Kërko

Fillimi i udhës sinodale Fillimi i udhës sinodale

Sinodi, imzot Coda: ngjarja më e rëndësishme pas Koncilit

“Për herë të parë në dy mijë vite krishterim përfshihet i gjithë Populli i Zotit”. Imzot Piero Coda, anëtar i Komisionit teologjik të Sinodit 2021-2023, komenton fjalët e Papës në dy ditët për nisjen e procesit sinodal, duke vënë në dukje se “pjesëmarrja nuk është sa për sy e faqe, është çështje identiteti”

R.SH. - Vatikan

“E ritheksoj se Sinodi nuk është parlament, nuk është hetim mbi opinionet” e ndryshme, pohoi Papa Françesku në Sallën e Sinodit të Ri, të shtunën më 9 tetor, në fjalën e tij për hapjen e Sinodit 2021-2023, kushtuar temës “Për një Kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje, mision”. I njëjti koncept u përsërit nga Papa edhe të nesërmen, të dielën, më 10 tetor, në homelinë e meshës për përurimin solemn të Sinodit. Nuk duhet të jetë “mbledhje” kishtare, “konferencë studimi”, ose “kongres politik”, shtoi Papa Françesku, për të nënvizuar se Sinodi është ngjarje hiri, “proces shërimi i udhëhequr nga Shpirti Shenjt”. Sipas imzot Piero Coda-s, anëtar i Komisionit Teologjik të Sinodit, i emëruar kohët e fundit Sekretar i Përgjithshëm i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, fjalët e Papës sqarojnë se këmbëngulja në favor të sinodalitetit e të pjesëmarrjes “nuk është çështje demokratizimi”, por “çështje identiteti të thellë”. Për teologun, profesor në Institutin e Universitetit Sophia të Loppiano-s, sinodi i saponisur në Vatikan është “ngjarja më e rëndësishme kishtare pas Koncilit II të Vatikanit”. “Për herë të parë, në dy mijë vitet e historisë së Kishës - shpjegon ai në mikrofonin e Radio Vaticanit/Vatican News - një Sinod është i thirrur të përfshijë gjithë Popullin e Zotit”. Ta dëgjojmë…

Ka rrezik të keqkuptohemi. Ka rrezik të mendojmë se sinodaliteti në jetën e Kishës do të thotë hapje ndaj një lloj demokratizimi, ku vendos loja ndërmjet shumicës dhe pakicës. Por jo, nuk është kështu. Në Kishë dikon Shpirti Shenjt, prandaj, protagonisti i vërtetë i Sinodit është pikërisht Shpirti Shenjt, i cili - siç thotë gjithnjë Papa Françesku - harmonizon dallimet, i pajton ato, i bën të bashkohen në unitetin, që është vetë Krishti, i gjallë dhe i pranishëm në Kishën e tij. Prandaj, procedura sinodale nënkupton vënien në veprim të gjithçkaje, për të cilën Kisha është Kishë: Popull i Zotit për udhë, simfoni larmish, që konvergjojnë në unitetin për t’i shërbyer botës.

Prandaj, Papa ngul këmbë në nevojën e lutjes së adhurimit e të dëgjimit të Shpirtit Shenjt…

Si në hapjen e punimeve të procesit sinodal, ashtu edhe në meshën e përurimit, Papa pohoi se duhet inkurajuar lutja e Adhurimit. Më bëri përshtypje kjo! Besoj se Françesku dëshiron të na kujtojë që jeta në Krishtin është në thelb dhe para së gjithash, hapje e zemrës dhe e mendjes së secilit për të dëgjuar zërin e Shpirtit Shenjt, për adhurimin e fytyrës së Krishtit, e cila na hap ndaj misterit të pashqyrtueshëm të dashurisë së Atit Qiellor. E kjo do të thotë “adhurim”. Kjo do të thotë të jemi të gatshëm, mirënjohës, të vetëdijshëm se marrim gjithçka nga dashuria e Atit, se ai na do i pari e, rrjedhimisht, ne jemi të thirrur të dëgjojmë të tjerët dhe t’ua dhurojmë atyre dashurinë e Tij. Ja, këtu qëndrojnë rrënjët e jetës kishtare dhe ato të procesit sinodal.

Pse, pikërisht një Sinod mbi Kishën sinodale?

