Kardinali Ayuso në Moskë, vizitë e përqendruar mbi dialogun ndërfetar
R.SH. - Vatikan
Ndodhet këto ditë në Moskë, i ftuar nga qeveria e Federatës Ruse, kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot. Kardinali - i shoqëruar nga imzot Lucio Sembrano, zyrtar i të njëjtit Dikaster, dhe nga imzot Piotr Tarnowski, sekretar i Nunciaturës Apostolike në Moskë - pati disa takime. Dje paradite, një vizitë kortezie tek metropoliti Hilarion i Kishës Ortodokse Ruse, pasuar nga një takim me myftiun Ravil Gainutdin, kryetar i Drejtorisë Shpirtërore të Myslimanëve në Rusi. Pasdite, kardinali Ayuso u prit nga myftiu Albir Krganov, kryetar i Asamblesë Shpirtërore të Myslimanëve Rusë.
Bisedime për dialogun ndërfetar dhe për të mirën e përbashkët
Bisedimet u karakterizuan nga një atmosferë e përzemërt. Temat kryesore të tyre ishin dialogu dhe bashkëpunimi ndërfetar për të mirën e njerëzimit, në dritën e Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi në shkurt 2019, si edhe të enciklikës së Papës Françesku “Fratelli tutti”. Në mbrëmje, kardinali Ayuso u prit nga kryeipeshkvi katolik, imzot Paolo Pezzi në katedralen e Zojës së Papërlyer, ku u takua me bashkësinë e besimtarëve dhe kremtoi meshën.
Takimet e 25 nëntorit
Më 25 nëntor, kardinali takoi Mikhail Bogdanov, Zv.ministrin e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse për Lindjen e Mesme dhe vendet afrikane, si edhe ambasadorin Konstantin Shuvalov, përfaqësues i veçantë i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse për bashkëpunimin me shtetet myslimane. Me ta, kreu i Dikasterit vatikanas trajtoi çështjen e respektimit të të drejtave të pakicave dhe veçanërisht, atë të lirisë fetare.