Kërko

Jubileu 2025, Papa ia beson Fisichell-ës përgatitjen

Papa Françesku ngarkoi Këshillin Papnor për Promovimin e Ungjillëzimit të Ri për të koordinuar Vitin e ardhshëm Shenjt. Është Jubile i zakoshëm. Jubileu i fundmë, ishte ai i Vitit Shenjt të jashtëzakonshën, kushtuar mëshirës.

R.SH. - Vatikan

“Ati i Shenjtë Françesku ia besoi Këshillit Papnor për Promovimin e Ungjillëzimit të ri, koordinimin nga ana e Selisë Apostolike të përgatitjes së Vitit Shenjt 2025”- Njoftimin, botuar sot, e jep një komunikatë e Vatikanit.

“Në këtë kuptim - lexohet në tekst - ditët e kaluara Kryetari i të njëjtit Këshill, imzot Rino Fisichella, u takua me eprorët e Sekretarisë së Shtetit, të Administratës së Pasurisë të Selisë Apostolike dhe me Sekretarinë për Ekonominë”.

Është Jubile i zakoshëm. Jubileu i fundmë, ishte ai i Vitit Shenjt të jashtëzakonshën, kushtuar  mëshirës. Françesku e pati shpallur me bulën “Misericordie Vultus”, duke ia besuar edhe në këtë rast koordinimin, imzot Fisichell-ës. Zgjati nga 29 nëntori 2015, me hapjen e përshpejtuar të Portës Shenjte në Bangui, në Qendrën e Afrikës - e më 8 dhjetor, në Shën Pjetër - për t’u mbyllur më 20 nëntor 2016.

Ky i vitit 2025 do të jetë i 27-ti Jubile i zakonshëm i historisë së Kishës. I pari u shpall  nga Bonifaci VIII, në vitin 1300. Ndërmjet shtegtarëve, që erdhën në Romë për këtë Jubile të parë, kujtohen Dante, Cimabue, Giotto, Carlo di Valois, vëllai i mbretit të Francës, me gruan e tij Katerina.

U mendua të kremtohej çdo njëqind vjet, por Klementi VI, në vitin 1350,  vendosi të kremtohej çdo 50 vjet. Pali II, me Bulën e vitit 1470, e shkurtoi akoma afatin, duke vendosur që Viti Shenjt të kremtohej çdo 25 vjet.

Ngjarjet që ndodhën gjatë periudhës napoleonike e penguan Piun VII  të shpallte Vitin Shenjt 1800. E kështu edhe në vitin 1850, tensionet që nisën  pas vendosjes së Republikës Romake dhe internimi i përkohshëm i Piut IX, e penguan kremtimin e  Jubileut. Ndërkaq Papa Mastai Ferretti mundi ta kremtonte Vitin Shenjt 1875, ndonëse pa ceremonitë e hapjes e të mbylljes së Portës Shenjte, për shkak të pranisë së trupave italiane në Romë.

Leoni XIII shpalli Jubileun e parë të 1900-tës, e Gjon Pali II, të parin e  Vitit 2000.

Për t’u kujtuar, Jubileu i vitit 1423, shpallur nga Martini V me rastin e kthimit të papatit nga mërgimi avinjonez, në Romë. Për t’u kujtuar, Jubileu i shpallur nga Piu XI, më 1933, për 100-vjetorin Shëlbimit; Jubileu i shpallur nga Pali VI, në vitin 1966, për përfundimin e Koncilit II të Vatikanit e ai i shpallur nga Gjon Pali II, në vitin 1983, me rastin e 1950-vjetorit të Shëlbimit.

Kujtojmë se Jubileu, që u krijon besimtarëve mundësinë të fitojnë ndjesën e plotë për vete e për të vdekurit e tyre, është vit pajtimi e pendese, solidariteti e angazhimi për drejtësi, në shërbim të Zotit e të vëllezërve. 

26 dhjetor 2021, 16:31