Kërko

Vatican News
Mont Sainte Odile Mont Sainte Odile 

Të rinjtë, Evropa dhe shpresat, në vizitën e kardinalit Parolin

Mesha me të rinjtë në Shenjtëroren e Monte Sant’Odile, ishte takimi i fundit i vizitës dyditore të sekretarit të Shtetit vatikanas në qytetin francez, si përfaqësues i Papës në kremtimet për 1300-vjetorin e Shenjtores pajtore e Alsasës. Kryeipeshkvi i Strasburgut: përpiqemi për një baritori, që i kapërcen kufijtë ndërmjet Francës, Gjermanisë e Zvicrës.

R. SH. - Vatikan

Mesha me të rinjtë, në Shenjtëroren e Monte Sant’Odile, pranë abacisë së Hohenbourg, ku është varrosur Abatesha shenjte, pajtore e Alsasës, së bashku me babain e nënën, ishte veprimtaria e fundit e kardinalit Parolin  në Strasburg. Sekretari i Shtetit të Vatikanit arriti të shtunën e kaluar në qytetin francez si përfaqësues i Papës në kremtimet për 1300-vjetorin e vdekjes së Shën Odiles. Në mëngjes kreu i diplomacisë vatikanase vizitoi selinë qëndrore  të Këshillit të Evropës.

Odile, pajtore e Alsasës, nderohet në mbarë Evropën

Virgjëra Odile, abatesha e parë e manastirit të Hohenbourgut, u shpall nga Papa Piu XII pajtore e Alsasës në vitin 1946, një vit pas përfundimit të Luftës II Botërore, gjatë së cilës këto troje vuajtën tmerrësisht nën thundrën e Gjermanisë naziste. Prania e kardinalit ishte rast edhe për  shugurimin e ipeshkvit të ri ndihmës të dioqezës, imzot Gilles Reithinger, deri më sot epror i përgjithshëm i Misioneve të jashtme të Parisit.

Në jetën e saj ishte Zoti, që u hapte krahët të braktisurve

Në homelinë për Meshën, kremtuar me rastin e 1300 vjetorit të vdekjes së Shën Odiles, në Katedralen e Zojës së Strasburgut, kardinali Parolin kujtoi  figurën e Shenjtores, që nderohet në shumë vise të Evropës, duke e lavdëruar shembullin e saj të ndritshëm. “Në jetën e  Shenjtërores - shpjegoi -  duket qartë fuqia e, njëkohësisht, edhe delikatesa e veprimit hyjnor”; “në jetën e saj shohim Zotin, që i mirëpret e i nalton të braktisurit, por edhe paradoksin e atyre që, duke besuar se janë më të mirë e më të denjë, në fund e ndjejnë se kanë nevojë për mëshirë, për shëlbim e shërim nga verbëria morale, përmes ndërmjetësimit të Atij, të cilin e patën refuzuar padenjësisht”.

Bashkësia murgare e fortesës së Hohenbourgut

Për këtë na flet qartë sjellja e atit të Odiles, dukës Aldarico i Alsasës, që në fillim nuk deshi ta shikojë me sy të bijën, pse kishte lindur e verbër. Por më pas, për ta shlyer këtë gabim të rëndë, i dhuroi fortesën e tij më të fuqishme, ku Odila themeloi një bashkësi murgare e ku jetoi deri në vdekje, në vitin 720:

“Ta kremtosh Shën Odilën - shtoi Sekretari i Shtetit vatikanas - do të thotë të shpallësh pushtetin e Zotit, që shfrytëzon situatat më të pafate, për të formuar shpirtra të shenjta”.

Evropa: duhet shumë shpresë, për të dalë nga dimri demografik

Kardinali, më pas, kujtoi “dimrin demografik”, domethënë, “Evropën pa djepa”. “Evropa ka nevojë për shpresë - theksoi - nëse dëshiron të përfundojë dimri demografik, që nuk është kryesisht fryt i krizës ekonomike e shoqërore, por i ligështimit të shpresës. Dimri do të vijojë,  derisa Evropa ta kuptojë të vërtetën e jetës njerëzore. “Prandaj - shtoi përfaqësuesi papnor - “Evropa ka nevojë të zbulojë kuptimin e thellë të rrënjëve të veta, ka nevojë për besimin në Zotin”. Këtë theksoi kardinali, para se të bënte thirrjen: “Evropa ka nevojë për dashuri, ka nevojë t’i vërë në qendër të shqetësimeve të saj, ata që jetojnë skutave, të varfër e të përjashtuar – e ka nevojë edhe për ta drejtuar fenomein migrator me urti e largpamësi, në mënyrë që ta bëjë faktik integrimin e vërtetë, ta bëjë burim mundësish e vëllazërimi, duke shmangur, kështu, rrezikun e përçarjeve të dhimbshme e të keqkuptimeve, fantazma të një kulture, që mohon se të gjithë njerëzit  janë vëllezër, Fratelli Tutti”.

Një pyetje drejtuar imzot Ravel – nga Vatikan News

Delphine Allaire e  redaksisë sonë franceze, i kërkoi  kryeipeshkvit të Strasburgut, imzot Luc Ravel medimin e tij për këtë vizitë të kardinalit Parolin, në një zonë si Alsasa, në qendër të Evropës, ngarkuar me domethënie për  ndërtimin evropian:

“Situata gjeografike dhe historike e bëri Alsasën zonë qendrore në Evropë, të thirrur të jetojë Evropën e tegelave.. A Evropën  e kufijve, nëse kështu tingëllon më mirë, por kufij që u bënë tegela…  Si puna e lumejve, si Reni, që nuk janë më shkaktarë ndarjeje, por takimi. Një nga thirrjet e Alsasës, e prej këndej edhe të Kishës alsasiane, është të rindërtojë zonën përmes  kooperimit. E ne përpiqemi për një baritori,  që i kapërcen kufijtë ndërmjet Francës, Gjermanisë e Zvicrës, në këtë mikrorajon, i cili shkon nga Shtutgardi - në Bazile, duke kaluar përmes Strasburgut. Eshtë zona më e fortë në mbarë Evropën, në aspektin ekonomik, në këtë pellg të Renit, që ne e harrojmë shpesh. Harrojmë edhe se historia deshi që Reni të ishte më shpesh element bashkimi, sesa përçarjeje, deri në atë pikë, sa dioqeza e Strasburgut të shtrihet në të dy brigjet e Renit. I gjithë ky realitet historik e gjografik i kujton Alsasës thirrjen për ndërtimin e Evropës përmes një baritorie, që i kapërcen kufijtë ndërmjet Francës, Gjermanisë e Zvicrës”.

07 korrik 2021, 14:04