Kërko

Imzot Paul Richard Gallagher Imzot Paul Richard Gallagher

Imzot Gallagher flet për 30-vjetorin e marrëdhënieve Seli e Shenjtë – Shqipëri

Fjala e imzot Paul Richard Gallagher, Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, në takimin me temë “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në sfidën për lirinë fetare”, mbajtur në Romë e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, përmes së ngarkuarës me punë, znj. Majlinda Dodaj, reflektoi mbi udhën e kryer nga Tirana e Vatikani në 30 vitet e marrëdhënieve diplomatike, pas komunizmit.

R.SH. - Vatikan

Në takimin e djeshëm me temë “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në sfidën për lirinë fetare”, mbajtur në Romë e organizuar nga ambasada e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, përmes së ngarkuarës me punë, znj. Majlinda Dodaj, Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, përshëndeti të pranishmit dhe reflektoi mbi udhën e kryer nga Tirana e Vatikani në 30 vitet e marrëdhënieve diplomatike, pas komunizmit.

Liria fetare dhe regjimi komunist

 Pasi vuri në dukje rëndësinë, që i jep magjisteri papnor lirisë fetare, duke cituar Papën Françesku i cili ka thënë se “Liria fetare nuk është vetëm ajo e një mendimi, ose e një kulti privat. Është liri për të jetuar sipas parimeve etike, që rrjedhin nga e vërteta e rigjetur, si privatisht, ashtu edhe publikisht”, imzot Gallagher nënvizoi se historia e marrëdhënieve ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shqipërisë është edhe historia e lirisë fetare në vend. Përshkoi udhën e këtyre marrëdhënieve që nga viti 1920, kur u vendos Delegacioni Apostolik në Shqipëri, deri në vitin 1945, kur Legati i atëhershëm, imzot Leone Nigris, u shpall “persona non grata” e, më pas, në emërimin e imzot Frano Gjinit (pushkatuar në vitin 1948) në vend të tij për të përfunduar në mohimin e të drejtës për lirinë fetare në Shqipëri nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, i cili e shpalli vendin ateist, mbylli e shkatërroi kisha e xhamia dhe persekutoi besimtarët.

 “Vetëm pas vdekjes së Enver Hoxhës, në vitin 1985, katolikët filluan të përfitojnë nga koncesionet e ofruara nga qeveria në fushën fetare, megjithëse me një lloj dyshimi të kuptueshëm”, nënvizoi imzot Gallagher, i cili kujtoi fjalët e Papës shenjt Gjon Pali II, që gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në vitin 1993, tha se “çfarë ka ndodhur këtu, nuk ka ndodhur kurrë në histori”. Në fjalën e tij, Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet përshkoi ndryshimet e viteve ’90 dhe rifitimin e lirisë fetare, tashmë, sanksionuar me Kushtetutë.

Rilindja e katolicizmit dhe e bashkësive të tjera fetare

 Në këtë kuadër, vijoi ai, më 7 shtator 1991 rifilluan marrëdhëniet diplomatike edhe ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë. “Më 22 tetor 1991, imzot Ivan Dias emërohet nunc i parë apostolik në Tiranë e nga ai çast, kryen përkohësisht edhe funksionin e Administratorit Apostolik për gjithë Shqipërinë. 2 nëntori 1991 shënoi rilindjen e katolicizmit në Shqipëri. Atë ditë, don Simon Jubani, meshtar i moshuar, që pati kaluar 26 vite në burgjet e Enver Hoxhës e ishte liruar më 1989, i bindur nga njerëzit, kremtoi meshën në publik në hyrje të varrezave të Shkodrës, para rreth 100 personave të frikësuar e të shtangur, të cilët, për herë të parë, patën guximin të dalin haptas”. E imzot Gallagher, duke dëshmuar se e njeh mirë historinë e katolicizmit në Shqipëri, kujtoi edhe se shtatoret e engjëjt e varrezës së Rrmajit u qëlluan nga ushtarët në vitin 1967 si të kishin qenë armiq.

Erdhi 25 prilli i vitit 1993 e gjatë vizitës së tij në Tiranë e Shkodër, Papa Gjon Pali II shuguroi 4 ipeshkvijtë e parë. Më 23 mars 2002 u nënshkrua Marrëveshja ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë mbi Rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella. Më 3 dhjetor 2007 u nënshkrua Marrëveshja ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë mbi disa çështje ekonomike e fiskale. E kështu ndodhi edhe me bashkësitë e tjera fetare.

“Në këtë mënyrë, - theksoi imzot Gallagher - Shqipëria plotësoi kuadrin normativ jo vetëm lidhur me marrëdhëniet me Kishën Katolike, por edhe me kultet e tjera kryesore të pranishme në vend. Së fundi, Marrëveshjet e nënshkruara zbatojnë plotësisht dispozitat kushtetuese dhe bashkësitë fetare të njohura fitojnë dinjitet të plotë ligjor dhe gëzojnë trajtim të barabartë nga shteti shqiptar”.

Përfundime

“Pas shumë vitesh ateizmi – vuri në dukje imzot Gallagher, duke e përfunduar fjalën e tij – gjatë të cilave, siç ka thënë Papa Françesku: ‘Shqipëria, për fat të keq, ka qenë dëshmitare për sa dhunë e për sa drama mund të shkaktojë përjashtimi me forcë i Zotit nga jeta personale dhe komunitare”, në jetën e shoqërisë shqiptare filloi një periudhë e re historike. U kthyen veprimtaritë fetare dhe të gjitha bashkësitë fetare luajnë sërish një rol të rëndësishëm në jetën e shqiptarëve. Si institucionet e bashkësive fetare, ashtu edhe autoritetet shtetërore, marrin pjesë në procesin dinamik të kthimit në traditën e tyre. U kthye liria fetare, e cila, gjithsesi, është edhe sfidë, sepse, siç thoshte Shën Gjon Pali II, “liria e vërtetë fetare u ikën tundimeve të intolerancës dhe të sektarizmit dhe nxit dialogun konstruktiv e plot respekt’, sidomos në botën e sotme të globalizuar”.

Së fundi, imzot Gallagher shprehu vlerësimin e tij për kujdesin që kanë autoritetet civile shqiptare ndaj Kishës Katolike e ndaj Selisë së Shenjtë, e cila, nënvizoi ai, nuk do të mungojë ta mbështesë vendin në udhën drejt bashkimit të plotë me familjen e popujve evropianë.

06 tetor 2021, 14:32