Kërko

Vatican News

Shën Benedikti pikë referimi për bashkimin e Evropës

Shën Benedikti përbën një pikë themelore referimi për bashkimin e Evropës, duke na kujtuar fuqimisht se nuk mund të hiqet dorë nga rrënjët e krishtera të kulturës së saj e të qytetërimit të saj.

R.SH. - Vatikan

"Që për njerëzit e sotëm … të jetë i pacënueshëm e i shenjtë ideali i bashkimit shpirtëror të Evropës e të mos u mungojë kurrë ndihma nga qielli për ta realizuar në praktikë, e shpallem Shën Benediktin - Pajtor të Evropës". Me këto fjalë Papa Pali VI, më 24 tetor 1964, nga Montekasino, ku kishte shkuar për të shuguruar rishtas manastirin e shkatërruar prej bombardimeve aleate të 1944-tës, pikërisht në vendin ku Shën Benedikti kishte kaluar vitet e fundit të jetës, duke rrezatuar në të gjithë Kontinentin mesazhin e tij të përshpirtërisë e të fesë, dha këtë njoftim për shpalljen e Abatit shenjt të shekullit VI, themeluesit të monakizmit përendimor, si Pajtor qiellor i Evropës.

Shën Benedikti, siç tregon shën Gregori i Madh “qe njeri me një jetë të shenjtë....me emër e në saj të hirit”. “Shkroi Rregullën për murgjit...pasqyrë e një mësimi të mishëruar në jetën e tij personale: vërtet shenjti nuk mundi në mënyrën më absolute të mësonte ndryshe nga se siç edhe jetoi”, thotë Shën Gregori. Papa Pali VI e shpalli shën Benediktin Pajtor të Evropës më 24 tetor 1964, duke njohur e vlerësuar veprën e mrekullueshme bërë për formimin e qytetërimit evropian. Ndonëse dita e lindjes së Shenjtit për qiell është 21 marsi, Festa e Pajtorit të Evropës kremtohet më 11 korrik, sepse marsi përkon me Krezhëmt. Gjithsesi murgjërit benediktinë ia kremtojnë të dyja datat: atë të vdekjes dhe atë të Shpalljes Pajtor Qiellor i Evropës. 

Disa të dhëna për Shën Benediktin e për Abacinë e Montekasinos

Shën Benedikti lindi në Norça të Italisë rreth vitit 480, në një periudhë historike veçanërisht të vështirë. Katër vjet më parë kishte rënë Perandoria Romake e perëndimit. Biografia e tij na vjen përmes shkrimeve të Shën Gegës së Madh, që i kushton krejt librin II të Dialogëve, shkruar ndoshta rreth viteve 592-594.

Pasi përfundoi studimet e para në Romë, i neveritur nga shoqëria e kohës, braktis çdo gjë dhe tërhiqet në Subiako, ku bën jetë eremiti. Të mahnitur nga jeta e tij e shenjtë, disa murgjër, që banonin aty afër, e kërkojnë me këmbëngulje si epror e mësues. Benedikti pranon, por sapo mundohet të korregjojë mënyrën e tyre të jetesës, jo shumë shembullore, përpiqen ta helmojnë, por ai e thyen kupën me shenjën e kryqit.

Pasi themelon 12 kuvende të vogla, Shën Benedikti largohet nga Subiako dhe shkon drejt jugut, i shoqëruar nga disa dishepuj. Nuk dihet se pse zgjodhi Kasinon për të ndërtuar Abacinë, por hipotizohet se e ka ndihmuar ndonjë bamirës patric. Shën Benedikti përshtat bashkinë e vjetër romake e tempullin pagan, duke i shndërruar në një Abaci për bashkësinë e tij mungare e duke krijuar hapësira për aktivitetet e ndryshme të punës. Edhe në majën e malit, aty ku më parë ishte një korishte pagane, ngrihet një orator në nder të Shën Gjon Pagëzuesit e zona përreth bëhet varrezë. Edhe sot, aty ndodhet varri i Shën Benediktit dhe i motrës së tij, Shën Skolastikës, në korrespondencë me pjesën e poshtme të elterit të madh të Bazilikës.

Bashkë me themelimin e kuvendit të murgjërve, Shën Benedikti shpall Ungjillin për popullsitë që banonin në Kasino. Ky mision edhe sot kryhet nga benedektinët dhe Kasino bashkë me 20 komunat e tij hyjnë në juridiksionin baritor të Abatit të Montekasinos. Në këtë Abaci, Shën Benedikti përfundon hartimin e Regula monachorum, Rregullës së murgjërve. Janë të shumta mrekullitë që bën, si këtu, si ato të mëparshmet në Subiako. Tregon me vepra se zotëron edhe dhuratën e profecisë.

Tradita e vendos vdekjen e tij më 21 mars të vitit 547 e edhe ajo është e mrekullueshme. Gjashtë ditë para se të shonte te Ati Qiellor, Shën Benedikti u paralajmëron murgjërve vdekjen e tij dhe urdhëron të hapet varri, ku më parë qe varrosur e motra, Shën Skolastika. Pak para vdekjes, u thotë sivëllezërve ta çojnë në oratoriumin e Shën Martinit dhe aty, pasi merr Eukaristinë, jep shpirt. Më 24 tetor 1964, pikërisht në Montekasino, u shpall Pajtor i Evropës nga Papa Pali VI, si “lajmëtar i paqes, veprimtar i bashkimit, mësues i qytetërimit e sidomos kumtar i fesë e nismëtar i jetës murgare të Perëndimit”.

Abacia e Montekasinos

Abacia e Montekasinos është e famshme jo vetëm pse aty jetoi Shën Benedikti, por edhe sepse, prej saj, si prej një dielli, u përhapën të gjitha rrezet e kuvendeve mungare, që me ruajtjen e kulturës, me moton “ora et labora” (lutu e puno), mbajtën të bashkuar Evropën, duke i dhënë asaj shpirtin e frymën ungjillore. U shkatërrua katër herë, nga longobardët, nga saraçenët, nga tërmeti e nga bombardimet e Luftës II Botërore. Shën Benedikti pati vizionin e shkatërrimit të parë, por arriti të nxjerrë prej Zotit shpëtimin e murgjërve. Nuk ndodhi kështu herët e tjera, sidomos me shkatërrimin e fundit, ku Montekasino u gjend në mes të linjës së ndeshjes ndërmjet ushtrive. Vendi i lutjes dhe i studimit, që për rrethanat ishte bërë edhe strehë paqësore për qindra civilë, u kthye brenda tri orësh në një grumbull rrënojash, nën të cilat gjetën vdekjen shumë persona.

Periudha më e ndritshme e Abacisë është ajo nën abatin Deziderio, papë i ardhshëm me emrin e Viktorit III. Në kohën e tij, në shekullin XI, rindërtohet një Bazilikë e mrekullueshme dhe kuvendi pasurohet me kodikë në miniaturë, mozaikë, piktura, orendi të arta për liturgjinë, që vinin nga Lindja. Sot, kuvendi mbetet një vend lutjeje e pushimi shpirtëror për të gjithë ata që dëshirojnë të njihen me jetën e bendektinëve e t’i afrohen Zotit sipas mënyrës së tyre.

11 korrik 2021, 14:58