Kërko

Drejt Sinodit të Ipeshkvijve Drejt Sinodit të Ipeshkvijve

Sinodi, imzot Marin: vend bashkimi për karizmat e ndryshme, jo konflikti ideologjik

“Unitet dhe shoshitje”: këto janë pikat kryesore, që thekson imzot Luis Marín de San Martín, zv.sekretar i Sinodit të Ipeshkvijve dhe koordinator i Komisionit Teologjik, për të kuptuar më mirë qëllimin e procesit sinodal, i cili do të fillojë në tetor 2021. “Kohë e Zotit, që na çon në thelbin e Kishës, në udhën e përbashkët”

R.SH. - Vatikan

         Jo “parlamentarizëm”, as hapësirë ​​për “konflikte ideologjike”, por një vend bashkimi, shoshitjeje, uniteti, ku secili të japë kontributin e vet për jetën e Kishës, sipas karizmës së tij: “Laiku si laik, kleriku si klerik”. Kështu pohon imzot Luis Marín de San Martín, zv.sekretar i Sinodit të Ipeshkvijve dhe koordinator i Komisionit Teologjik, duke inkuadruar Sinodin e ardhshëm, që do të mbahet në Vatikan në vitin 2023, fazë përfundimtare e një procesi 3-vjeçar, që do të nisë në të gjithë Kishën Katolike, kudo ndodhet, tetorin e ardhshëm. Një ngjarje e veçantë e një mënyrë zhvillimi e re për Kishën universale, e cila, sipas imzot Marínit, mund të përcaktohet si kairos: “Kohë e Zotit, që kujton vetë thelbin e Kishës: udhën e përbashkët”.

Ndryshim mendësie

         “Sinodi - shkruan prelati në një deklaratë - nuk është parlamentarizëm, ose konflikt ideologjik, por shoshitje sipas Shpirtit Shenjt, me bashkëpërgjegjësi. Secili, sipas thirrjes personale. Për të ecur në këtë rrugë nuk kemi nevojë vetëm për një ndryshim të mendësisë, por edhe për ndryshimin e zemrës. Për kthesë”.

Shoshitje e krijimtari

         “Në vend që të përqendrohemi vetëm në shtimin e pjesëmarrjes së laikëve, rregulltarëve dhe meshtarëve në Sinodin e Ipeshkvijve, besoj se detyra kryesore është e dyfishtë: nga njëra anë, të sigurohemi që ipeshkvi, i cili do të marrë pjesë në Sinod, të ketë bërë një shqyrtim të gjendjes si bari i Kishës, duke dëgjuar dioqezanët e tij, përfshirë periferitë”, pohon koordinatori i Komisionit Teologjik. Njëkohësisht, është “themelore” të bëhet një hap përpara, domethënë, “jo vetëm të vlerësohen dhe të përforcohen format e ndryshme të shprehjes sinodale (për shembull, këshillat baritore të famullisë dhe këshillat ipeshkvnore), por edhe të kërkohen mundësi të tjera për realizimin e sinodalitetit të popullit të Zotit”. “Mund të shkojmë edhe më tej, duhet të jemi krijues”, nxit imzot Marin. “Sinodi i Ipeshkvijve është formë e vlefshme e shprehjes sinodale, por nuk është dhe nuk duhet të jetë e vetmja”.

Bashkimi ndërmjet të krishterëve

Në veçanti, prelati vë në dukje disa pika kyçe të këtij procesi, dëshiruar nga Papa Françesku. Para së gjithash, uniteti në Krishtin dhe ai i të krishterëve ndërmjet tyre: “Udha e përbashkët nuk është ndonjë shpikje apo ngjarje e së tashmes, por është mënyra për të qenë Kishë, siç është bashkësia ose misioni”. “Nuk ka bashkim ndërmjet anëtarëve, përveçse në Krishtin. E ky unitet është shumëformësh, jo ​​uniform”. Në popullin e Zotit “janë të gjithë të krishterë, me funksione dhe thirrje të ndryshme”. Prandaj, Sinodi  “nuk është ngjarje, por proces: udhëtojmë së bashku. Ky është kuptimi i tij”.

Kontributi i Komisionit Teologjik në procesin sinodal

         Imzot Luis Marín ndalet më pas në kontributin e Komisionit Teologjik për procesin sinodal. “Pa dyshim, teologjia duhet të jetë e pranishme në Sinod”, pasi ajo nuk “është thjesht ushtrim intelektual, kalim kohe për disa elita kishtare”. Koncili II i Vatikanit, në veçanti kushtetuta “Gaudium et Spes”, “na kujton se teologjia ka për qëllim t’ua komunikojë doktrinën burrave dhe grave të kohës sonë”, në mënyrë që “ta njohin Zotin e zbuluar në Krishtin dhe të dëshmojnë Lajmin e Mirë të shëlbimit. Duhet të jetë përvojë dashurie, që çon drejt misionit”.

         Prandaj, Komisioni Teologjik dëshiron të “marrë pjesë, të ndihmojë dhe të bashkëpunojë në rrugëtimin e popullit të Zotit, në këtë kohë hiri, që përfaqësohet nga sinodaliteti”. Konkretisht, këto janë detyrat që kemi: “T’i japim mbështetje teologjike Sekretarisë së Sinodit dhe ta ndihmojmë me gjithçka i nevojitet; të rishikojmë tekstet dhe dokumentet dhe të bëjmë sugjerime; të paraqesim propozime teologjike për zhvillimin e Sinodit; të shpërndajmë materiale për studim dhe formim teologjik; të punojmë krah për krah me komisionet e tjera. Jemi në dispozicion për të ndihmuar edhe gjatë Takimeve Ndërkombëtare të Konferencave Ipeshkvnore dhe për të bashkëpunuar me to”, shpjegon imzot Marín.

Katër Komisione

         Së fundi, njofton se në Sekretarinë e Përgjithshme të Sinodit janë formuar katër komisione (teologjik, metodologjik, i përshpirtërisë dhe i komunikimit) për të mbështetur 25 anëtarët nga 19 vende. Të gjithë, ekspertë në shkencat e ndryshme kishtare (teologji dogmatike, teologji themelore, teologji morale, teologji baritore, patrologji, shkenca biblike, filozofi, e drejtë kanonike), me prestigj të njohur.

20 gusht 2021, 12:04