Francë-Vatikan, Parolin: bashkëpunim i plotë, në respekt të natyrës së secilit
R.SH. - Vatikan
“Përzemërsi”dhe “vlerësim”: këto janë fjalët, që përdorën Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin dhe kryeministri francez Jean Castex për të folur mbi marrëdhëniet ndërmjet Francës dhe Selisë së Shenjtë, 100 vite pas rivendosjes së lidhjeve diplomatike, në maj 1921. Njëqind vite, gjatë të cilave ka pasur edhe kriza e keqkuptime - dhe jo vetëm gjatë shekullit të kaluar – por, gjithsesi, dialogu dhe besimi reciprok kanë mbizotëruar. Kardinali dhe kryeministri, pritur nga Papa Françesku në Vatikan sot paradite, u takuan mbrëmë në Vila Bonaparte, selia e ambasadës franceze në Selinë e Shenjtë, për të kremtuar këtë përvjetor të rëndësishëm, që shënon rinovimin e marrëdhënieve dypalëshe pas një ndërprerjeje 17-vjeçare, nga fillimi i shekullit XX deri në vitet pas përfundimit të Luftës I Botërore. Në fund të mbrëmjes, kardinali Parolin u nderua me Kryqin e Komandantit të Legjionit të Nderit.
Çështja e abuzimeve
Që nga viti 1921, marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Franceze janë karakterizuar nga “një klimë përzemërsie”, pohoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, i cili nuk mungoi të përmendte raportin e ndryshëm të Kishës në Francë me shtetin e laicitetin e tij, ku Zoti dhe Cezari dallohen nga njëri-tjetri, por nuk janë detyrimisht kundërshtarë. U përmend edhe raporti i fundit mbi abuzimet, botuar nga komisioni i pavarur Ciase, i cili zbuloi abuzime të shumta dhe të përsëritura të të miturve nga anëtarët e klerit gjatë shtatëdhjetë viteve. Lidhur me këtë çështje të dhimbshme, kardinali Parolin theksoi angazhimin e Kishës franceze, në bashkëpunim të plotë me autoritetet civile, por gjithmonë “duke respektuar natyrën, misionin dhe strukturën sakramentore të Kishës”.
Impenjimi për paqen në Lindjen e Mesme
Në fjalën e tij, kardinali Parolin vuri në dukje edhe frytet e shumta të marrëdhënieve ndërmjet Francës dhe Selisë së Shenjtë: nga respektimi i të drejtave të njeriut në promovimin e paqes e të qëndrueshmërisë, nga mbrojtja e pakicave fetare në dialogun ndërfetar, pa harruar temën e ambientit, me COP21 në Paris, në vitin 2015, së cilës i dha një shtysë të fuqishme enciklika “Laudato sì”. Por, sidomos në Lindjen e Mesme, bashkëpunimi ndërmjet diplomacisë së Vatikanit dhe Francës ka qenë më frytdhënës, në kontributin për paqen dhe stabilitetin në një rajon shumëfetar. “Secili prej nesh, - nënvizoi kardinali Parolin - duke punuar në fushën tonë të kompetencës, dëshiron të japë kontributin në rindërtimin e vendeve të rajonit, të sprovuara rëndë nga lufta dhe dhuna, ku bashkësitë e ndryshme fetare kanë jetuar së bashku për shekuj”. Selia e Shenjtë e Franca shqetësohen veçanërisht për gjendjen në Liban e ndajnë përgjegjësi të përbashkëta në botë, pavarësisht se me mjete e me objektiva të ndryshme, shtoi kardinali.
Ligji e laiciteti
Nga ana e tij, Castex u ndal gjerësisht në çështjen e laicitetit, duke kujtuar se ligji i ndarjes ndërmjet Kishës dhe Shtetit, në vitin 1905, u dha fund shtatë shekujve galikanizmi, duke i kthyer Kishës lirinë e plotë. “Laiciteti - tha kryeministri - larg nga të qenit një mjet për ta përjashtuar fenë nga hapësira shoqërore dhe debati publik, siç pretendojnë disa, thjesht, kufizon sferat e ndërhyrjes së shtetit nga njëra anë dhe të fesë nga ana tjetër. Nuk është fjala për ndonjë konflikt transhendence - theksoi ai - por thjesht për t’i kthyer Republikës atë që i përket Republikës dhe Zotit atë që i përket Zotit”. Castex deshi ta siguronte Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë se ligji mbi parimet e Republikës e modernizon dhe e forcon statutin e shoqatave fetare dhe dioqezane. Për problemin e abuzimeve, nënvizoi se tani i takon Kishës “të gjejë përgjigjet e duhura”, por ndarja Kishë-Shtet “nuk është aspak ndarje ndërmjet Kishës dhe Ligjit”.