Mendoj, por nuk dua të dukem si shumë entuziast, se kjo është ngjarja më e rëndësishme, më strategjike kishtare, që nga Koncili II i Vatikanit. Koncili na bëri ta rizbulojmë Kishën ashtu siç është: unitet në emër të Atit, Birit e Shpirtit Shenjt, bashkim dhe mision. Sot, pas një rrugëtimi, në të cilin kemi gjetur energji të reja dhe kemi fituar përvojë, jemi gati të bëjmë një hap të mëtejshëm. Sot, mund ta zbatojmë në jetë, me të gjitha shprehjet e bashkimit dhe të misionit të Kishës, atë pjesëmarrje në misterin e Krishtit, në të cilin kemi hyrë për hir të Pagëzimit. Pra, të kremtojmë një Sinod mbi sinodalitetin nuk do të thotë ta bëjmë si për çdo temë tjetër, por të hyjmë në identitetin më të thellë të Kishës, e cila bëhet konkrete përmes bashkësisë dhe misionit, historikisht e rëndësishme kur është shprehje e pjesëmarrjes së të gjithëve. Kisha është e tillë, në fakt, vetëm kur ajo mbahet nga supet e të gjithëve, kur zemra e saj përbëhet nga zemrat e të gjithëve, në shërbim të vëllezërve, veçanërisht duke filluar nga të fundmit, nga të mënjanuarit e nga periferitë ekzistenciale dhe shpirtërore të kohës sonë.

Përsa i përket pjesëmarrjes, në fjalimin e tij për hapjen e Sinodit, Papa Françesku pohoi se kemi të bëjmë me “një kërkesë feje e jo stili”. Pse ky saktësim?

Sipas meje, sepse Papa donte të theksonte që pjesëmarrja nuk është thjesht opcion, domethënë, nuk ka të bëjë me ndonjë kozmetikë kishtare, për të treguar se jemi “politikisht korrekt”, të aftë për një farë niveli bashkëpunimi. Përkundrazi, është çështje e identitetit të thellë. Në fakt, marrim pjesë në misterin e vetëm të Krishtit e së bashku me Krishtin, - thotë Besëlidhja e Re - jemi trashëgimtarë të dhuratës së pafund të dashurisë, që Ati na e jep përmes Shpirtit Shenjt. Prandaj, ose e vëmë në veprim këtë pjesëmarrje në jetën e hirit të fesë dhe të dashurisë, me shpresën e Krishtit, ose nuk jemi deri në fund ata, që duhet të jemi, pasi kemi marrë hirin e Pagëzimit. Pra, është çështje identiteti dhe jo thjesht kozmetikë kishtare.

Atëherë, Sinodi pranon se deri tani, jo të gjithë të pagëzuarit kanë marrë pjesë plotësisht në zhvillimin e Kishës, apo jo?

Kjo gjendje është fakt historik. Në Kishë, për shekuj me radhë, në mijëvjeçarin e dytë, nga reforma Gregoriane deri në Koncilin II të Vatikanit, për shkak të nevojës së zhvillimit historik, të arritjes së pjekurisë e për misionin e Kishës në një botë të vështirë, kryesisht piramidale, mbizotëronte vizioni hierarkik. Shpesh, kjo e pengoi vlerësimin e të gjitha energjive të Shpirtit në Popullin e Zotit. Megjithëse ka pasur shenjtorë të mëdhenj, lëvizje të mëdha për përtëritjen shpirtërore, ishin shprehje që nuk i përfshinin plotësisht të gjitha gjymtyrët e Popullit të Krishtit. Me Koncilin II të Vatikanit, filloi të flitet për thirrjen universale në shenjtëri, të gjithë kemi të njëjtin dinjitet si Popull i Zotit, prandaj çasti historik, Kairòs, siç thotë Jezusi në Besëlidhjen e Re - pra, çasti i Zotit - është pikërisht ky.

 Ky është edhe Sinodi i parë, që kremtohet sipas një mekanizmi, përmes të cilit dëgjimi i Popullit të Zotit bëhet strukturor…

Siç përcaktohet nga dokumenti “Episcopalis communio”, i menduar nga Papa Françesku pikërisht për rinovimin e Institutit të Sinodit të Ipeshkvijve, themeluar nga Papa shenjt Pali VI pas Koncilit II të Vatikanit, ky Sinod zhvillohet në një formë sigurisht të re, e cila përfshin tre faza kryesore. Etapën e përfshirjes së gjithë Popullit të Zotit, që zhvillohet në Kishat lokale. Pastaj, kremtimin e Sinodit të Ipeshkvijve në Vatikan, ku mblidhen të gjitha kërkesat e propozimet, që dalin nga dëgjimi i Popullit të Zotit. E, më pas, etapën e kthimit në Kishat vendase, me pranimin dhe interpretimin krijues të rezultateve të arritura. Duhet të kemi parasysh se jo vetëm kemi të bëjmë me risi për këtë dinamikë procesi në rrugëtim, por është hera e parë në dy mijë vitet e historisë së Kishës që përfshihet i gjithë Populli i Zotit në një ngjarje të këtij lloji. Mendoj se duhet ta falënderojmë Hyjin, të impenjohemi me shumë përgjegjësi, që askush të mos e sodisë Sinodin nga dritarja e që të mos e humbasim këtë mundësi.

13 tetor 2021, 09:04