Kërko

Papa Françesku në Sllovaki Papa Françesku në Sllovaki

Shekullarizimi dhe “alfabetet” e reja për të kumtuar fenë

Papa Françesku i tregon Kishës në Sllovaki dhe në të gjithë Evropën rrugën për të “jetuar brenda” botës me përvujtëri e pa nostalgji për të kaluarën

ANDREA TORNIELLI

Udhëtimi në Sllovaki na jep mundësi ta kuptojmë rrugën për t’u ndjekur, që Françesku u sugjeron Kishave të gjithë Evropës, jo vetëm atyre të Lindjes. Para së gjithash, Papa propozon një këndvështrim plot realizëm: edhe kombet martire, që kanë njohur persekutimin e totalitarizmit komunist, sot përballen me një shekullarizim galopant dhe me breza, që nuk kanë më asnjë kontakt me atë histori, mbrujtur me heroizëm, me rezistencë dhe me një identitet fetar, jetuar me krenari. Të rinjtë “shpesh mashtrohen nga fryma e konsumizmit, që e zbeh jetën” dhe shoqëritë, dikur krenare për traditat e tyre, tani përjetojnë kolonizimin ideologjik, reduktimin e progresit në përfitime materiale, konceptimin e të drejtave sikur të përkonin me dëshirat individualiste.

Përballë gjithë kësaj, Papa Françesku shpjegon se përgjigjja ndaj shekullarizimit nuk është të mbyllesh në vetvete, sepse Kisha nuk është kështjellë apo fuqi, që e shikon botën e distancuar, nga lart. Përkundrazi, kemi nevojë për një Kishë të përvuajtur si Jezusi, që ecën e bashkuar, që nuk ndahet nga bota, por “banon brenda saj”. Kemi nevojë për një Kishë, që nuk fshihet pas uniformitetit dhe rregullave të ngurta, por rrit e shton lirinë, duke respektuar rrugët e secilit. Një Kishë krijuese siç ishin shenjtorët e këtyre viseve, Cirili dhe Metodi, të cilët shpikën një alfabet të ri për t’ia komunikuar fenë popullit. Gjetja e “alfabeteve” të reja për të kumtuar Ungjillin, pa nostalgji për një të kaluar tashmë të vjetër, është detyra më urgjente për Kishat ndër popujt e Evropës.

13 shtator 2021, 17:02