Shpella e Betlehemit, dëshmi e fesë në artin e shekujve
R.SH. - Vatikan
Teologji, burime letrare zyrtare e devocionale, tradita fetare e popullore: janë elemente, që i shikojmë të pasqyruara në një mori veprash artistike kushtuar Krishtlindjes. Ngjarja historike e mishërimit të Fjalës, misterit themelor të historisë, vijoi ta prekë në shekuj shpirtin njerëzor, duke e frymëzuar të krijojë kryevepra në të gjitha llojet e arteve.
Fe e përshpirtëri
Nësa kundrojmë kryeveprat e epokave të ndryshme në librin “Betlehemi ndër arte. Shtegtim në ikonografinë e Lindjes së Krishtit”, njihemi me hollësi, që shpesh lihen mënjanë si të dorës së dytë, duke harruar se zbulojnë fenë dhe përshpirtërinë e njeriut në rrjedhë shekujsh.
Nga shekujt e parë, deri më sot
Duke shfletuar librin e ri, ndërmjet faqeve të të cilit “mbyllen” të gjitha Shpellat e Betlehemit, kalojmë nga soditja e Sarkofagut të Stilikonit, në Bazilikën e Shën Ambrozit, e para paraqitje artistike e Lindjes së Krishtit, realizuar në shekullin IV - tek afresket bizantine të Castelseprios, në Kishën e Shën Marisë Foris Portas, nga ngrohtësia intime e Gerri van Honthorst. me ekulibrin rinashimental, tek poezia e tetëqindës e Gaetano Previtit e deri tek eksperimentet futuristike të Gerado Dottorit. Njihemi, kështu, me mrekulli të papara e të paditura, që na bëjnë ta harrojmë për ca çaste vetveten, për të medituar ngjarjen e madhe, që i hapi njeriut portat e Parajsës. Paraqitur me mjeshtri të rrallë, sa të na duket se jemi të pranishëm në Shpellën ku lindi Krishti.
Ungjijtë apokrifë
Nëse në Ungjijtë kanonikë njihemi me themeloren, me bazën, nga e cila frymëzohen gjithë artistët, nuk duhen harruar as Ungjijtë apokrifë, ku gjinden elemente shumë interesante, që i nxitën artistët e penelit ndër shekuj të realizojnë kryevepra origjinale me tematikën e Lindjes së Zotit. Na lanë, kështu, trashëgim, pëlhura, altare, afreske kushtuar Shpellës së Betlehemit e Zotit që deshi të lindte në të! Të përhapura në të katër anët e rruzullit tokësor!
Mamitë, kau e gomari
Gjithsesi mund të pohojmë se apokrifet, ndokush mund të thotë “thashethemet”, e pasuruan shumë fantazinë e artistëve, që morën në dorë penelat për të pikturuar ngjarjen e Betlehemit. Ja pse në shumë prej shpellave janë të pranishme edhe mamitë. Ndonëse prania e tyre duhet përjashtuar pa asnjë dyshim - sipas mendimit të Shën Jeronimit. Ndryshe puna e kaut dhe e gomarit: “Këto kafshë - saktëson historiania e artit - kujtohen edhe në Besëlidhjen e Vjetër, duke u interpretuar si simbol i popullit të hebrenjve e atij, që nuk e njihte ende Krishtin Zot e që mbeti në histori me emrin “populli i gjentilëve”, simbol i popujve grekë e romakë.
Krishti lind në të gjitha kohët e në të gjitha vendet
Kur flasim për veprat e artit, nuk mund t’i shkëpusim kurrsesi nga mjedisi gjeografik ku lindën. Një nga elementet më interesante - kujtohet në libër - është të zbulosh se këto piktura kushtuar Lindjes së Zotit realizohen sipas dëshirës së bashkësisë, që do t’i përdorte. Ndaj shpesh herë mjedisi është ai i kohës kur jetonte piktori. E veshjet, tipike për kohën kur u pikturuan. Barinjtë, pra, shpesh vishen sipas modës së kohës. Kujtojmë, për shembull, pikturën me bojë vaji të Mjeshtrit Flemalle, që i pikturon barinjtë me doreza. Ose pikturën e mjeshtrit të madhe Pieter Brueghel Plaku, që e paraqet Betlehemin si të ishte fshat i Fiandrës, me liqejtë e ngrirë akull. Janë elemente që nuk kanë asgjë historike, anakronizma, të cilat synonin ta bënin më të kuptueshëm komunikimin me ngjarjen e shenjtë.
Kujtimi i Mundimeve
Domethënëse në disa piktura kushtuar Lindjes së Krishtit, prania e kryqit brenda shpellës: simboli është teologjik e na çon tek domethënia e fundit e mishërimit: Mundimet e Ngjallja e Krishtit.
Djepi, si altar
Ndërmjet shumë figurave, të ngarkuara me vlerë simbolike, spikasin miniaturat e Salterio di Ingeborg, realizuar në dhjetëvjeçaret e para të shekullit XII. Janë ilustrime - shpjegon Rosa Giorgi - e prej këndej i drejtoheshin një populli të kulturuar Të emocionon pa masë djepi: ka formën e altarit, gjë që të kujton menjëherë Eukaristinë. Element tjetër është, pranë e pranë Marisë me pamjen e lehonës, figura e Jozefit, me kokën mbështetur në njërën dorë: është mendueshëm, dyshimtar, ashtu i ulur mbi një stol, që ka pamjen e një ndërtese”. Besohet se është simbol i qytetit të Davidit, prej nga e ka zanafillën jeta e Shëlbuesit.