Kërko

Krishtlindja e Papës, në fillin e kujtimeve

“Shpresoj se Krishtlindja do ta ngrohë zemrën e njeriut që vuan, e do t’i hapë e t’i forcojë tonat, që të nisen nga dëshira për ta ndihmuar më shumë njeriun nevojtar”. Gazetat “Repubblica” dhe “La Stampa” intervistojnë Françeskun, që flet për fëmijërinë në Buenos Ajres, traditat familjare, leximet më të pëlqyera, të kaluarën e të sotmen, si Papë.

R.SH. - Vatikan

“Shpresoj se Krishtlindja do ta ngrohë zemrën e njeriut që vuan, e do t’i hapë e t’i forcojë tonat, që të nisen nga dëshira për ta ndihmuar më shumë njeriun nevojtar”. Gazetat “Repubblica” dhe “La Stampa” intervistojnë Françeskun, që flet për fëmijërinë në Buenos Ajres, traditat familjare, leximet më të pëlqyera, të kaluarën e të sotmen, si Papë.

Papa Françesku u përgjigjet pyetjeve të gazetave italiane “Repubblica” dhe “La Stampa”, nga Shtëpia e Shën Martës, në prag të festave të mëdha të dimrit. Flet për Krishtlindjen, duke kujtuar festën e fëmijërisë në Buenos Ajres, për leximet, sportet e preferuara, të varfërit, fëmijët e sëmurë, të shpërdoruar. Flet për ardhmërinë  e njerëzimit. Këto, e të tjera argumente prek Françesku në bisedën me gazetarët Paolo Rodari e Domenico Agasso.

Krishtlindje në familje, me kapeleti

Nga kujtimet për Krishtlindjen në Argjentinë, Françesku tregon se në familjen e tij festohej posaçërisht, gjithnjë nga gjyshërit, mëngjesi i 25 dhjetorit. Një herë – kujton - erdhëm në shtëpi dhe e gjetëm gjyshen duke bërë kapeletit. I bënte me dorë. E kishte bërë 400 copë deri atë çast. U habitëm sa më s’ka. Ishte aty e gjithë familja: vinin xhaxhallarët e kushërinjtë. Krishtlindja ishte plot me të papritura. E kështu është edhe sot për Papën. Surprizë! Krishti vjen të na vizitojë. A ka të papritur më të madhe se “të takohesh me Zotin?”. Më pas kujton se  i pëlqejnë shumë këngët e Krishtlindjes, si “O Natë e qetë” e “Ti zbret nga yjet”, që transmetojnë paqe, shpresë, krijojnë atmosferën e gëzimit për Birin e Zotit,  që lind mbi tokë si ne, për ne.

Në mendimet e Papës,  të varfërit dhe fëmijët e shtruar në spital

Për Krishtlindje mendimi i Papës shkon tek të varfërit, që janë si Jezusi, i lindur në varfëri, e më pas, tek gjithë të harruarit, të braktisurit e, në mënyrë të veçantë, tek fëmijët e shpërdoruar e të skllavëruar. “Unë qaj  e zemërohem - pohon - kur dëgjoj histori që flasin për të rritur të ligshtë e fëmijë të shfrytëzuar në mënyra nga më të ndryshmet”.

Në zemrën e Papës ka vend edhe për fëmijët, që e jetojnë Krishtlindjen në spital. Nuk gjen fjalë për ta shprehur vuajtjen e tyre! Ata e prindërit e tyre mund t’i ngushëllojë vetëm feja – mendon. Ndërsa prindërit e fëmijëve të shëndoshë Papa i këshillon të mos harrojnë “sa fatbardhë janë” e t’ua kushtojnë pakëz kohë të sëmurëve. Françesku kujton edhe se e vlerëson shumë punën e personelit shëndetësor ndër spitale.

