Vatikan, vaksinat: për të gjithë e me shpjegime të sakta
R. SH. - Vatikan
Të garantohet vaksinimi global i paanshëm e të përballohet ngurrimi, duke dërguar një mesazh të qartë mbi sigurinë. Janë këto kërkesat e përbashkëta të World Medical Associacion, Akademisë Papnore për Jetën e të German Medical Associacion, përfaqësusesit e të cilave u mblodhën dje, online, në një Tryezë të rrumbullakët ndërkombëtare, ku u fol për vaksinat dhe vaksinimin. Në konferencën e Shtypit të paraqitjes së komunikatës përfundimtare, mbajtur sot paradite në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, u vu theksi mbi vlerën e madhe të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Konferenca e shtypit
Ndërsa pandemia e Covid-19 vijon të shkaktojë viktima të panumërta, ndizen edhe reflektorët mbi pabarazitë e vaksinimit ndërmjet vendeve të pasura e atyre në rrugë zhvillimi, por edhe mbi atë, që tashmë është bërë e njohur si “ngurrim vaksinor”, i cili ka të bëjë me të dyja rastet. Tregohen mite pa pikë baze e përhapen dizinformacione, edhe në mjetet e komunikimit shoqëror, për efektet anësore e, në vendet më të pafate, një farë ngurrimi “me rrënjë në pabarazitë historike, në mosbesimin në kërkimet shkencore, në përvojat negative nga ndihma shëndetësore e nga dyshimet, që lindin prej veprimtarisë së firmave farmaceutike. Mesazhi i madh i dalë nga Tryeza e rrumbullakët ishte pikërisht urgjenca për t’i kapërcyer këto pengesa, sepse vaksinat luajnë rol themelor në parandalimin e sëmundjeve infektive, duke shpëtuar mijëra njerëz nga vdekja e sigurt e duke mbrojtur miliona të tjerë nga rreziku i sëmundjeve, që të gozhdojnë në krevat sa herë “nis stina e tyre”.
Të gjindet ekuilibri, në një sistem të ndërlikuar
“Vaksinat duhet të jenë për të gjithë e gjithkund, pa pengesa shkaktuar nga aspekte ekonomike, edhe në vendet me paga të ulta. Kështu u shpreh kryeipshkvi Vincenzo Paglia, kryetar i Akademisë Papnore për Jetën, në konferencën e shtypit. Më se një herë - nënvizoi - Papa ka nxitur për ta bërë konkrete të drejtën për mbrojtjen e shëndetit për të gjithë, përndryshe, pohoi, kjo e drejtë e humbet fare vlerën. Që vaksina të jetë e përdorshme për të gjithë, duhen parë të gjitha aspektet shkencore-teknologjike-ekonomike-tregtare e gjeopolitike (“nacionalizmi vaksinor”). Disa nga vaksinat e Covid 19 - shpjegoi - janë prodhime shumë të sofistikuara, ndaj për përgatitjen e tyre u deshën përgatitje të avancuara, ardhur nga fusha të ndryshme kërkimore farmakologjike. Kjo e bën edhe më të vështirë mundësinë për ta zgjidhur problemin e transferimit të kompetencave teknologjike si dhe atë të liçencave. E imzot Ivan Jurkoviç shton se duhet gjetur një ekulibër ndërmjet të drejtave private të shpikësve dhe kërkesave publike të shoqërisë.
Nuk duhen harruar sëmundjet e tjera
Ngurrimi për t’u vaksinuar është fenomen i larmishëm. Gjest delikat, t’i flasësh për besim, atij që ngurron, “posaçërisht në vende ku u vërejtën edhe raste të trishtuara” - vëren imzot Paglia - duke vënë theksin mbi çështjen e përparësisë, por duke kujtuar se nuk duhen harruar edhe sëmundje të tjera, si malaria e tuberkulozi, që në Afrikë shkaktojnë shumë më tepër viktima se Covid-19. E aq më pak, kushtet higjienike e mungesa e ujit të pijshëm, tejet të rrezikshme për shëndetin e njerëzve. Ndaj duhen fuqizuar edhe fushatat vaksinuese për sëmundjet e tjera, shumë të përhapura, që pandemia aktuale mund t’i lërë në harresë. Këtë e nënvizon edhe doktor Ramin Parsa-Parsi, anëtar i World Medical Associacion, i lidhur me Konferencën e shtypit, duke shpjeguar rëndësinë e bashkëpunimit ndërsektorial.
Të kapërcehen pengesat për prodhimin vendas të vaksinave
Pamdemia aktuale vuri theksin mbi rëndësinë e vaksinave, por edhe mbi pabarazinë e përdorimit të tyre si dhe rreziqet që lindin nga nacionalizmi i vaksinave. Ndërmjet tjerash, nuk ekziston oferta e vaksinave të disponueshme e, edhe nëse do të shtohej prodhimi, “prapëseprapë nuk do të ishte i mjaftueshëm për të plotësuar kërkesat e të gjitha rajoneve të botës, në mënyrë të arsyeshme e të shpejtë. E kjo do të thotë se vaksinat duhet të prodhohen në vend, por që kjo të realizohet, do shembur çdo pengesë”. Nyja e parë, që duhet zgjidhur, është ajo e patentave e, prej këndej, u duhet bërë ballë disa problemeve, së pari, mundësisë së transferimit të njohurive e kompetencave, përgatitjes së personelit dhe investimeve ndërkombëtare të prodhimit të vaksinave në mjedise të varfëra. E gjithë kjo, do të thotë të krijosh besim, të thellosh transparencën e t’u bësh ballë problemeve të komunikimit.
Përgjegësia
“Për të favorizuar besimin, nuk mjafton një gjest i përpiktë, por duhet politikë sistematike, me një vizion integral zhvillimi e marrëdhënie ndërkombëtare më të drejta - kujtoi akoma imzot Paglia që, më pas, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, nënvizoi edhe se çështja e vaksinave nuk është thjesht temë teniko-shkencore, por edhe, e sidomos, etike, politike e shoqërore”. Do të vijojmë të debatojmë për temën e vaksinave e në mënyrë të posaçme, për nyjen e lirisë individuale dhe atë të përgjegjësisë ndaj shoqërisë. Pandemia e vuri në krizë individualizmin e tepruar, të bazuar mbi lirinë absolute, që i bindet vetëm vetvetes – pohoi, duke kujtuar se në kongresin e ardhshëm nuk do të flitet për detyrimin, por për përgjegjësinë, që është shumë serioze, “mbasi vihet në lojë jo vetëm shëndeti im, por edhe ai i tjetrit”.