Kërko

Kultivime bujqësore në Salvador Kultivime bujqësore në Salvador 

Kardinali Turkson: në sistemet ushqimore indigjene, ardhmëria e ushqimit për të gjithë

Kardinali ganez Turkson, prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, gjatë diskutimit në Para-takimin e OKB-së mbi Sistemet Ushqimore, mbajtur në Romë, duke folur për mundësinë e shtimit të prodhimit të ushqimit, u drejtoi të pranishmëve ftesën të vlerësojnë prodhuesit e vegjël indigjenë e tradicionalë “që kanë lidhje të shëndetshme me tokat e kultivuara”.

R. SH. - Vatikan

Për ta rritur 50% prodhimin e ushqimit në mbarë botën, duke furnizuar, kështu, më se 9 miliard vetë, që parashikohet se do ta popullojnë planetin  brenda vitit 2050, “është e nevojshme të vihen në jetë sistemet ushqimore indigjene”. Prandaj duhet nisur një dialog i përhershëm përvoje me popujt  indigjenë/tradicionalë në mbarë botën, gjë që krijon kushtet për vënien në jetë të politikave publike globale, të cilat i vlerësojnë prodhuesit e vegjël indigjenë e tradicionalë si protagonistë të një aksioni global në luftën kundër mungesës së ushqimit.

Sistemet ushqimore indigjene dhe dieta natyrore

Titullohej “Sistemet ushqimore indigjene dhe dieta natyrore”, fjalimi që mbajti dje pasdite në Sallën  e Kuqe Kardinali, i cili shpjegoi se përdorimi i këtyre sistemeve ushqimore, që njihen me emrin “agrosisteme”, do të jetë i nevojshëm posaçërisht “në vendet me sisteme bujqësore të ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike (për shembull, ndryshimeve të reshjeve, të temperaturës, thatësirës, përmbytjeve).

Shtatë zonat sociokulturore të përcaktuara  nga Fao

Prandaj - kujtoi kardinali Turkson - Fao, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë “përcaktoi shtatë zona sociokulturore, për të përfaqësuar popujt indigjenë të botës. Janë:  Afrika; Azia; Amerika Qendrore, Amerika e Jugut dhe Karaibet; Artidet; Evropa Qendrore dhe Lindore; Federata Ruse, Azia Qendrore dhe Transkaukazia; Amerika Veriore e Paqësori”.

Një aksion i mëtejshëm, për prefektin e dikasterit të Vatikanit , “do të ishte ai i identifikimit dhe i zbatimit të institucioneve informale, që u kanë lejuar sistemeve ushqimore të ngulmojnë në kohë e t’i organizojnë sistemet ushqimore të këtyre zonave gjatë gjithë zhvillimit”.

Duhen rikrijuar institucionet indigjene të ndaluara

Duke pasur parasysh se shumica e tokave  të botës “janë hapësira indigjene” - përfundoi Turkson - rikthimi i sistemeve të frytshme  të mbarështimit të burimeve biokulturore në të gjithë botën, duhet të mendojë për ruajtjen e, në disa raste, edhe për rikrijimin e institucioneve indigjene   të niveleve të ndryshme. Në fjalimin e tij, kardinali ganez kujtoi  edhe “se shumë kërkime shkencore dhe studime kushtuar prodhimeve ushqimore indigjene kanë vënë në dukje vlerën e tyre, edhe në rastet e ndryshimeve të përdorimit të tokave dhe të klimës, si dhe vlerën e madhe që ka  rikthimi i tyre në të ardhmen”. “Bujqit vendas - sqaroi -  ditën  të mbrojnë  njohuritë, të cilat më pas u krijuan mundësinë t’i përsërisin  sistemet e tyre agroushqimore në kohë; e këto njohuri mund të përdoren përsëri në këto toka me varfëri ushqimore, si “armë” e sigurt në luftën kundër urisë në mbarë botën.

28 korrik 2021, 11:08