Loja e futbollit në rolin e portierit: librat më të dashur

Duke kujtuar se pak ditë më parë mbushi 85 vjet, një nga pyetjet që iu drejtuan ishte  edhe si e festonte ditëlindjen kur ishte fëmijë. “Ishte festë për tërë familjen - gjegji Françesku - Nëna ime bënte një çokollatë shumë të trashë e shumë të këndshme në të pirë”. E kur u pyet për lojërat e foshnjërisë, foli kryesisht për topin prej leckash, me të cilin luante në sheshin pranë shtëpisë, me shokëte lagjes. Kur nuk luante mirë, shokët e vinin portier. “Roli i portierit - kujtoi Papa - qe për mua një shkollë e vërtetë. Portieri duhet të jetë gjithnjë gati për t’iu përgjigjur rreziqeve, që mund t’i vijnë nga të katër anët. Luante edhe basketboll, djaloshi  Jorge, e në shtëpi dallohej si lexues i pasionuar. Librat, që e ndihmuan më shumë të  formohej, ishin “Zemra” e D’Amicis; romanet e Jorge Luis Borges e të Fjodor Dostojevskit. Pastaj poezitë e Friedrich Hölderin. E edhe “Të Fejuarit” e Manzonit. E pastaj, doemos, “Komedia Hyjnore”, nga e cila Papa dinte përmendësh disa fragmente. Kryesisht vargjet kushtuar Zojës, një kompozim që duket si i krijuar nga frymëzimi hyjnor: Nanë virgjineshë, ti bija e tand bir,/ mbi çdo krijesë e prunjtë e madhështore/ nga këshilli i amshuem cak i vendosun mirë ,ti je ajo, që natyrën njerzore/ e ngrite aq, sa vetë Krijuesi unjí/ me u ba krijesë e saj s'e pat për kore. Papa i dinte përmendësh këto tercina e shumë të tjera nga vepra madhështore e Dantes. E pastaj kujtoi edhe Këngën III të Ferrit, e pikërisht thirrjen e dëshpëruar drejtuar të dënuarve: “O ju që hyni mbrendë, keni mbarue!”.

Çaste malli, por jo trishtimi

Biseda vijoi me një pyetje,  që e solli Papën nga kujtimet e largëta, në të afërmet:  a ka sot mall për rininë?  Nganjëherë - përgjigjet Papa -kur kujtoj  ngjarjet e bukura. Si atë, që jetova gjatë kremtimit të 16-vjetorit të ditëlindjes - gjë që ishte si të hyje në gjirin e shoqërisë - e mbatha pantallonat e para të gjata, që zakonisht i mbajnë burrat. Më kujtohen edhe sot dy gjyshet, Maria e Roza. Më ndiqnin me vështrimin e njeriut, që përmallohet nga ngjarje të mëdha. Po unë nuk u përmallova fare:   trashëgoja karakterin e nënës sime,  që shikonte gjithnjë përpara. Ndërsa lidhur me njerëzit që i mungojnë më shumë,  kujtoi tre vëllezërit, të cilët, megjithatë, i kujton duke i përfytyruar vazhdimisht.

Dita e Papës nis në orën  katër të mëngjesit

Më pas, një pyetjeje për shëndetin e tij e edhe për operacionin në Gemelli, Papa i përgjigjet se ndjehet fare mirë, ka bërë shumë udhëtime e të tjera do të bëjë, në dashtë Zoti, në vitin 2022. E përshkruan edhe ditën e tij, me ritëm të pandryshuar: “Ngrihem gjithnjë në 4 të mëngjesit  e nis menjëherë të lutem. E, më pas, vijnë takimet dhe angazhimet e ndryshme të ditës, ndërmjet të cilave, një pushim i shkurtër vetëm në drekë”.

Nga solidariteti në të gjitha nivelet varet ardhmmëria jonë

Intervista përfundon me shikimin e Papës drejtuar nga e ardhmja e njerëzimit, goditur rëndë nga pandemia, konfliktet, përçarjet. Ardhmëria varet nga ne  - pohon - “nëse do të ndërtojmë a të rindërtojmë së bashku”, sepse do të shpëtojmë vetëm po ta jetojmë vëllazërimin universal. E vijon: “E kjo do të thotë se bashkësia ndërkombëtare; Kisha, duke nisur nga Papa, institucionet, kush ka përgjegjësi politike e shoqërore e edhe çdo qytetar i thjeshtë, posaçërisht në vendet më të pasura, nuk munden as nuk duhet t’i harrojnë njerëzit e ligshtë e të pambrojtur, viktima të indiferencës e të egoizmit. Për ta e lus Zotin e shpresoj - përfundon Papa – “se Krishtlindja do t’i ngrohë zemrat e të vuajturve e t’i hapë tonat, që të digjen nga dëshira për ta ndihmuar njeriun më nevojtar”.

24 dhjetor 2021, 17:18