Kërko

Mesha e kryesuar nga kardinali Pietro Parolin në katedralen e Veronës Mesha e kryesuar nga kardinali Pietro Parolin në katedralen e Veronës

Kardinali Parolin: vëllazërimi, shpresë për të dalë nga kriza

Në përfundim të Festivalit të Doktrinës Shoqërore të Kishës në Veronë të Italisë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit u kujton të gjithëve të jenë të përgjegjshëm për vaksinën e për terapitë kundër Covid-19, duke bërë të gjitha përpjekjet njerëzore, nga njëra anë e, duke pasur besim në Hirin e Tënzot, nga ana tjetër.

R.SH. - Vatikan

Gjatë pandemisë, jetët tona “ndërlidhen dhe mbështeten nga njerëzit e zakonshëm, të cilët, pa dyshim, shkruan ngjarjet vendimtare të historisë sonë të përbashkët”. Ky është mendimi i shprehur nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, gjatë homelisë së meshës, që mbylli Festivalin e Doktrinës Shoqërore të Kishës, në katedralen e Veronës, në Itali, me temë “Trimëri në shpresë. Krijimtari me guxim”.

Kardinali përmendi Papën Françesku dhe enciklikën “Fratelli tutti” për të kujtuar se “pandemia e fundit na dha mundësinë të vlerësojmë shumë shokë e shoqe udhëtimi, të cilët, pavarësisht nga frika, reaguan duke dhuruar jetën”, si mjekët, infermierët, infermieret, farmacistët, punonjësit e supermarketeve, pastruesit, kujdestarët, transportuesit dhe gratë, që punojnë për të ofruar shërbime dhe siguri themelore, vullnetarët, meshtarët e murgeshat. “E kuptuam - shtoi kardinali Parolin - se askush nuk mund të shpëtojë i vetëm”.

Në një intervistë për Radio Vatikanin – Vatican News, për Tv2000 dhe për Telepace-n, në përfundim të Festivalit, që reflektoi rreth fjalëve “shpresë, krijimtari e guxim”, kardinali Parolin shpjegoi ç’do të thotë të përhapësh shpresën në ditët e sotme…

Mendoj se sot ndihet fort nevoja për të dikuar shpresën, por kjo duhet bërë konkretisht, jo vetëm me thirrje të përgjithshme për shpresë, të cilat i lënë gjërat siç janë, por me udhëzime konkrete, operative, përmes të cilave mund të realizohen rrugë e shtigje shprese. Në këtë kuptim, duke iu referuar edhe temës së Festivalit, unë besoj se doktrina shoqërore mund të jetë njëra prej këtyre, madje, duhet të jetë njëra nga këto rrugë, pikërisht sepse ofron pista reflektimi, por edhe kritere për gjykim, këshilla dhe udhëzime për veprim, sipas të cilave mund të ecim në fushat me interes për të gjithë. Sigurisht, besimtarët i referohen Doktrinës Shoqërore të Kishës, por mendoj se ajo është me interes edhe për jobesimtarët, sepse kur flasim për çështje si paqja, puna, zhvillimi, jeta civile, jeta e përbashkët, politika... besoj se këto janë fusha, që u interesojnë të gjithëve. Prandaj, Doktrina Shoqërore e Kishës është një hapësirë shprese ku njeriu mund të ndërtojë dhe të ndjekë me të vërtetë shtigjet e shpresës në botën e sotme.

Kardinali Parolin, jemi në Kohën e Ardhjes, edhe sivjet në pandemi. Si ta jetojmë këtë periudhë?

Ta jetojmë me përgjegjësinë e atyre, që e dinë se zgjidhja e këtij problemi tragjik, i cili ende ekziston, varet sigurisht nga forca e njerëzve, pra, nga përpjekjet që bëjnë njerëzit. Prandaj, mendoj se duhet të ketë një përkushtim të vazhdueshëm, një përgjegjësi të vazhdueshme përsa i përket vaksinës dhe punës për të kërkuar terapi të reja. Është e rëndësishme të vazhdojmë përpjekjet për të gjetur trajtimet më të përshtatshme. Nga ana tjetër, Koha e Ardhjes është periudhë, që na bën thirrje të takohemi me Zotin, t’ia hapim zemrën, duke e ditur se përpjekjet tona nuk mund të jenë të frytshme, përveçse me Hirin e Tënzot. Prandaj, t’ia hapim gjithnjë e më shumë zemrën Atij dhe ardhjes së Tij, hirit dhe fuqisë së Tij. Pra, gjithmonë, ky drejtim i dyfishtë: përpjekja e njeriut, e cila nuk mund të mungojë kurrë, por, njëkohësisht, edhe besimi në Hirin e Tënzot.

29 nëntor 2021, 12:20