Kërko

Vatican News

Kardinali Piacenza: e kemi humbur kujtesën e mëshirës

Me rastin e Ndjesës së Asizit, nga Bazilika e Shën Marisë së Engjëjve, Kryependestari tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtur nga shtigjet e verbëra të vetë-shfajsimit”, të frymëzuara nga qendra ideologjike manipuluese edhe nxiti për të kërkuar ndjesën, duke ruajtur lidhjen me Kishën universale, për ta shëruar shpirtin, pavarësisht nga shkandujt e vështirësitë.

R.SH. - Vatikan

Duhet përshkuar Udha e Krishtit, e Kishës, e Mëshirës! Këto, tre drejtimet  kryesore, për të cilat foli Kryependestari, kardinali Mauro Piacenza, në homelinë mbajtur në Asizi, në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve në Porciunkola, me rastin e kremtimit të Ndjesës së Asizit.

Krishti nuk e tregoi mëshirën, u bë mëshirë!

“Zoti nuk është thjesht i mëshirshëm. Është vetë Mëshira”. Hirësia e Tij  përmblodhi me këtë frazë,  çka shpreh Shën Gjoni në Letrën  e tij të parë, kur pohon: “Zoti është dashuri”. Prej këndej buroi pyetja drejtuar  bashkëkohasve: si mundemi, në një shoqëri të prekur nga sëmundjet e individualizmit e të egoizmit narcizistik, ta rikuptojmë se vetë thelbi i jetës sonë është marrëdhënia, dashuria, mëshira? Udha e pamohueshme - nënvizoi kardinali Piacenza - është Jezusi i cili, duke pohuar për vete “Unë jam udha”, nuk bëri ndonjë rrëfim për Mëshirën Hyjnore, por u bë Ai vetë Mëshirë.

Duke zgjedhur lirisht vdekjen në kryq, për dashuri, bëri të gurrojë një lumë, në të cilin njerëzimi mund të zhytet për të rilindur përmes fesë e Sakramenteve, në radhë të parë, përmes Eukaristisë e Sakramentit të Pajtimit: “Të përqafosh mëshirën e Zotit do të thotë  edhe ta mundësh vetminë”.

Kardinali Piacenza shkoi në zemër të dinamikës, që i copëton zinxhirët e izolimit: “Ai fiton me mua, fiton në mua e unë fitoj në Të”. Vetëshfajsimi buron prej qendrave idelogjike manipuluese. E kemi humbur kujtesën e Mëshirës: këtë theksoi në vijim kardinali Piacenza, duke kujtuar një nga dramat e shoqërisë bashkëkohore.

Është shtegu i verbër i vetëshfajsimit,  në të cilin ecim sa herë tundohemi të justifikojmë sjelljet tona, të tunduar nga pohimet e përhapura nga qendrat idelogjike manipuluese. Rruga e drejtë është të kërkosh përvujtërisht falje. Larg prirjes për ta shikuar mëkatin si diçka normale, siç predikojnë manipolatorët idelogjikë, të cilët  nuk duan ta kuptojnë se vetë mëkati i kundërvihet së vërtetës e së mirës, që është në shpirtin e njeriut. Prandaj: “Nuk duhet të ngurrojmë kurrë përballë rrëfyestores, para Sakramentit të Pajtimit”.

Nevoja e faljes, kundër trishtimit e brerjes së ndërgjegjes

Kur falesh, rilind. Shpëton nga brerja e ndërgjegjes, që i djeg energjitë tona - theksoi prediktari -  E citoi më pas  variantin e ri të Atynës, ku secili prej nesh ftohet “t’ua falë fajet fajtorëve të vet”. Shërimi  i plagëve të jetës e çliron zemrën, e lehtëson - këtë na kujtoi përmbledhtas homelia.  E do të jetë, pastaj, veprimi i Shpirtit Shenjt ai, që do ta përmbushë çka, parë me syrin njerëzor, duket e pamundur: të falësh të pafalshmen!

Ndjesa për rindërtimin e Kishës

Duke kujtuar jetën e Shën Françeskut të Asizit, që në këtë vend ndjeu qartë thirrjen e Zotit, kardinali Piacenza kujtoi udhën e tretë, në të cilën duhet ecur - për t’u kredhur, sot, në dashurinë e vërtetë, që bëhet akt i mëshirës: udhën e Shoqërisë së Shenjtorëve, dëshirën për t’u përtrirë plotësisht “në gjirin e Kishës universale”.

Kjo na kërkohet sot - kujtoi kardinali - të lidhemi ngushtë me Kishën, pavarësisht nga keqkuptimet, vuajtet e shkandujt që mund të vërehen në përmasën njerëzore, shtegtare të Saj. “Po kurrë e kurrës nuk duhet të ndahemi nga Korpi i Krishtit, që është Kisha” . E në përfundim kardinali, duke cituar Evangelii Gaudium, i ftoi të gjithë besimtarët t’i besojnë veprës së Virgjërës Mari, “që ecën me ne, lufton me ne e na prin pambarimisht drejt dashurisë së Zotit”.

02 gusht 2021, 12:06