumë grave e burrave”.

10 janar 2022, 12:14