Puna e të miturve: Selia e Shenjtë dhe FAO në konferencë online
R.SH. - Vatikan
Komisioni vatikanas Covid-19 i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, së bashku me misionin e përhershëm të Selisë së Shenjtë në FAO organizojnë një konferencë ndërkombëtare me temë “Çrrënjosja e punës së fëmijëve, ndërtimi i një të ardhmeje më të mirë”, që do të mbahet në formën virtuale më 19 nëntor, nga ora 14.30 në orën 16.30. “Do të diskutohet mbi faktin se ende në shekullin XXI, ekzistojnë forma pune të fëmijëve, për të kuptuar se cilat janë pengesat në kapërcimin e kësaj plage”, thuhet në paraqitjen e nismës. “Duke u kushtuar vëmendje çështjeve të shëndetësisë dhe të arsimimit, do të analizohet si ndikon puna e të miturve në dinjitetin e tyre”.
Së fundi, “do të ritheksohet rëndësia e dialogut dhe e bashkëpunimit ndërkombëtar për të trajtuar një problem, që i kalon kufijtë territorialë dhe kulturorë”. Gjatë takimit - njoftojnë organizatorët - do të projektohet një video me mendimet dhe pohimet e Atit të Shenjtë për këtë temë, ndërsa kontribute të tjera të shkurtra në video, realizuar në terren, do të trajtojnë të drejtat e mohuara të të miturve në punë, mënyrën për të promovuar dinjitetin e tyre dhe impenjimin e Kishës për të ndërtuar një botë ku të mos shfrytëzohet puna e fëmijëve. Takimi hapet me përshëndetjet e prefektit të Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, kard. Peter K. A. Turkson, të fituesit të Çmimit Nobel për Paqen, Kailash Satyarthi, e të kryeekonomistit të FAO-s, Maximo Torero. Ndër folësit: Cornelius Williams, drejtor për mbrojtjen e fëmijëve në Unicef; Michelle De Cock, drejtuese e njësisë kërkimore dhe vlerësuese të Organizatës Botërore të Punës; Nasreen Sheikh, themelues i Empowerment Collective, në Nepal. Takimi do të mbyllet me një përshëndetje nga imzot Fernando Chica Arellano, kreu i delegacionit të Selisë së Shenjtë në FAO dhe nga Maurizio Martina, këshilltar i veçantë i drejtorit të përgjithshëm të FAO-s.