Kërko

Vatican News
Ambasadorja Axworthy Ambasadorja Axworthy 

Vatikani: gjithnjë më shumë ambasadore pranë Selisë së Shenjtë

Gjatë lockdown 2020, diplomatet rezidente në Romë krijuan një rrjet informal, duke ftuar rregullisht mysafirë kompetentë për biseda on line e, më në përgjithësi, duke krijuar lidhje përtej kontaktit thjesht profesional. Tri ambasadore largohen nga Roma këtë verë, po rrjeti vijon.

R. SH. - Vatikan

Rrjeti nis me një grup Whatsapp. Në  lockdownin e ashpër italian të pranverës 2020, ambasadorja britanike pranë Selisë së Shenjtë, Sally Axworthy dhe kolegia e saj kanadeze, Isabelle Savard, ndjenë nevojën për të komunikuar nganjëherë, në mënyrë informale, me përfaqësueset e tjera diplomatike pranë Selisë së Shenjtë - rreth 20. E menjëherë u lindi ideja të ftojnë mysafirë kompetentë për diskutime “via Zoom”, e me argumente ndërmjet Kishës, politikës e ngjarjeve të Vatikanit. Ndërmjet tjerash ambasadoret interesohen posaçërisht për përgjigjen, që i jep Vatikani Covidit-19, për rolin e laikëve në Kishë,  detyrat e perspektivat e grave, që punojnë në Vatikan.   

Rrjet informal grash

Rrjeti i grave ambasadore është thjesht informal: nuk ka statute as lista regjistrimi, as orientim politik, e sidomos, nuk ka për qëllim të bëjë marrëveshje politike. Po gratë në këtë sektor pasurohen me shkëmbimin e ideve ndërmjet tyre. "Shumë gjëra lindin, mbasi shihet se janë të vlefshme, e më pas, edhe zhvillohen” - pohon një ambasadore. Është, pra, një grup i hapur, për një formë të hapur të shkëmbimit të ideve.  Ata, që kanë kohë, mblidhen në takimet e Zoom me të ftuar e shkëmbejnë diskutime ndërmjet tyre. Diplomatet i sugjerojnë kolegeve relatorët që mund t’i ftojnë - duke zgjedhur gjithnjë më shpesh gra. Kështu ndodhi edhe në një nga pritjet e kohëve të fundit të grupit të ambasadoreve të Romës, ku  nga rreth 30 të pranishëm, vetëm tre ishin burra! Përmbysje e ekulibrit,  tipik për pritjet në ambasadat pranë Selisë Shenjte, ku zakonisht shihen shumë më tepër burra, sesa gra!

Nga Uganda, ambasadorja e parë, më 1975

E pra gratë janë përfaqësuar prej kohe në Trupin Diplomatik, që shkon e vjen në Vatikan. Ambasadorja e parë pranë Selisë së Shenjtë ishte afrikane, siç pohoi departamenti i protokollit të Sekretarisë së Shtetit në  Vatican News: më 23 janar 1975 Selia e Shenjtë akreditoi si ambasadore, zonjën Bernadette Olowo, nga Uganda. Në vijim, gjithnjë më shumë vende nisën të përfaqësohen në Vatikan nga gratë. Sidomos, nga afrikanet. 

Numër gjithnjë në rritje

Më 1980, sipas Vjetarit Papnor, vetëm Zambia  e kishte grua ambasadoren e akredituar pranë Selisë së Shenjtë. Në vitin 1990 ishin pesë gra; nga Costa Rica, Ghana, Giamaica, Nuova Zelanda e Uganda. Në Vitin Shenjt 2000 numri i ambasadoreve në Vatikan arriti në tetë (Filippine, Lesotho, Nicaragua, Panama, Paraguay, USA, Sud Africa, Ucraina). Më 2010 ishin 16 (Bosnia-Erzegovina, Burundi, Filippine, Gambia, Georgia, Giordania, India, Islanda, Paesi Bassi, Pakistan, Panama, Polonia, Suriname, Svezia, Tunisia, Ucraina). Në vitin 2021, së fundi, 26 ambasadore - ndërmjet 135 të akredituarve pranë Selisë së Shenjtë. Prej tyre, 16 rezidente, e edhe  dy diplomate delegate të organizmave ndërkombëtare. Ndërkaq vendet evropiane të duket si të ishin vënë në radhë për të dërguar ambasadore pranë Selisë: Austria, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Vendet e Ulëta, Spanja, Suedia, Estonia, Letonia e edhe Bashkimi Evropian kanë aktualisht  gra diplomate pranë Selisë së Shenjtë. Me Chiara Porro, Australia dërgoi gruan e dytë ambasadore në Vatikan. E ky nuk është rast i izoluar: e njëjta gjë vlen edhe për Filipinet e edhe për kombe të tjera (Gjeorgji, Guine-Bissau, Lettoni, Panama, Zimbabwe). Edhe ambasadorja amerikane Callista Gingrich i përkiste rrjetit, deri në tërheqjen, në fillim të vitit 2021.

Grupi i ardhshëm

Tri nga diplomatet në detyrë, që bëjnë pjesë në grup, do të largohen këtë verë: Isabelle Savard e Kanadasë, Sally Axworthy e Mbretërisë së Bashkuar dhe  María Elvira Velásquez Rivas-Plata e Perusë. Gjithsesi rrjeti informal i ambasadoreve do të vijojë të shtohet e, në se do ta lejojnë rrethanat pas-Covid, do të forcohet edhe më shumë në vjeshtë, me takime në hapësira fizike, jo vetëm virtuale!

03 korrik 2021, 16:35