Kërko

Sinodi i Ipeshkvijve i vitit 2019 Sinodi i Ipeshkvijve i vitit 2019

Sinodi në dëgjim të besimtarëve, botohet Dokumenti përgatitor për fazën e konsultimit

Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit shpërndan tekstin përgatitor dhe Doracakun, që përvijon udhën mbi temën e sinodalitetit të Takimit, që do të hapet më 9 e10 tetor në Romë dhe më 17 në Kishat e veçanta, për të përfunduar më pas me asamblenë në Vatikan, në vitin 2023

R.SH. - Vatikan

Të dëgjojmë, “pa paragjykime”. Të marrim fjalën, “me guxim dhe parrezi”. Të dialogojmë me Kishën, me shoqërinë dhe me emërtimet e tjera të krishtera. Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit publikon Dokumentin përgatitor dhe Doracakun, që përmban udhëzimet mbi të cilat do të orientohet rruga e Sinodit mbi sinodalitetin, që do të hapet solemnisht më 9-10 tetor në Romë dhe më 17 në Kishat e veçanta, për të përfunduar më pas me takimin e ipeshkvijve në Vatikan, në vitin 2023.

Doracaku, "manual" për Kishat lokale

Dokumenti synon të jetë sidomos “mjet” për të favorizuar fazën e parë të dëgjimit dhe të këshillimit me Popullin e Zotit në Kishat e veçanta, nga tetori 2021 në prill 2022. Ndërsa Doracaku është konceptuar si një “manual”, që u jep “mbështetje praktike” referentëve dioqezanë, në mënyrë që ata të përgatisin Popullin e Zotit. Përmban lutje, që mund të gjenden edhe online, shembuj nga Sinodet e fundit, një fjalor termash për procesin sinodal. “Jo libër rregullash”, por “udhëzues për të mbështetur përpjekjet e çdo Kishe lokale”.

Të ecim së bashku si Kishë sinodale

Në bazën e të dyja botimeve ka një pyetje themelore: “Si realizohet sot, në nivele të ndryshme (që nga ai lokal në atë universal) ajo ‘ecje së bashku’, e cila i jep Kishës mundësinë të kumtojë Ungjillin, në përputhje me misionin që i është besuar; dhe çfarë hapash na fton të ndërmarrim Shpirti Shenjt për t’u zhvilluar si Kishë sinodale?”

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, Sekretaria e Sinodit nënvizon nevojën për të “jetuar një proces kishtar” ku të marrin pjesë të gjithë. Proces, që u jep mundësi, sidomos më të mënjanuarve, të shprehen dhe të dëgjohen, por edhe udhë, që njeh dhe vlerëson shumëllojshmërinë e karizmave, duke shqyrtuar “si jetohet përgjegjësia dhe autoriteti në Kishë”. Më pas, i kërkohet bashkësisë së krishterë të bëhet “subjekt dhe partner i besueshëm” në proceset e dialogut, pajtimit, përfshirjes e pjesëmarrjes, si edhe “të rigjallërojë marrëdhëniet” me përfaqësuesit e feve të tjera, me organizatat e shoqërisë civile dhe me lëvizjet popullore.

Kriza, pandemia, abuzimet

Pra, është fjala për hapa konkrete, në një kuadër historik të karakterizuar nga “tragjedia” e Covid-19 dhe në një çast kur Kisha përballet me mungesën e besimit, me korrupsion e abuzime. Pikërisht mbi gjurmët e lëna nga vuajtja, duhet të hapen shtigjet për të krijuar baza të reja në udhën e jetës kishtare.

Në dokument, u kushtohet hapësirë e gjerë laikëve. Theksohet se të gjithë të pagëzuarit janë “subjekte aktive ungjillëzimi” dhe se barinjtë e Kishës duhet ta dëgjojnë pa frikë grigjën e Zotit. Në fakt, në një Kishë sinodale, secili mund të mësojë diçka nga tjetri.

Teksti përgatitor më pas propozon pyetjet, që duhet të orientojnë konsultimin me Popullin e Zotit, duke filluar nga ecja e përbashkët në Kishë. Nxitet shqyrtimi i përvojave dioqezane në këtë drejtim, duke pasur parasysh marrëdhëniet e brendshme ndërmjet besimtarëve, klerit, famullive, por edhe ndërmjet ipeshkvijve e formave të ndryshme të jetës rregulltare, shoqatave, lëvizjeve, universiteteve e institucioneve bamirëse. Gjithashtu, duhen marrë në konsideratë nismat e përbashkëta me fetë e tjera dhe me botën e politikës, kulturës, financave, punës, sindikatave dhe pakicave.

Sinodalitet i jetuar

Së fundi, dokumenti paraqet dhjetë grupe tematike mbi “sinodalitetin e jetuar”. Ndër to: të reflektojmë kush bën pjesë në atë, që e quajmë “Kisha jonë”; të dëgjohen të rinjtë, gratë, rregulltarët, të mënjanuarit, të përjashtuarit; të shikohet nëse promovohet një stil komunikues autentik në bashkësi, pa dyfytyrësi; të vlerësohet si e ndihmojnë udhën e përbashkët lutja dhe liturgjia; të reflektohet si i mbështet bashkësia anëtarët e angazhuar në shërbim; të rimendohen vendet dhe mënyrat e dialogut në dioqeza, me dioqezat fqinje, me bashkësitë dhe lëvizjet fetare, me institucionet, me ata që nuk besojnë. E më pas: ta pyesim veten si ushtrohet autoriteti në Kishën e veçantë, si merren vendimet, cilat mjete promovohen për transparencën dhe llogaridhënien, si formohen ata që kanë detyra me përgjegjësi.

Frytet e reflektimeve, shpjegon Sekretaria e Sinodit, do të përmblidhen në rreth dhjetë faqe. Qëllimi “nuk është prodhimi i dokumenteve”, por lulëzimi i ëndrrave, profecive dhe shpresave.

07 shtator 2021, 11:30