Kërko

Selia e Shenjtë: COP26, hapa përpara, por koha nuk pret

Në një komunikatë kujtohet angazhimi i Shteteve për të kufizuar rritjen e temperaturës, duke ripohuar nevojën për marrëveshjen lidhur me plotësimin e disa zbraztësive, të cilat u vërejtën në përfundim të punimeve, gjë që kërkon ndërgjegjësimin, në vijim, lidhur me objektivat e shteteve në reduktimin e emetimeve për vitin 2030 dhe planet drejt arritjes së neutralitetit të klimës deri në vitin 2050

R. SH. - Vatikan

“Premtuese” dhe “themelore” për mbijetesën e bashkësive më të ligshta”: kështu, në një komunikatë, Selia e Shenjtë i gjykon angazhimet e Shteteve që morën pjesë në Cop26 të Glasgow, për kufizimin e rritjes së temperaturës së mesme globale në 1,5° C mbi nivelet paraindustriale dhe  furnizimin me burimet e nevojshme financiare për arritjen e këtij objektivi.

Në tekst kujtohet se delegacioni i Selisë së Shenjtë e çoi në Skoci shqetësimin e Papës për shtëpinë e përbashkët, “duke  nënvizuar fytyrën njerëzore të krizës klimatike si dhe ndikimin e saj mbi të varfërit dhe mbi ata, që nuk janë shkaktarë të saj”.

Mbetet akoma shumë për të bërë

Pa harruar të vlerësojë angazhimin e shteteve të ndryshme, Selia e Shenjtë  kujton se “mbetet ende shumë për të bërë” e prandaj është e nevojshme të gjenden mënyra të përshtatshme për të mbushur disa boshllëqe, që dolën kryesisht në “fushën e financimit”. “Burimet e vëna në dispozicion për këto aspekte, themelore në arritjen e objektivave dhe të Marrëveshjes së Parisit, duhet - lexohet -  të fuqizohen e të rinovohen”.

Selia e Shenjtë - vijon Komunikata - shpreson se COP26 do të mund të arrijë së shpejti marrëveshjen mbi një tabelë të qartë, që do të ndihmojë për ta mbushur këtë zbraztësi me vendet e zhvilluara, të cilat do të jenë në krye të punës.

Vendime me përgjegjësi për breznitë e ardhshme

Kujtohet, pastaj, thirrja e përbashkët e liderëve fetarë dhe e shkencëtarëve, më 4 tetorin e kaluar, përmes së cilës kërkohet vëmendje për bashkësitë më të rrezikuara  nga ndryshimet klimatike dhe citohen fjalët e Papës “mbi borxhin ekologjik dhe solidaritetin e vendeve të pasura me të varfërat”. Delegacioni i Selisë së Shenjtë uron që vendimet përfundimtare të Cop26 “të frymëzohen nga ndjenja e përgjegjësisë së vërtetë përballë breznive të sotme e të ardhshme, si dhe  ajo e kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët, e që këto vendime  të mund t’i përgjigjen me të vërtetë britmës së Tokës dhe britmës së të varfërve”. “ Koha nuk pret: ky rast - siç shkruan Papa Françesku në Letrën drejtuar katolikëve të Skocisë - nuk duhet humbur!”.

12 nëntor 2021, 18:31