Kërko

Kardinali MARIO GRECH, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve Kardinali MARIO GRECH, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve

Sinodi, Grech: ipeshkvijtë të përfshijnë të pagëzuarit

Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, në një intervistë për Vatican News, shpjegon rëndësinë e fazës së parë dioqezane të rrugës sinodale, që do të hapet më 10 tetor. “Konsultimi është fazë themelore, duhet të përfshijë jo vetëm katolikët, por gjithë të pagëzuarit” në Krishtin

R.SH. - Vatikan

Faza dioqezane e Sinodit të ardhshëm, e cila fillon në tetor, nuk do të jetë përgatitore, por Sinodi i vërtetë. Kjo risi u kujtua të martën, më 7 shtator, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, gjatë konferencës për të paraqitur “Dokumentin Përgatitor” dhe “Udhëzuesin” për Asamblenë XVI të Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, me temë: “Për një Kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje e mision”, që do të përfundojë në vitin 2023. Kardinali Mario Grech, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, njoftoi se Papa Françesku do ta hapë solemnisht këtë udhë sinodale më 10 tetor në Romë, ndërsa të dielën në vijim, më 17, çdo ipeshkëv do të kremtojë një meshë përurimi në Kishat e veçanta.

         Ndërmjet tetorit 2021 dhe po atij muaji në vitin 2023, udha ndahet në tri faza, duke kaluar nga ajo dioqezane në atë kontinentale, për të përfunduar në nivelin e Kishës universale. “Dokumenti Përgatitor” është mjet “për fazën e parë të dëgjimit dhe të këshillimit me Popullin e Zotit në Kishat e veçanta (tetor 2021 - prill 2022), me shpresën për të vënë në lëvizje idetë, energjinë dhe krijimtarinë e të gjithë atyre, që do të marrin pjesë në këtë itinerar”. Pikërisht për këtë fazë, Radio Vatikani / Vatican News intervistoi kardinalin Mario Grech, i cili flet për protagonistët e fazës së parë të konsultimit...

         [Protagonist është] Populli i Zotit e, siç shkruhet në “Lumen gentium”, kur themi Populli i Zotit flasim për të gjithë, nga Pjetri, tek Ati i Shenjtë e tek i pagëzuari i fundit. Të gjithë të pagëzuarit kanë mundësinë për t’i komunikuar bariut të tyre e Kishës gjithçka janë të bindur se Shpirti Shenjtë dëshiron t’i përçojë Kishës së sotme. Madje unë them se rrethi është edhe më i gjerë: kjo nuk është thirrje vetëm për anëtarët e Kishës Katolike, por për gjithë të pagëzuarit, sepse kjo udhë ka edhe një përmasë ekumenike.

         Në Sallën e Shtypit u ripropozua tema e votimit të grave gjatë fazës së asemblesë. Ç’mendoni për këtë?

         Gjatë fjalës sime në konferencën për shtyp, i ftova gazetarët të mos kërkojnë lajme të bujshme gjatë këtij procesi sinodal. Do të doja që të gjithë të përpiqemi ta jetojmë atë intensivisht dhe sinqerisht, duke vlerësuar të gjitha anët pozitive të këtij propozimi. Përsa i përket votës së grave, unë them se gjëja më e rëndësishme tani është që me ndihmën e Shpirtit Shenjt, me vullnet të mirë dhe me pak durim, të përpiqemi ta dëgjojmë njëri -tjetrin. Kështu, ndoshta, do të vijë koha kur nuk do të ketë më nevojë për votim. Të gjithë mund të kontribuojmë dhe të marrim pjesë në arritjen e këtij çasti. Nëse duam një udhë sinodale, duke të ulemi në dy gjunj të mëdhenj e t’i lutemi për ndihmë Shpirtit Shenjt. Falënderoj ipeshkvijtë dhe i ftoj t’ia shpërndajnë gjithë Popullit të Zotit dy dokumentet e sapobotuara për Sinodin.

10 shtator 2021, 12:53