Kërko

Vatikani organizon një sesion Para-Samitit mbi sistemet ushqimore

"Njerëzit dhe planeti: të rinjtë qё i japin orientim, kuptim dhe veprim drejtësisë ushqimore". Ky është titulli i punimeve që Komisioni i Vatikanit Covid-19 po organizon javën e ardhshme me rastin e para-Samitit të Kombeve të Bashkuara të programuar në Romë, në bashkëpunim me "The Economy of Francesco".

R.SH. - Vatikan

Nga 27 korriku në ora 19:30 Komisioni i Vatikanit Covid-19, krijuar nga Papa Françesku pranë Dikasterit tё Selisё sё Shenjtё për Nxitjen e Zhvillimit Integral Njerëzor, së bashku me ‘The Economy of Francesco’, një lëvizje ndërkombëtare e ekonomistëve të rinj tё frymëzuar nga Ati i Shenjtë Bergoglio, do të organizojë ngjarjen me temën: "Njerëzit dhe planeti: të rinjtë i japin kuptim dhe veprim drejtësisë ushqimore".

Sesioni, organizuar në Zoom me përkthime dhe transmetuar në kanalin YouTube të Dikasterit në transmetim të drejtpërdrejtë në gjuhën origjinale, zhvillohet në kontekstin e Para-Samitit të Kombeve të Bashkuara mbi Sistemet Ushqimore, i cili hapet në Romë më 26 korrik e përfundon më 28 korrik. Nё kёtё takim tё nivelit tё lartё do të marrin pjesë, së bashku, studiues, fermerë të vegjël dhe indigjenë, përfaqësues të sektorit privat, udhëheqës politikë dhe ministra të bujqësisë, mjedisit, shëndetësisë dhe financave, për t’i mbledhur praktikat e mira për sektorin e për të vёnё nё lëvizje aleanca dhe veprime, sa më shumë që të jetë e mundur, tё përbashkëta.

Seancat dhe kontributet

Në sesionin e programuar në Vatikan, gjashtë folës të rinj, të ndarë në dy sesione, do t’i bashkёndajnë përvojën e tyre në lidhje me zinxhirin e furnizimit ushqimor dhe mënyrat inovative me të cilat po punojnë për ta transformuar sistemet e sotёm ushqimore. Secili ka një rol për të luajtur në transformimin e sistemeve ushqimore në favor të njerëzve dhe planetit dhe "të gjithë mund të bashkëpunojmë për kujdesin e krijimit, secili sipas kulturës, përvojës, përfshirjes dhe talentit të tij" (Laudato si ', 14)

Të dy seancat e diskutimit do të moderohen nga Lucia Capuzzi, gazetare e sё pёrditshme italiane Avvenire e nga At Augusto Zampini, ndihmës sekretar i Dikasterit tё Vatikanit për Shërbimin Integral të Zhvillimit Njerëzor dhe koordinator i Komisionit të Vatikanit Covid-19.

"Ushqimi për të gjithë" është një nga tre objektivat prioritarë, së bashku me "Punë për të gjithë" dhe "Shëndet për të gjithë", të cilat Komisioni i ka vendosur vetes për 2021, ndërsa punon për të "përgatitur të ardhmen" siç ka deklaruar vazhdimisht Papa Françesku, e për t’i realizuar sistemet që u japin përparësi njerëzve dhe planetit.

Angazhimi i Selisë së Shenjtë

Qё nё majin e kaluar dhe në kuadrin e këtij takimi të rëndësishëm, Sekretaria e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Misioni i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në FAO, IFAD & WFP, Dikasteri i Vatikanit për Zhvillimin Integral Njerëzor dhe Komisioni i Vatikanit Covid, kanё organizuan një seri të webinarëve, "Ushqim për jetën, Drejtësi Ushqimore, Ushqim për të Gjithë", të regjistruar si "dialogë të pavarur", qё kontribuojnë Food Systems Summit të Kombeve të Bashkuara (UNFSS). Madje, një video e prodhuar nga Dikasteri Vatikanas dhe Komisioni Covid me titull "Ushqim për të gjithë: një thirrje morale", qё paraqet mesazhet kryesore të serisë së tre uebinarëve, do të shfaqet gjatë veprimtarisë së 27 korrikut.

24 korrik 2021, 16:19