Kërko

Cop26, Papa: duhen vendime të guximshme për njё kthesë epokale në mbrojtje tё planetit

“Ju shoqëroj me lutjen time në këto zgjedhje të rëndësishme”. Kёshtu shkruan Papa Françesku në mesazhin që i është besuar Sekretarit të Shtetit tё Vatikanit, Kardinalit Parolin, dërguar në Glasgow në Konferencën e OKB-së për Klimën: veprimet kolektive, mbështetëse dhe largpamëse janë të nevojshme për një model zhvillimi gjithëpërfshirës, të vëmendshëm ndaj botës së punës dhe " borxhit ekologjik” qё dëmton Vendet më të varfra.

R.SH. - Vatikan

Nё mesazhin dёrguar Konferencës sё Glasgow, në fillim drejtuar presidentit të COP26, Alok Sharma, dhe lexuar sot në mbrëmje nga sekretari kardinal i shtetit Pietro Parolin, Papa Françesku shkruan: 

Është fjala për një ndryshim epokal, për një sfidë qytetërimi në të cilën duhen angazhuar të gjithë, në veçanti, vendet me mundësi më të mëdha, të cilat duhet të marrin përsipër rolin udhëheqës në fushën e financës në favor të klimës, në dekarbonizimin e sistemit ekonomik dhe të jetës së njerëzve, në promovimin e një ekonomie rrethqarkulluese, në mbështetjen e vendeve më në rrezik përsa u përket veprimtarive të përshtatjes ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike dhe reagimit ndaj humbjeve dhe dëmeve, që rrjedhin nga ky fenomen”. Ai, që u bën këtë thirrje liderëve botërorë të mbledhur në Takimin e 26-të të OKB-së mbi klimën (Cop26) në Glasgow të Skocisë, është vetë Papa Françesku, i cili kërkon falje që s’mundi të shkojë personalisht. Në vend të tij, fjalimin e lexoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kreu i delegacionit vatikanas në Cop26, që filloi më 31 tetor dhe do të përfundojë më 12 nëntor.

Të respektohet Marrëveshja e Parisit

Papa u kërkon politikanëve vullnet të sinqertë, ndershmëri, përgjegjësi e guxim për të përdorur më mirë të gjitha burimet njerëzore, financiare dhe teknologjike, duke synuar lehtësimin e pasojave negative të ndryshimeve klimatike dhe ndihmën për popullsitë, që nuk janë në gjendje t’u bëjnë ballë atyre. Ati i Shenjtë pranon se kjo është detyrë e vështirë, pasi duhet realizuar në mes të pandemisë së koronavirusit, e cila vijon që prej dy vitesh, por pikërisht Covid-19, nënvizon Françesku, na mëson se nga kjo gjendje mund të dalim vetëm duke bashkëpunuar e duke u treguar solidarë me njëri-tjetrin. Para pandemisë, vëren Ati i Shenjtë, kemi bërë gabime nga të cilat duhet mësuar për të ndërtuar një botë më të mirë. E kështu duhet të ndodhë edhe në përballimin e pasojave të ndryshimit të klimës. Papa kërkon respektimin e objektivave të Marrëveshjes së Parisit, ndryshimin e sjelljeve të përditshme dhe të investimeve ekonomiko-financiare, për të krijuar kushte vërtet të denja për njerëzimin e sotëm e të nesërm, që duhet të jetojë në një planet të shëndetshëm. “Sot, këto vendime ju takojnë juve”, u drejtohet drejtpërdrejt politikanëve të pranishëm në Glasgow.

Impenjimi i Selisë së Shenjtë për klimën

 Në këtë këndvështrim, Ati i Shenjtë Bergoglio vë në dukje impenjimin e Selisë së Shenjtë, e cila po vë në jetë një strategji për reduktimin në zero të të gjitha emetimeve neto të gazrave serë. Ajo dëshiron ta arrijë këtë objektiv brenda vitit 2050 e po lëviz edhe në një plan të dytë, atë të promovimit të edukimit për ekologjinë e gjithanshme, sidomos ndër të rinjtë, që ata të vënë në qendër të jetës vëllazërimin ndërmjet njerëzve dhe aleancën ndërmjet njeriut dhe ambientit. Papa përmend takimin e 4 tetorit me krerët fetarë dhe me shkencëtarët, me të cilët nënshkroi një thirrje të përbashkët, ku vihet në dukje urgjenca për të kaluar nga “kultura e hedhurinave”, mbizotëruese në shoqërinë e sotme, në “kulturën e përkujdesjes” për shtëpinë tonë të përbashkët e për ata, që banojnë në të.

