Kërko

 Ebook Prefazione Papa Francesco Laudato si' Ebook Prefazione Papa Francesco Laudato si'

Papa: nga britma e Tokës dhe e të varfërve, thirrja për të ndryshuar modelin e zhvillimit

Papa shkruan parathënien e librit e-book “Laudato si’ Reader. An Alliance of Care for Our Common House”, botuar me rastin e konferencës Cop26. Teksti përmbledh reflektime mbi mënyrën si është pritur enciklika në botë, mund të shkarkohet falas nga data 12 nëntor, nga faqet e Vatican News, Shtëpisë Botuese të Vatikanit “Lev” dhe të Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, që ka promovuar publikimin. Vëllimi përmban edhe një koment të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku shkruan parathënien e librit e-book “Laudato si’ Reader. An Alliance of Care for Our Common House”, botuar nga Lev me rastin e konferencës Cop26. Teksti, që përmbledh reflektime mbi mënyrën si është pritur enciklika në gjithë botën, do të mund të shkarkohet falas, duke filluar nga data 12 nëntor, nga faqet e internetit të Vatican News, të Shtëpisë Botuese të Vatikanit “Lev” dhe të Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, që ka promovuar publikimin e tij. Vëllimi përmban edhe një koment të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres

Papa Françesku

 Gjashtë vjet më parë, botova letrën enciklike “Laudato si’”, mbi kujdesin për shtëpinë tonë të përbashkët, duke bërë thirrje për një dialog të ri mbi shtëpinë tonë të përbashkët - mbi mënyrën se si po e farkëtojmë negativisht të ardhmen e planetit, me sjelljen tonë të papërgjegjshme. Më vjen mirë të shoh se enciklika ka pasur një ndikim pozitiv në përpjekjet për t’u kujdesur për shtëpinë tonë të përbashkët në Kishë, në bashkësitë tona ekumenike dhe ndërfetare, në qarqet politike dhe ekonomike, në sferën arsimore, kulturore e më gjerë.

 Pas botimit të Laudato si’, i ftova katolikët të bashkohen me vëllain tim të dashur, Shenjtërinë e Tij Bartolomeu, Patriarkun Ekumenik dhe vëllezërit tanë ortodoksë, për të festuar së bashku, më 1 shtator, Ditën Botërore të Lutjes për Kujdesin ndaj Krijimit. Jam shumë mirënjohës që mesazhi urgjent i Laudato si’ ka pasur jehonë në deklarata të rëndësishme e, sidomos, në veprimet e ndërmarra nga tradita të tjera fetare në favor të thirrjes së përbashkët për të qenë rojtarë të gjithçkaje ka krijuar Zoti. Kujtoj me gëzim “Letrën Rabinike mbi Krizën Klimatike”, “Deklaratën Islamike mbi Ndryshimet Klimatike Globale”, “Deklaratën Budiste për Ndryshimet Klimatike drejtuar Udhëheqësve Botërorë”, “Bhumi Devi Ki Jai!, një Deklaratë Hinduiste mbi Ndryshimet Klimatike”.

“Laudato si’” është thirrje globale për të qenë kujdestarë të shtëpisë sonë të përbashkët dhe është gjë e mrekullueshme kur sheh se Dikasteri për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor ka marrë nismën për të mbledhur reflektimet e njerëzve dhe të bashkësive nga e gjithë bota mbi mesazhet e Laudato si’.  Laudato si’ Reader”, titulli me të cilin u mblodhën këto reflektime, është në fakt një përfundim i përshtatshëm për “Vitin e veçantë Laudato si’”, që u kremtua nga 24 maji 2020 deri më 24 maj 2021.

“Britma e tokës dhe klithma e të varfërve” që kam paraqitur në Laudato si’, si pasojë emblematike e dështimit të përkujdesjes për shtëpinë tonë të përbashkët, është përforcuar edhe nga emergjenca e Covid-19, të cilën njerëzimi po përpiqet ende ta përballojë. Prandaj, kriza ekologjike, e përfaqësuar nga “britma e tokës” dhe kriza shoqërore, e përfaqësuar nga “klithma e të varfërve”, janë kthyer në vdekjeprurëse, për shkak të krizës shëndetësore: pandemisë së Covid-19. Sa të vërteta janë fjalët e paraardhësit tim, Papës Benedikti XVI: “Mënyrat me të cilat njeriu trajton ambientin ndikojnë në mënyrat me të cilat ai trajton veten dhe anasjelltas” (Caritas in veritate, n. 51).

Megjithatë, të mos harrojmë se krizat janë edhe dritare mundësish: janë mundësi për të njohur dhe për të mësuar nga gabimet e së kaluarës. Kriza aktuale duhet të na bëjë “ta shndërrojmë në vuajtje personale gjithçka i ndodh botës, për të kuptuar kështu cili është kontributi, që mund të japë secili” (LS, n. 19). Edhe për ne ka ardhur koha ta ndryshojmë hapin, të ndryshojmë zakonet e këqija në mënyrë që të jemi në gjendje të ëndërrojmë, të bashkëkrijojmë dhe të veprojmë së bashku për të realizuar të ardhme të drejta dhe të barabarta. Është koha për të zhvilluar një formë të re solidariteti universal, që bazohet mbi vëllazërimin, dashurinë, mirëkuptimin e ndërsjellë: solidaritet, që i vlerëson njerëzit më shumë se fitimin, që e konsideron në mënyrë të re zhvillimin dhe përparimin. E kështu, shpresa dhe lutja ime është që të mos dalim nga kjo krizë ashtu siç hymë!

E kaluara e afërt na ka treguar se sidomos fëmijët e kanë kuptuar shkallën dhe përmasat e jashtëzakonshme të sfidave me të cilat përballet shoqëria, veçanërisht krizën klimatike. Ne duhet t’i dëgjojmë me zemër të hapur. Duhet të ndjekim shembullin e tyre, sepse ata janë të mençur, pavarësisht nga mosha.

Është koha për të ëndërruar gjëra të mëdha, për t’i rimenduar përparësitë - çfarë vlerësojmë, çfarë duam, çfarë kërkojmë - dhe për ta riprogramuar të ardhmen, duke u impenjuar të veprojmë në jetën e përditshme për gjithçka ëndërrojmë. Është koha për të vepruar, për të vepruar së bashku, ka ardhur ora!

Libri “Laudato si’ Reader. An Alliance of Care for Our Common House”, do të jetë në dispozicion në format për t’u printuar në www.libreriaeditricevaticana.va

02 nëntor 2021, 11:07