Kërko

Vatican News
Kardinali Parolin Kardinali Parolin 

Proces gjyqësor në Vatikan, Parolin: “Sekretaria e Shtetit, palë e dëmtuar, sepse viktimë”

Kardinali Parolin, në Strasburg për 1300-vjetorin e vdekjes së Shën Odilies, takohet me gazetarët në një konferencë shtypi: “Shpresojmë se gjykimi do të jetë i shkurtër. Shumë njerëz vuajtën nga kjo ngjarje. Nëse më kërkojnë të dëshmoj, do ta bëj këtë”.

R. SH. - Vatikan

Të nesërmen e njoftimit të seancës së parë, caktuar për 27 korrik, kardinali Parolin u takua me disa gazetarë në Munsterhof të Strasburgut, ku sot  kremtoi, si delegat papnor, Meshën solemne për 1300-vjetorin e vdekjes së Shën Odilies, pajtore e Alsasës. Në një konferencë shtypi, pas kremtimit, kardinali Parolin shpjegoi se nuk i ka lexuar akoma dokumentet, që u publikuan dje, dhe ftoi të “pritet procesi e të shpresohet të  dalë në shesh e vërteta”.

“Shpresojmë se gjyqi do të jetë i shkurtër, mbasi shumë vetë vuajtën gjatë nga kjo ngjarje”- uroi kardinali - Gjë e mirë që u mor një vendim - vijoi -   sepse autoriteteve gjyqësore iu desh një vit e gjysëm, që të vendosnin. Jam shumë i trishtuar për njerëzit, që  do të gjykohen.

I gatshëm për të dëshmuar

Sipas kardinalit “ka mundësi që ndokush të jetë sjellë keq, të ketë kryer veprime, që nuk duhet t’i kryente”. Do të jetë drejtësia, që do të vendosë për këtë. “Si institucion - nënvizoi Sekretari i Shtetit - mendojmë se u dëmtuam rëndë nga gjithë kjo që ndodhi. Prej këndej, vendimi për të mbrojtur qëndrimin tonë e moralitetin tonë. Por  edhe “për të na u kthyer paratë”. E gjithë kjo, përmes këshillimit me Papën: “Për problemet e rëndësishme flasim gjithnjë me Papën dhe i kërkojmë miratimin, para se  të veprojmë” - siguroi kardinali Parolin - E pikërisht falë “shumë vendimeve të marra nga Papa lidhur me kontrollin e financave  të Selisë së Shenjtë” - nënvizoi kardinali - “nga pikëpamja administrative,  problemi në qendër të gjykimit, është tashmë e zgjidhur”.

I pyetur nga kronistët, sekretari i Shtetit  deklaroi edhe se “po t’i kërkojnë  të dëshmojë, do të ta bëjë këtë”.

Kardinali Parolin në Alsasë, për 1300-vjetorin e Shën Odilies

Kardinali Parolin arriti dje në qytetin francez e, si përfaqësues i Papës, kremtoi 1300-vjetorin e vdekjes së Shenjtes, shpallur nga Papa Pajtore e Alsasës, në vitin 1946, një vit pas përfundimit të Luftës II Botërore,  kur këto troje u masakruan nga nazistët gjermanë. Prania e kardinalit ishte edhe rast për shugurimin e ipeshkvit të ri ndihmës të dioqezës, imzot Gilles Reithinfìger, deri tani epror i Misioneve të Jashtme të Parisit,

Homelia: dimri demografik dhe migrimet, emergjenca në Evropë

Gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në katedrale, kardinali Parolin kujtoi figurën e ndritur të Shën Odilies, që nderohet në shumë vise evropiane, duke lavdëruar shembullin e saj e duke u kthyer, më pas, në të sotmen e Kontinentit të Vjetër - që vijon të plaket gjithnjë më shumë, duke u zhytur në “ngricat e dimrit demografik”, të cilin Papa Françesku e shikon si një nga emergjencat më të trishta të kohëve tona. “Evropa ka nevojë për shpresë, nëse dëshiron ta shikojë shkrirjen e dëborës e fundin e këtij dimri, që nuk është thjesht fryt i krizës ekonomike e shoqërore, por edhe, e sidomos, i mungesës së shpresës, pasojë e moskuptimit të vetë jetës - kujtoi Parolin - duke i bërë më pas Evropës një thirrje të fortë për  më shumë bamirësi, sidomos në mikpritjen e më të ligshtëve.

“Evropa - pohoi - ka nevojë për bamirësi, ka nevojë t’i vërë në qendër të vëmendjes ata, që jetojnë ndër skuta, në varfëri, të përjashtuar nga gjithkush e nga gjithçka. Evropa  duhet ta drejtojë fenomenin migrator  me urti e largpamësi, në mënyrë që të mund ta bëjë integrimin realitet; vëllazërimin, burim  mundësish e ta largojë rrezikun e përçarjeve të dhimbshme e të keqkuptimeve, fantazma  të një kulture, që nuk do ta pranojë se të gjithë njerëzit janë vëllezër. Fratelli tutti”.

05 korrik 2021, 13:33