“Plagët që i ka shkaktuar njerëzimit pandemia e Covid-19 dhe fenomeni i ndryshimeve klimatike janë të krahasueshme me ato të një konflikti global- vëren Ati i Shenjtë. - Ashtu si pas Luftës II Botërore, është e nevojshme që sot, e gjithë bashkësia ndërkombëtare të ketë si përparësi vënien në jetë të veprimeve kolektive, solidare dhe largpamëse”.

Vendet e pasura kanë një “borxh ekologjik” ndaj vendeve të varfra

 Kemi nevojë për shpresë dhe guxim, vijon më tej mesazhi papnor. “Njerëzimi i ka mjetet për ta përballuar këtë transformim, që kërkon një kthesë të vërtetë, individuale e komunitare, me vullnet e vendosmëri për të ecur në këtë rrugë. Bëhet fjalë për të kaluar drejt një modeli zhvillimi më të gjithanshëm dhe më gjithëpërfshirës, bazuar në solidaritet dhe përgjegjësi; një tranzicion, gjatë të cilit të shqyrtohen me kujdes edhe efektet që do të ketë në botën e punës”, kërkon Papa.

“Në këtë perspektivë, - thekson Ati i Shenjtë – i duhet kushtuar vëmendje e veçantë popullsive më të ligështa, ndaj të cilave ka një ‘borxh ekologjik’, i lidhur si me çekulibrimet tregtare me pasoja ambientale, ashtu edhe me përdorimin e shpërpjestuar të burimeve natyrore të tyre dhe të vendeve të tjera. Nuk mund ta mohojmë – vë në dukje Papa Françesku. – ‘Borxhi ekologjik’ kujton, në një farë mënyre, çështjen e borxhit të jashtëm, presioni i të cilit shpesh pengon zhvillimin e popujve”.

Të ndryshohet konceptimi energjitik i ekonomisë

Ati i Shenjtë kërkon që në botën pas pandemisë të merren parasysh të gjitha këto aspekte. “Është e nevojshme – thekson ai – që vendet e zhvilluara të kontribuojnë në shlyerjen e borxhit ekologjik, duke e kufizuar në mënyrë të rëndësishme konsumin e energjive të parinovueshme dhe duke u siguruar financime vendeve më në nevojë për promovimin e politikave e të programeve të zhvillimit të qëndrueshëm. Zhvillim, në të cilin, më në fund, të marrin pjesë të gjithë”.

T’u japim të rinjve shpresa për të ardhmen

Fatkeqësisht, vëren Papa, jemi larg nga arritja e objektivave për klimën. “Duhet thënë me ndershmëri: nuk mund t’ia lejojmë vetes këtë!”, ngre zërin Françesku. “Përveç ndikimeve gjithnjë e më të shpeshta e më intensive në jetën e përditshme të shumë njerëzve, sidomos të popullsive më të ligështa, – thekson Ati i Shenjtë – kriza klimatike është kthyer edhe në një krizë të të drejtave të fëmijëve e, në një të ardhme të afërt, emigrantët ambientalë do të jenë më të shumtë se refugjatët e konflikteve”.

Papa kërkon të veprohet me urgjencë, guxim e përgjegjësi që njerëzimi të jetë në gjendje të kujdeset për vetveten dhe për natyrën, edhe në të ardhmen. Sidomos të rinjtë, që po e ngrenë zërin vazhdimisht në favor të klimës, nuk do të kenë një planet të ndryshëm nga ai që u lëmë ne, vë në dukje së fundi Françesku. “Kjo ëshë koha për vendime, që u japin atyre arsye për të pasur besim në të ardhmen”, përfundon mesazhi i Atit të Shenjtë për Konferencën e Glasgow-t, Cop26, mbi ndryshimet klimatike.

02 nëntor 2021, 16:11