Kërko

Në qendër të Ungjillit, Krishti, që vdiq e u ngjall për ne!

Rifilluan, në Sallën Pali VI, audiencat e përgjithshme të Papës, pas ndërprerjes së korrikut. Në 8 vjet e gjysëm Papnie, Françesku mbajti 365 audienca, siç njofton kanali zyrtar vatican.va, që kujton edhe ato jubilare të së shtunës, me rastin e Vitit Shenjt të Mëshirës.

R.SH. - Vatikan

Një vit i tërë katekizmash, të thjeshta e të thella, me synimin për ta propozuar, siç e lexojmë në Evangelii gaudium (EG), “freskinë  origjinale të Ungjillit”, që e mbush përplot me gëzim jetën e atyre, të cilët takohen me Jezusin. Në qendër të vëmendjes, dashuria shëlbuese e Zotit, që u duk në Jezu Krishtin  e vdekur e të ngjallur për shëlbimin tonë dhe gëzimi, që buron kur e ndjen se dikush të do, të fal e të shpëton, lindur nga ungjillëzimi (EG 11).

Katekizmat e Françeskut

17 cikle tematike, deri më sot;  i pari ishte vijim i reflektimeve të Benediktit XVI mbi Besojmën për Vitin e Fesë (25 katekizma). Temat e tjera ishin: Sakramentet (9), Dhuratat e Shpirtit Shenjt (7), Kisha (15), Familja (36), Mëshira, me rastin e Jubileut (49), Shpresa e krishterë (38), Mesha Shenjte (15), Pagëzimi (6), Krezmimi (3), Urdhërimet e Tënzot (17), Atyna (16), Veprat e Apostujve (20), Lumturitë (9), Lutja (38), cikli kushtuar temës së pandemisë, i titulluar “Të shërosh botën” (9) dhe i fundmi, nisur në qershorin e kaluar, kushtuar Letrës drejtuar Galatasve (deri tani  2 katekizma). Janë, pastaj, edhe audiencat e përgjithshme  përqendruar mbi tema të veçanta, për shembull, mbi  kohët e forta liturgjike a shtegtimet apostolike.

Kishës i shërbejnë bijtë e Zotit, jo njerëz që u pëlqen të bredhin

Në katekizmin kushtuar Besojmës, Papa pohon se Ngjallja e Jezusit është zemra e shpresës sonë;  është feja, ajo që ta hap rrugën e jetës drejt amshimit të Zotit, lumturisë së plotë, sigurisë se e keqja dhe vdekja nuk do të fitojnë. Përsa u përket Sakramenteve, Françesku kujton me forcë se nuk janë rite formale, po shenja  të frytshme hiri që, të pranuara, ia ndryshojnë faqen jetës, duke  na bashkuar në dashurinë e Zotit e të vëllezërve. Shpirti Shenjt na  kredh në këtë dashuri me dhuratat e tij, duke na bërë Kishë: bij të Zotit, që është Atë e deshi të formojë një popull të bashkuar e të bekuar nga dashuria e Tij.

Zotit i pëlqen falja

Më reflektimin kushtuar familjes, Françesku hyn gjallërisht e konkretisht në realitetin familjar të çdo dite. Kujton të vërtetat themelore mbi martesën, por gjithnjë i vëmendshëm përballë situatave të brishtësisë e të familjeve të plagosura.  Përmbajtja themelore e Ungjillit - pohon -  është Jezusi. Mëshirë e mishëruar, Zotit i pëlqen t’i falë bijtë e tij, që edhe ata të munden, më pas, t’i falin vëllezërit e tyre. E ky besim në Mëshirën Hyjnore, është burim i shpresës së krishterë, që na bën ta ndjejmë se Zoti nuk na braktis kurrë. E në Eukaristi, Jezusi dikon mbi ne gjithë mëshirën e vet, që zemra jonë të përtërihet e të rrahë jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët!

Forca e lutjes

Duke folur për Urdhërimet, pohon se jeta e të krishterit nuk është përpjekje titanike për të qenë koherent me një rregull: është ta hapësh zemrën për Shpirtin Shenjt, që na dhuron një gëzim të dyfishtë: na kujton se Zoti na do, e se edhe ne duhet ta duam tjetrin. E kjo dashuri fitohet përmes lutjes, mbi të cilën Françesku ngulmon shumë;  hapi i parë për t’u lutur - kujton -  është të jesh i përvujtë e ta pranosh se je mëkatar. Është ta kuptosh se ke nevojë të lutesh çdo ditë,  se çdo ditë duhet të mësohemi të lutemi, sepse pa forcën e Shpirtit Shenjt nuk jemi të aftë ta bëjmë këtë.

Stili i Lumturive

Në ciklin kushtuar Veprave të Apostujve, Françesku tregon sa shumë mund të bëjnë misionarët, që ia hapin pa frikë zemrën Shpirtit Shenjt, duke përhapur krishterimin si miq e vëllezër, jo si armiq, që e tregojnë tjetrin me gisht, e më pas edhe e dënojnë! Është fjala për burra e gra që ndjekin Jezusin me stilin e tij  zemërbutë e të përvujtë të Lumturive. E punojnë për të shëruar një botë të plagosur - kujton Papa në katekzmin kushtuar temës së pandemisë.

Liria e krishterë

Në ciklin e fundit, që sapo e filloi, kushtuar Letrës së Shën Palit  drejtuar galatasve, Papa zgjodhi temën e risisë, që solli Ungjilli përballë atyre, të cilët vijojnë akoma sot ta mbajnë veten si “rojtarë të së vërtetës”, e tundohen të mbyllen në disa siguri, të fituara përmes traditave të kaluara. Galatasit propozonin ndekjen e ligjit të Moisiut. Ndërsa për Shën Palin, hiri qëndron mbi ligjin. “Udha çliruese e gjithnjë e re e Jezusit të Kryqëzuar e të Ngjallur, është udha e kumtimit, që realizohet përmes përvujtërisë e vëllazërimit. Është udhë e butë, e përvujtë, që shkon përpara me sigurinë se Shpirti Shenjt vepron në çdo epokë të Kishës dhe “i ndryshon zemrat, e ndryshon jetën, të hap përpara udhë të reja”.

05 gusht 2021, 09:43