Kërko

Papa është kthyer në Romë

Përfundoi sot udhëtimi 34-tё ndёrkombёtar i Papёs në zemër të Evropës, Hungari e Sllovaki, vende ku përqafoi popujt e plagosur nga totalitarizmat, “por me vështrim drejt së ardhmes”. Posa mbërriti në Romё, Papa u ndalua në Bazilikën e Shёn Marisё sё Madhe, para ikonës së Virgjërës Mari Salus Populi Romani, për t'u lutur e falënderuar Zotin pёr shtegtimin e tij tё 34-të ndёrkombёtar dhe pas lutjes u kthye në Vatikan.

R.SH. - Vatikan

Përfundoi sot udhëtimi 34-tё ndёrkombёtar i Papёs Françeskut në zemër të Evropës, Hungari e Sllovaki, vende ku përqafoi popujt e plagosur nga totalitarizmat, “por me vështrim drejt së ardhmes”. 

Papa fillimisht vizitoi Budapestin, më 12 shtator, Hungari, me rastin e Kongresit të 52 -të Ndërkombëtar Eukaristik. Mё pas vazhdoi shtegtimin apostolik në Sllovaki nga data 12 deri mё 15 shtator, ku sot, ditën e katërt e tё fundit, në solemnitetin e Zojёs sё Dhimbshme, kryesoi Meshën e shenjtë në Shenjtëroren Kombëtare të Šaštín. Pas kremtimit Eukaristik, Papa shkoi në aeroportin e Bratislavës ku u prit nga Presidentja e Republikës, Zuzana Čaputová. Pas një takimi privat me kryetaren e shtetit sllovak, gardën e nderit dhe përshëndetjen e delegacioneve, Papa Françesku u nis me avion drejt Romёs, ku mbërrini pasdite rreth orёs 15.00.

Menjëherë pas largimit të tij me aeroplan nga Bratislava, Ati i Shenjtë Bergolgio i dërgoi një telegram Presidentes së Republikës së Sllovakisë, në të cilin i shpreh mirënjohjen e thellë popullit sllovak për mikpritjen e pёrzemёrt dhe bujare. "Me kthimin nga udhëtimi im apostolik në Budapest dhe Sllovaki, ku pata kënaqësinë të takoja popullsitë vendase të pasura me entuziazëm shpirtëror, ju shpreh përshëndetjet e mia të përzemërta, Zonja Presidente, dhe ju siguroj lutjen time të veçantë drejtuar Zotit për të mirën dhe prosperitetin e popullit, pёr të cilin kërkoj bekime qiellore”.

Këtij mesazhi i shtohen edhe telegramet e Papёs drejtuar Presidentëve të Kroacisë, Zoran Milanović, të Bosnje - Hercegovinës, Željko Komšić, dhe të Italisё, Sergio Mattarella.

Pas mbërritjes në Romё, Papa Françesku u ndalua në Bazilikën e Shёn Marisё sё Madhe, para ikonës së Virgjërës Mari Salus Populi Romani, në lutje për të falënderuar Zotin pёr shtegtimin e tij tё 34-të ndёrkombёtar dhe pas lutjes u kthye në Vatikan ”, tha drejtor i zyrës së shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni.

15 shtator 2021, 17:14