Kërko

Editorial

Kush ka frikë nga ju, s’ju ka parë në sy

Nga Qendra e Pritjes dhe e Identifikimit në Mytilene, në ishullin Lesbos, Papa Françesku i bën thirrje botës për përgjegjësi dhe solidaritet ndaj atyre, që kërkojnë jetë dinjitoze

Andrea Tornielli

Pesë vjet më vonë, Papa deshi të kthehej në këtë ishull për të vizituar emigrantët dhe refugjatët. Në fillim të fjalimit të tij, përmendi fjalët e shqiptuara pikërisht këtu nga patriarku i Kostandinopojës Bartolomeu, në vitin 2016: “Kush ka frikë nga ju, nuk ju ka parë në sy. Kush ka frikë nga ju, nuk ju ka parë në fytyrë. Kush ka frikë nga ju, nuk jua sheh fëmijët. Harron se dinjiteti dhe liria janë më lart se frika dhe ndarja. Harron se migrimi është një problem botëror”.

Ato fjalë të Patriarkut, që Françesku deshi t’i përsërisë, na ndihmojnë të mos harrojmë, të mos e kthejmë kokën nga ana tjetër. Mësojmë gjithnjë e sërish se njerëzit që janë këtu, ata që trokasin në kufijtë tanë, nuk janë emigrantë apo refugjatë, nuk janë numra, janë njerëz.

Le të mësojmë t’i shikojmë në sy. Janë viktima të luftës, të urrejtjes, të ndryshimeve klimatike, të trafikantëve të qenieve njerëzore, të politikanëve, që i përdorin si mall për treg. Në vend që ta kthejmë kokën nga ana tjetër, ose të ndahemi, duke e instrumentalizuar frikën, le të provojmë, të gjithë së bashku, të vëmë në diskutim sistemin, që shkakton pabarazi dhe ushqen luftërat.

05 dhjetor 2021, 15:27