Kërko

TOPSHOT-SLOVAKIA-VATICAN-RELIGION-POPE TOPSHOT-SLOVAKIA-VATICAN-RELIGION-POPE  Editorial

Ai vёshtrim i ri mbi rrëfimin, sakramentin e gëzimit

Në qendër të Sakramentit të pendesës a tё pajtimit është falja e Zotit që na përqafon, jo lista e mëkateve dhe poshtërimi ynë.

R.SH. – Vatikan

ANDREA TORNIELLI

Rrëfimi "sakrament gëzimi", madje i një "feste", në Qiell e në tokë. Të martën, mё 14 shtator, në stadiumin Prešov, dukej se Papa Françesku shikonte në sy secilin nga të rinjtë, që erdhën për ta pritur, për t'i ftuar ta jetonin sakramentin e pendesës a tё pajtimit në një mënyrë të re. Dhe ajo që Pasardhësi i Pjetrit u tha ishte një ngushëllim jo vetëm për të pranishmit, por për këdo që ndoqi atë takim në televizion ose në internet, apo edhe thjesht që e lexoi fjalimin e Papёs.

Nuk është sakramenti, i cili frekuentohet tejet pak nё këto kohëra, ai që ndryshon. Atё që Papa Françesku propozoi është një vështrim krejtësisht tjetër i rrëfimit në krahasim me përvojën e shumë të krishterëve dhe me një trashëgimi të caktuar historike.

Para së gjithash, Papa tregoi në sakrament "ilaçin" për momentet jetës kur "jemi poshtë", kur “jemi e ndjehemi keq”. Dhe pyetjes së një të reje, Petra, e cila e pyeti se si moshatarët e saj "mund t’i kapërcejnë pengesat në rrugën drejt mëshirës së Zotit", Ati i Shenjtё i u përgjigj me një pyetje tjetër: "Nëse ju pyes: për çfarë po mendoni kur shkoni në rrëfim? ... Unë jam pothuajse i sigurt për përgjigjen: i mendoni mëkatet. Por a janë vërtet mëkatet qendra e rrëfimit? ... Zoti a dëshiron Pqë t'i afrohesh Atij duke menduar për ty, për mëkatet e tua apo për Të? ”.

Mënyra e krishterë, pati thënë dy ditë më parë Françesku në Budapest, fillon me një hap prapa, me largimin e vetes nga qendra e jetës për t’i lënë vend ​​Zotit.

Ky kriter, i njëjti shikim kur aplikohet për rrëfimin mund të provokojë një revolucion të vogël a të madh kopernikan në jetën e gjithsecilit: në qendër të sakramentit të pendesës nuk jam më unë, i poshtëruar me listën e mëkateve - ndoshta gjithmonë të njëjtat mëkate - për t’ia thёnё me mundim priftit. Në qendër tё sakramentit të pendesës është takimi me Zotin që mirëpret, përqafon, fal, rimëkëmb.

"Askush nuk shkon në rrëfim - ua shpjegoi Papa të rinjve - si njerëz të ndëshkuar që duhet të përulen, por si fëmijë që vrapojnë për të marrë përqafimin e Atit. E Ati na rimëkëmb në çdo situatë, na fal çdo mëkat. Dëgjojeni mirë kёtё: Zoti fal gjithmonë! A e keni kuptuar? Zoti fal gjithmonë!”. Sakramenti i rrëfimit nuk ёshtё gjykatë ku shkohet te një gjykatësi për të rregulluar llogaritë, por "te Jezusi që më do dhe më shëron".

Papa Françesku i këshilloi priftërinjtë që "ta ndiejnë veten" në vend të Zotit: "Le të ndihen ata në vendin e Hyjit Atë, i cili gjithmonë fal, përqafon e mirëpret. T’ia japim Zotit vendin e parë në rrëfim. Nëse Zoti, nëse Ai është protagonist, gjithçka bëhet e bukur dhe rrëfimi bëhet Sakramenti i gëzimit. Po, i gëzimit: jo i frikës dhe gjykimit, por i gëzimi".

Vështrimi i ri mbi sakramentin e pendesës propozuar nga Papa, na kërkon që të mos mbetemi robër të turpit për mëkatet tona - turpi që "është një gjë e mirë" - por ta kapërcejmë atë sepse "Zoti nuk turpërohet kurrë për ty. Ai të do pikërisht aty, ku ke turp për veten. Dhe Ai të do gjithmonë ".

Nga turpi në festë, nga poshtërimi në gëzim. Nuk është Papa Françesku, por Ungjilli, ku lexojmë për atë babë që e pret me ankth djalin e tij mëkatar duke shikuar vazhdimisht horizontin, e madje para se djali të ketë kohë të përulet duke i përmendur me përpikëri të gjitha mëkatet e tij, e përqafon, e ngre në kёmbё dhe feston me të e për të.

16 shtator 2021, 12:02